Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ngushëlluar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama për humbjen e nënës. "I dashur Edi, në këtë ditë të pikëllimit, por edhe të krenarisë, bashkëndjej me ju dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të nënës Aneta. Ngushëllimet më të sinqerta në emër timin dhe të familjes" shkruan Thaçi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:34
Veseli ngushëllon për humbjen në familjen Rama: Dashuria për nënën është e pafundme

Kreu i PDK-së në Kosovë, Kadri Veseli ka reaguar për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës, nënës së kryeministrit Edi Rama. Ai i ka shprehur ngushëllimet kryeminstrit, ndërsa  shkruan se dashuria për nënën është e pafundme dhe se një humbje e tillë është e pazëvendësueshme.

“Ngushëllimet më të thella Kryeminstrit Edi Rama për humbjen e nënës së tij të çmuar, Anetës. Dashuria për nënën është e pafundme, prandaj lutem që ta gjej forcën për ta përballuar një humbje kaq të rëndë e të pazëvendësueshme. Në këtë kohë pikëllimi, lutjet janë për të dhe familjen e tij,” shkruan Veseli.

Ora 15:01
Shuhet Aneta Rama, Koçi: Nëna është e vetmja perëndi qe na prek dhe e prekim

Zv. ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ka shprehur ngushëllimet e tij pas vdekjes së Aneta Ramës, nënës së kryeministrit të vendit. Ai i është drejtuar Ramës duke lartësuar figurën e nënës duke e krahasuar me perëndinë në tokë.

"I dashur Edi, Nëna është e vetmja perëndi qe na prek dhe e prekim. Është perëndia qe na jep sise e qe loton për ne! I ndritë shpirti Netës!", shkruan Koçi.

Ora 14:13
Hoti ngushëllon kryeministrin Rama për vdekjen e nënës: Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ngushëllon familjen e kryeministrit Edi Rama për humbjen e nënës së tij. Hoti me anë të një postimi tha se lajmin për vdekjen e saj e kam marrë vesh me shumë dhimbje. Ai shpreh gjithë ngushëllimet më të sinqerta nga ana e tij dhe e qeverisë së Kosovës.

“Me dhimbje mora lajmin për ndarjen nga jeta të nënës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama! Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta kryeministrit Rama, familjes dhe gjithë të afërmve për humbjen e njeriut të tyre të dashur. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, shkruan Hoti.

Ora 13:16
Ambasada e Rusisë në Tiranë mesazh për vdekjen e Aneta Ramës: Mendimet dhe lutjet tona janë me ju

Pas vdekjes së nënës së kryeministrit Edi Rama, ka shprehur ngushëllimet edhe ambasada e Rusisë në Tiranë. Ajo ka shpërndarë postimin e Ramës dhe ka shkruar se mendimet dhe lutjet e tyre në këto momente të vështira janë me familjen e saj.

"Nga lajmet e mediave me keqardhje të thellë mësuam sot për ndarjen nga jeta të znj. Aneta Rama. Ambasada Ruse në Shqipëri i shpreh ngushëllime kryeministrit dhe familjes së tij. Mendimet dhe lutjet tona në këto momente të vështira janë me ju", shkruan ambasada.

Postimi i ambasadës ruse

Ora 12:31
Shuhet Aneta Rama, Braçe: E kam me vete zërin tënd, të jesh në paqe mike e mirë


Zv/ kryeministri Erion Braçe shkruan se zërin e Aneta Ramës do ta ketë gjithmonë me vete. Braçe thotë se Aneta kishte një shpirt të pamposhtur nga ku buronte mirësia e saj. "Te jesh ne paqe mike e mire! E kam me vete zerin tend, revolten qe na bente bashke e sa shume me pelqente, shpirtin e pamposhtur nga buronte; MIRESINE TENDE! Lamtumire!" shkruan Braçe.

Ora 12:26
Meta mesazh familjes Rama: Ngushëllime për nënën dhe gjyshen e dashur Aneta!


Presidenti Ilir Meta ka ngushëlluar familjen Rama për humbjen e njeriut tyre të dashur, Aneta Ramës. "Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Rama, për ndarjen nga jeta të nënës dhe gjyshes së tyre të dashur Aneta. U prehtë në paqe" mbyllet mesazhi i ngushëllimit të Presidentit në faqen e tij në Facebook. 

Ora 10:53
U shua e ëma e drejtorit, Partizani në zi: Ngushëllimet më të sinqerta familjes Rama


Ekipi i futbollit të Partizanit i përcjell ngushëllimet familjes për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës, e cila është e ëma e Drejtorit të Përgjithshëm të ekipit të kuq Olsi Rama. "Me keqardhje të thellë njoftojmë sot se është ndarë nga jeta Znj. Aneta Rama, e ëma e Drejtorit të Përgjithshëm të FK Partizani Olsi Rama. Klubi Partizani i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Rama dhe të afërmve, për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme" mbyllet postimi i ekipit të Partizanit.

Ora 10:29
Vdekja e Aneta Ramës, Urdhri i Stomatologut: Humbëm një nga ikonat e themelimit të këtij shërbimi

Urdhri i Stomatologut ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës, e cila ka qenë mjeke stomatologe. "Sot u nda nga jeta mjekja stomatologe “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare” Dr.Aneta Rama. Dr.Aneta lindi në qytetin e Vlorës më 1 shtator 1939. Shkollën dhe arsimin e mesëm e mbaroi në qytetin e lindjes me rezultate ekselente. Dr.Aneta ishte dhe një sportiste e talentuar në katër lloje sportesh. Në vitin 1955 filloi studimet në një nga Universitet më me emer të Polonisë dhe i mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1961. Pasi u diplomua si mjeke stomatologe filloi punë në poliklinikën e qytetit të Vlorës. Dr.Aneta më vonë ka punuar në kryeqytet duke drejtuar poliklinikën dentare, e Specializuar ne Radiologji e Fizioterapi Stomatologjike. Dr.Aneta është dekoruar me çmime të ndryshme për punë shumë të mirë e rezultate shkencore në shërbimin ndaj qytetarit. Me rastin e 100 vjetorit të Stomatologjisë Vlonjate, Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë i akordoi titullin më të lartë: “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare“ në një atmosferë të jashtëzakonshme festive të mbarë dentistrisë. Sot stomatologjia shqiptare humbi një nga ikonat e para të themelimit të këtij shërbimi elitar në vendin tonë. Familja humbi njeriun e saj të dashur: nënën, gjyshen e njeriun që do ta kujtojë tërë jetën. Në emër të Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë i shpreh ngushëllime familjes, miqve e kolegëve të Dr.Anetës. U prehsh në paqe Dr.Aneta" mbyllet reagimi. 

Ora 10:25
Vdekja e Aneta Ramës, deputeti socialist: E pa harruar qoftë


Deputeti socialist Arben Pëllumbi ka ngushllëuar kryeministrin Edi Rama për humbjen e nënës. "E pa harruar qofte" shkruan ai në një postim në Facebook.

Ora 10:25
Vdekja e Aneta Ramës, Blendi Gonxhja: Deri 1 ditë përpara se të ndahej nga jeta s’kursyen helm...


Drejtori i Transportit Blendi Gonxhja ka bërë një postim për ndarjen nga jeta të nënës së kryeministrit duke shkruar se "Deri 1 ditë përpara se të ndahej nga jeta s’kursyen helm nëpër tv, ata që veç zoti i faltë për sa e sëmurën, gruan, nënën! RIP Aneta Rama" shkruan ai.