24 orë para mbajtjes së seancës plenare, në të cilën do të diskutohet për orë të tëra mbi integrimin, Sali Berisha orientoi të tijtë se cili do të jetë mesazhi i opozitës nesër në Kuvend.
“Lubia në raste të caktuara vazhdon dhe përdor banda për të kërcënuar. Dhe natyrisht në këto kushte, vendet të cilat besojnë se procesi i integrimit në BE duhet të bazohet në meritën, në performancën, në funksionimin e shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut, nuk mund të pranojë që një njeri, i akuzuar për 36 vite burg, 1.2 miliardë euro në dosje Lubia, tani të jetë edhe më e fuqishme”, tha Berisha.
Ai thotë se qeveria gënjen kur thotë se çështja Balluku nuk ka asnjë lidhje me diskutimet në Bruksel mbi Raportin e Ndërmjetëm, IBAR.
“Edi Rama jo vetëm që bllokoi, që tregoi se ky e hodhi në kosh reformën e drejtësisë dhe bllokoi funksionimin, nuk lejoi Ballukun të shkojë atje ku e ka vendin, në burg. Por përkundrazi, Lubi Balluku është sot kryeministrja në hije e Shqipërisë. Dhe Edi Rama mendon se këto, partnerët tanë nuk i shohin”, tha Berisha.
Berisha sulmoi edhe kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshin, duke thënë se edhe ai njëjtë si Rama, i fsheh parlamentit detaje mbi procesin e integrimit.
“Raporti që kërkon që parlamenti të ketë një rol qendror në procesin e integrimit. E shihni ju atë Peleshin që qëndron në krye të parlamentit? Nuk ka interes integrimin ai, është si Edi Rama”, tha Berisha.
Opozita e kishte kërkuar që në seancën e shkuar diskutimin mbi çështjen e integrimit në parlament por maxhoranca nuk pranoi për shkak se debati ishte parashikuar të zhvillohej këtë 14 maj. Debati, do të zhvillohet për 5 orë, nga e cila rreth 3 orë do t’i përkasin shumicës socialiste ndërsa pjesa tjetër do të ndahet mes grupeve të opozitës. Debati do të finalizohet me një rezolutë.
Komente









