Thirrjeve po i vjen fundi. Të hënën është shansi i fundit që mazhoranca i ka lënë në tryezë demokratëve për t’u rikthyer në karriget e tyre në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale, pas bojkotit disa javor.
Nëse PD nuk shkon në Komision, socialistët do të prishin marrëveshjen e arritur në nisje të legjislaturës dhe do të marrin shumicën e anëtarëve në komision dhe drejtimin e tij, duke i hequr opozitës të drejtën e vetos.
Ndryshimi i përbërjes së komisionit, nëse bojkoti i demokratëve vijon, parashikohet të votohet të martën në seancë plenare.
“Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë. Kryetari i komisionit është përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, thuhet në propozimin e PS.
Gjasat janë që demokratët të mos paraqiten as të hënën në komision dhe PS vijojë me ndryshimet e paralajmëruara, përsa kohë Sali Berisha përsëriti edhe disa ditë më parë në një konferencë për mediat, se bojkoti do të vijojë pasi PS pengon drejtësinë për çështjen “Balluku”.
Në të njëjtën orë me mbledhjen e Komisionit, grupi parlamentar i PD do të mblidhet në seli për të diskutuar qëndrimin që do të mbajë në seancën plenare të së martës.
Nëse PD nuk kthehet në komision, ajo rrezikon të përsërisë 2014-tën, kur bojkotoi Reformën Territoriale dhe i la dorë të lirë socialistëve në ndryshimin e kufijve vendor.
Komente










