‘Pas akuzave të Enverit, folën Mehmeti, Hysniu, Ramizi e Manushi, por një tip rrugaçi, si Hekuran Isai, tha …’/ Kujtimet e Fadil Paçramit

‘Pas akuzave të Enverit, folën Mehmeti, Hysniu, Ramizi e Manushi, por një tip rrugaçi, si Hekuran Isai, tha …’/ Kujtimet e Fadil Paçramit

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu-

 Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të plant biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.

– I dyti u hodh në fjalimin e 15 marsit të Enver Hoxhës në mbledhjen me komunistët në aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së. Aty më thirrën edhe mua. Psenë, nuk e kuptova aty për aty, por m’u bë e qartë sa filloi të fliste, duke më vënë në shënjestër me emër, e më ngarkuar gjithë sa e si deshi, sipas skenarit të paramenduar. Që të nesërmen, i kërkova takim, por nuk më priti. E përsërita kërkesën, doja të shpjegohesha, dhe më priti pas 15 ditëve, kur kujtoi se presionet që më ishin bërë, do e kishin arritur qëllimin. Desh që doemos të pranoja se kishte të drejtë, por meqë kjo s’ndodhi, u zemërua keq dhe më tregoi derën.

Pa u mbushur java, më shkarkoi nga të gjitha funksionet, edhe atje ku qesh i zgjedhur, si kryetar i Kuvendit Popullor e, më dërgoi drejtor në minierën e bakrit në Tuç të Pukës. Atë bëri edhe me Todin, duke e çuar drejtor të një ndërmarrje ndërtimi në Lezhë. Shpejtuan të më nxirrnin nga shtëpia dhe u vendosa në Fushë-Arrëz. – Në 28 qershor, u mblodh Plenumi i IV-ët famëkeq. Atmosferë e rëndë, frikë dhe tensioni. Raportin e mbajti vetë Enver Hoxha, ç’ka flet, se ç’rëndësi do t’i jepte këtij plenumi, për planin e tij që vuri në veprim, duke hedhur në lojë gjithë ç’mundi, për të arritur atje ku i duhej. Kjo ra në sy që nga përmbajtja, tonet herë solemne e, herë të zemëruara, me ngritje e theksime spektakolare të zërit dhe përpjekja për t’i dhënë edhe një veshje teorike.

U duk qartë se një nga synimet e tij, qe edhe paralajmërimi i të tjerëve, se kështu mund ta pësonte cilido tjetër nesër, pra të kishin mendjen. Ai, s’qe plenum, por gjyq, ku të akuzuar ishim unë dhe Todi. E morën fjalën me radhë; Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Manush Myftiu, e të tjerë nga besnikët e tij, që jo vetëm e miratuan dhe çmuan lart raportin, por shtuan edhe nga vetja, gjithmonë më të paqena, duke ngritur lart gjenialitetin e largpamësinë e tij, që gjithnjë në momentet e vështira, i kishte shpëtuar partinë e vendin, nga rreziqet dhe armiqtë e brendshëm e të jashtëm. U kërkua marrja e masave të dënimit, nga më të rreptat dhe atyre shtrënguese në tërësi, për t’i prerë rrugën liberalizimit e tradhtisë. Një tip rrugaçi si Hekuran Isai, e formuloi masën e dënimit, kështu: “Të lidhen të dy për këmbësh e duarsh, të futen në një thes dhe të hidhen në lumë atje ku të jetë më thellë”.

Kjo qe gjendja atë kohë. Diktati e vullneti i shefit, si dhe frika, sundonin në parti që nga Komiteti Qendror e, organet e tjera partiake dhe shtetërore, deri poshtë në të gjithë vendin. Kështu qe katandisur vet partia. Dhe kjo dukej, që në organin më të lartë të saj. Madje andej, edhe kishte filluar. Pra u vendos, të përjashtoheshim nga Komiteti Qendror dhe nga partia. Por ky, nuk qe fundi. Filloi një fushatë e padëgjuar dhe e paparë ndonjëherë, me mbledhjet e në shtyp, kundër liberalizmit, duke tensionuar gjendjen në vend dhe përgatitur goditjet e reja që pasuan, lidhur me “puçistët” në ushtri dhe “sabotatorët” në ekonomi. U kompletua kështu kuadri, për atë që u quajt “komploti” i madh në të tri sferat: “Kulturë-Ushtri-Ekonomi”. Një sajesë krejt e trilluar, si një mekanizëm i vënë në lëvizje, për t’u mbajtur në këmbë, me terror e demagogji.

Ndoqën menjëherë edhe arrestimet e gjyqet e viteve ‘70-të, për të tre “grupimet”, sipas një radhe të paracaktuar, edhe këto: së pari ushtarakët, më pas ata të ekonomisë, ndërkohë edhe ne të kulturës, (në ‘74-ën u arrestua Todi, më ‘75-ën u arrestova edhe unë). Edhe për këtë – arrestimet, pati një parapërgatitje. Nëse për dy grupimet e tjera, ato u bënë njëherësh, për ushtarakët e shumë shpejt për të ekonomisë, për ne të kulturës, u shty pak. Ndërsa dy të parat, u justifikuan me rrezikun e veprimeve ushtarake, e dëmet e mëdha në ekonomi, për ne të sferës së kulturës e të ideve, qe më e vështirë të bëhej e besueshme nga opinioni.

Megjithatë: – Pas një muaji më nxorën para zgjedhësve, për të më hequr mandatin si deputet, ku u kërkua edhe të arrestohesha.

– Në parlament, nuk më thirrën më që atë vjeshtë të ‘73-it dhe më shkarkuan nga kryetari i tij, i zgjedhur.

– Më kontrolluan për mbajtje arme, me qëllim që të gjenin një shkak çfarëdo, për të më dënuar edhe si ordiner.

– Më ndaluan të lëviz nga Fush-Arrëzi, si masë dëbimi, ose internimi, kjo nuk m’u njoftua zyrtarisht.

– Organizuan një mbledhje në kinemanë e qytetit, ku më thirrën e ngulën këmbë, të veja doemos: qe menduar të më bënin një demaskim publik, e të kërkohej që të arrestohesha, por unë nuk shkova.

– Më ngjitën pas provokatorë, që të nxirrnin fjalë e dëshmi, si ua donte puna, derisa më së fundi, më 22 tetor të ‘75-ës, e mbyllën ciklin me arrestimin. Edhe një pyetje: pse nuk na arrestuan në një kohë, mua dhe Todin? Po për atë arsye, që nuk na bënë edhe një gjyq të dyve së bashku: nuk kishte patur veprimtari të përbashkët nga ne, të llojit armiqësor, si na akuzonin dhe këtë e dinin fare mirë ata, pra nuk patën si të bënin, lidhjen në gjyq. E kishin bërë në plenum, e në propagandë, në gjyq u qe e vështirë. Kështu mbaroi kjo odise. Pesë nga dy letra dërguar Enver Hoxhës, ku flas për gjithë sa në mënyrë të figurshme, i kam quajtur; “enigma”, “proza e keqe”, “kori tinzar” dhe “maskat që qeshin”, në përgjigje ndaj akuzave të paqena për armiqësi, si antikombëtar, e të tjera. Në ato kushte, me këtë gjuhë, mund të flitej, aq edhe qe tepër)

Nga e para:

Edhe më parë kam folur disa herë për një “enigmë”, të cilën rrihja ta zgjidhja, por kishte (dhe ka) shumë të panjohura, që unë nuk i dija (dhe nuk i di), prandaj e kam patur (dhe e kam) të vështirë të rrok të tërën. Përpiqem të ndjek fakte e ngjarje, nga materiale dhe artikuj që botohen, të rikujtoj edhe nga ato që më kanë ndodhur, t’i lidh me sa më është e mundur dhe t’i afrohem sa më pranë, të vërtetës. Mundet që lodhem kot! Mundet. Po atëhere, përse? Dua të zgjidh atë – “enigmën” dhe jo vetëm për vete…! S’ka shumë që më ra në dorë, vëllimi 31, i Veprave të Enver Hoxhës, dhe aty në faqen 266, lexova një kritikë të bërë atë kohë (fillimet e vitit 1966), por që unë e marr vesh tani. Jo se sa thuhen aty, i kalojnë kritikat që më janë bërë më vonë, por tani që bie në sy në ato pak radhë, më ktheu te “enigma”.

 

Pra: bëhet e qartë se prej kohësh – nga fillimet e viteve ’60-të, mbase edhe më parë, nisën të mblidhen veç të këqija e, të paqena për mua, gjithmonë në një drejtim të përcaktuar. Veproi kështu (kush pati dhe ka interes për këto – kjo bën pjesë në “enigmën”), një prozë e keqe, nga ajo e llojit të letërsisë bulevardeske dhe veproi nga disa drejtime, e nëpërmjet shumë rrugëve, të hapura e të tërthorta…! Nga këto, më lindi mendimi: mos duhej ta kisha filluar që këtej – nga sqarimi i të paqenave dhe ç’ka qëndrojnë prapa tyre? (Një herë Seneka thirri me të madhe: o mendim i fundit, pse nuk erdhe i pari!) Dhe meqë nuk e bëra në kohën e vet, thashë ta bëj tani, me aq sa të jetë e mundur. Një zë – ai i të burgosurit (jeta në qeli, muret e trasha, hekurat që të kryqëzojnë sytë dhe vetmia, bëjnë punën e tyre, në shumë drejtime – fizike dhe psikike), kërkon të më mbajë e të më thotë: kot sa lodhesh, fjala jote, nuk dëgjohet më! Mirëpo unë, nuk dua t’i bindem. Dhe nuk do t’i bindem.

(Përsërit: këmbëngulja ime, nuk është thjesht kokëfortësi. Nuk është as provë fajësie, siç përrallisin gjykatësit, për të qetësuar ndërgjegjet e tyre, duke predikuar si priftërinjtë, “pendesën kristiane”, tek unë, ajo, – këmbëngulja, rrjedh nga bindjet). Më ndjeni që detyrohem, t’u rikthehem disa çështjeve, por është e njohur kjo: ka raste, kur duhet kthyer në burimet fillestare, për të bërë rivlerësimin e atyre që rrodhën. Po e nis me disa gjëra të njohura edhe nga ju. – Kur isha ministër i Kulturës dhe i Arteve (e nisa që këtej pikërisht për të treguar si ka vepruar ajo- “proza e keqe”) as kam ditur, pra edhe as kam lejuar, të punohej e të përshtatej për në opera, ndonjë prej dramave të mia.

Kur më pyeti një herë për këtë shoku Manush (me sa duket, pas asaj mbledhjes së Byrosë Politike, ku kishit folur për këtë), i thashë thjesht; se nuk dija gjë. U interesova si qëndronte çështja, më rezultoi që dikush nga të baletit, kishte bërë një skicë-ide, për një libret baleti, mbështetur në dramën “Shtëpia në Bulevard”, por as ishte filluar ndonjë punë, e as qe diskutuar për të në këshillin artistik, siç janë rregullat. Pra diçka krejt personale e tij. Pse nga gjithë ky zell, për të sjellë me vrap gjëra të tilla?! E qartë: vepër e asaj- “prozës së keqe”, për të cilën fola më lart. Ja, kështu ka vepruar ajo, me mënyra si këto, e të paqena si kjo…! – Më 1969 (do të qëndroj pak këtu, se është jo vetëm një nga pikat kulmore të asaj -“prozës së keqe,” që zura në gojë, por edhe një element kyç, për atë- “enigmën”), ka ardhur te ju, një letër anonime me plot të paqena e trillime për mua, lidhur me çështjet e letërsisë dhe të arteve. Aty flitej edhe për Todi Lubonjën? Për atë me thirri shoku Ramiz, ishte i pranishëm edhe shoku Manush (ka qenë o qershor, o korrik), m’u tha ta lexoja. Derisa është anonime thashë unë, nuk e lexoj, as që merrem me të. Dhe nuk e lexova. Gjatë bisedës, m’i thanë disa gjëra’ nga përmbajtja e saj.

Unë e quajta atë letër, edhe si përmbajtje edhe si metodë, një intrigë të tipi bizantin’ e agjenturor. I zemëruar, kërkova të gjendej autori’ ose autorët e saj, ç’ka ishte e mundshme dhe duhej bërë. (Mendja më rrihte tek ai; “kor tinzar”’ i llojit aziatik, praninë e të cilit; e ndieja prej kohësh me ditë, herë këtu, e herë atje, por jo i konkretizuar). Hapur dhe shkoqur, e vura çështjen kështu, para tyre: me siguri prapa kësaj letre, dikush luan me qëllime të caktuara, është edhe hakmarrja – nga jugosllavët dhe sovjetikët, me njerëzit e tyre. Më qartë, nuk di si mund të flitej…! (I kisha njohur këto metoda, në 1946-‘47, shikoja se qenë më të holla dhe vazhdoja luftën kundër tyre. Kur ndodhën ato që ndodhën më 1973, kuptova shumë gjëra, mirëpo qe vonë. Ajo – “proza e keqe”, e kishte bërë punën, që i duhej me trillimet e saj. Me sa munda, ngrita zërin edhe për atë – “enigmën”, lojën e saj dhe hakmarrjen, por edhe për këtë që vonë, më vajti bosh.

Asnjëherë, as në ‘73-në, as në ‘75-76, gjatë procesit hetimor, as edhe më pas, e as sot, nuk kam pushuar së menduari për atë, kam bërë edhe thirrje, të gjurmohet në drejtim të saj. Fakte e ngjarje të reja, do dalin në dritë dhe jam i bindur se një ditë, do ta qartësojnë deri në fund, gjithçka. Por loja është gjetkë…! – Më 1973, kur shumë nga ato çështje (të asaj letre) nxorën kokën përsëri në forma, përmasa e rrugë të tjera, kuptova se nuk duhet ta kisha lënë me aq, derisa kisha gjithë ato dyshime, e lashë të mbyllej, pa i shkuar deri në fund. Tani e kam edhe më të qartë. Gjatë hetuesisë, iu ktheva kësaj çështjeje disa here, dhe kërkova të gjurmoja në drejtim të asaj letre. Por për çudinë time (dhe unë do ta them këtë, se nuk e mbaj dot), vura re që ata të hetuesisë, qenë në dijeni të saj, deri në hollësira (?!) dhe më e çuditshmja akoma qe, se merrja si përgjigje heshtjen, me ndonjë nënqeshje tallëse. Po kjo?! Ç’luan këtu…?!

Ç’kishte dhe ç’ka këtu?! E kam të vështirë ta them, me mend s’gjendet prej këtej. Prandaj edhe e quajta; “një nga pikat kulme” të asaj “prozës së keqe” dhe një element kyç, për atë- “enigmën”. Vijmë kështu te çështjet (këtu bëhet edhe lidhja e asaj – “prozës së keqe”, me atë – “enigmën”), që morën atë formë dhe ato përmasa, pas vitit 1973 – përgatiten arrestimin, u bënë bazë e procesit hetimor, me çuan në gjyq, sollën dënimin pa asnjë bazë ligjore dhe me hodhën këtu ku ndodhem. (Po, kam ankime për hetuesinë, ashtu edhe për gjyqin, për mënyrën si u zhvilluan, për pa ligjësitë me të cilat u veprua, për akt-akuzën, si u formula ajo nga hetuesia dhe për vendimin që mori trupi gjykues. Këtë ia kam thënë disa herë hetuesisë, e thashë në gjyq, po jua them edhe juve. Çuditem, edhe pse hetuesia, nuk u dal dhe nuk më vuri vesh, sa herë që i fola për atë “enigmën”, duke ua thënë hapur, se në mos sot, nesër, ose dikur, ajo do t’ju dale, andej nga s’e pritni. Edhe diçka tjetër: përse të gjitha këto i pritnin me të tallura?! Këtë pyetje, e kam bërë shpesh në atë kohë, e kam bërë më vonë, e bëj edhe tani:

Përse?! As thjesht nga ana profesionale, nuk justifikohet në qëndrim i tillë, përse, pra përse? E pra një shpjegim, duhet të ketë! Përfundimisht: – Që nuk janë të rastit, por ka një lidhje midis gjithë sa thashë, kjo del e qartë. Unë kaq arrij nga “e imja gropë”. – Që ka patur një shkallëzim në këtë punë dhe veç për të keq: në fillim, si dobësi pune (se nuk punoja, por merresha me dramat), pastaj, si mungesa e dobësi të figurës morale (se përkrahja lajkatarët e, kërkoja lavdira personale); më vonë, si dyshime (për çfarë pëlqeja e, çfarë jo në punët e partisë, ç’don të bëjë? Ku synon, etj.); në fund hapur për armiqësi (si antikombëtar dhe për lidhje, dreqi e di se ku, me jashtë, etj.) edhe kjo del qartë. – Qe fillimi e fundi i rrokullisjes, deri këtu ku ndodhem, lidhen me atë – “prozën e keqe”, e të tjerat, pra me “enigmën”, që shkallë – shkallë, mori përmasa të tilla, deri në tragjizëm, edhe për këtë, sa më shumë e mendoj, aq më shumë bindem.

Burrel, 1 shkurt 1981

Nga e dyta:

Më lejoni të ndalem tani, tek ajo që kam quajtur “enigmë”, për të cilën kam shkruar më parë, diçka më qartë, në letrën e 1 shkurtit 1981; tek “pro e keqe” dhe tek ai; “kor tinzar” e, “maskat që qeshin”. Mendoj se tani, mund të qartësohen më tej, sepse ndodhi që, nga ai mal thurjesh, planesh e punë të ndyra, u hodhën jo pak të paqena, e shkelma edhe në kurrizin tim. Mbase thonë diçka edhe këto. – Se në ç’batak qenë futur e sa thellë, autorët e tyre, këtë e tregon gjithë sa bëri dhe fundi që zgjodhi Mehmet Shehu, nga që nuk kishte ujë ta lante, qoftë edhe të gjithë lumenjtë e Shqipërisë, të marrë së bashku. Por fjalën e kam për “enigma”, për të cilën ngul këmbë. Ata synonin larg, kjo shihet. Unë isha një nga ato pengesa, që duhej qëruar. Kjo s’ishte as e re, as e rastit. Kishte ndodhur një herë në 1947, përsëritej. Konkretisht si, nuk e di, por kam menduar dhe mendoj, se kanë lidhje, se janë po ato hallka të zinxhirit, të atyre viteve të para të Çlirimit.

Vërtet më 1948, u rehabilitova…. por gjatë kohëve që rrodhën, më pas ndjeva – dhe jeta vërtetoi – se ata e të tjerë, që ecën në ato rrugë, jashtë e brenda vendit, nuk ma harruan, përkundrazi. Jo vetëm nga sa kishte ndodhur atëhere, por edhe më pas, edhe nga sa e si, më dinin, qenë bindur nga anoja. Dhe bënë ç’u erdhi përdore, për të më qëruar nga rruga. Pa hyrë në hollësira, për ata isha një objekt në vëzhgim, e përpunim të përhershëm dhe i tillë mbeta, deri në fund. Unë e kam ndjerë këtë, gjatë gjithë kohës, më shumë akoma nga mesi i viteve ’60-të e këtej, derisa ia arritën qëllimit, në 1973-ën, pas dy vjetëve edhe në burg. (Jam i bindur, deshën më shumë edhe kokën. Nuk arritën më 1977, do ta bënin me pas). Gjithë sa kanë ndodhur, e përforcojnë këtë.

Tani qartësohen, mendoj, edhe ato histori para e pas viteve 1968-‘69, me atë letrën anonime’ nga mesi i 1969-ës (për të cilën ju kam shkruar gjatë, në letrën e 1 shkurtit, 1991) e ca të tjera. Jo kot u shkrua dhe u dërgua ajo, pikërisht në këtë kohë. (Shoku Ramiz, është në dijeni të një sërë ndodhjeve, jo të zakonshme të atyre viteve: para, gjatë dhe pas Kongresit të II-të, të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, prandaj s’po zgjatem). Duhej turbulluar, njëheri edhe “pastruar”, në këtë front aq të ndjeshëm e delikat, për t’u hapur rrugë qëllimeve dhe atyre njerëzve që u duheshin, si dhe për t’u dhënë shkak zhurmave e tym-najave mashtruese, duke vënë në veprim legjenda e gracka policeske, që kanë në themel: intrigën, shpifjen, gjithçka të paqenë. Dhe kështu u veprua: të gjitha sa ndodhën, bëjnë pjesë në këto plane dhe u sajua nga njerëzit e saj, me “të dhëna”, të mbledhura e të servirura, përmes rrugëve jo të pastra, që shtrihen deri tek ata, që duke shpërdoruar detyrën, nuk bënin punën e tyre, por atë të “bandës”, e më gjerë (si kuptohet më qartë tani). Edhe shumë nga shfaqjet e kritikuara në letërsi e arte, u nxitën përmes këtyre rrugëve, që më pas të lëshonin alarmet dhe të merrnin pozat e “heronjve” të luftës, kundër tyre. Ja si ndërthuren gjërat. Jo, s’ka asgjë këtu, që të jetë produkt i fantazisë, nga ana ime. Mund të verifikohen…!

(Drejt bēhet pyetja, unë e kam bërë kaq herë me vete: ç’janë këto mënyra e mjete, që nuk i kuptoja në atë kohë?! – Këtu kishin një epërsi, ndaj partnerëve e viktimave të tyre. Duhej të kaloja në “shkollën” e hetuesisë, që t’i kuptoja, të njihesha me “rregullat e lojës”, siç thuhet. Me dhimbje detyrohem të pohoj, se sa pashë me sy, e dëgjova me veshë, pasi u arrestova, çdo gjë qe ndërtuar shtrembër, mbi bazën e një arsenali të njohur, nga manipulimet e policive dhe të hetuesive.

Më ndjeni për këtë analogji, por të shkon mendja (gjatë hetuesisë, sa më kujtoheshin nëpër tym, tani shpejt i lexova përsëri), te këto fjalë që i vë në gojën e një personazhi (gjeneralit Penter – trillues akuzash të paqena), Anatol Fransi, kur thotë: “Ai (i akuzuari), do të pohojë, duhet të pohojë. Patjetër, duhet ta detyroni të pohojë, i thoni se është në interes të tij. Jepini fjalën se, po të pohojë, do t’i bëjmë lehtësira, do t’ia ulim dënimin…! Përpiquni t’i ngjallni ndjenja të mira: le të pohojë nga patriotizmi, për flamurin, për hir të rendit shoqëror, për respektin, për hierarkinë…! “Po, të gjitha këto i përdorën, si edhe “shkresat e rreme”, nga goja e dëshmitarëve dhe “ekspertëve”, bashkë me sofizmën se; “vetë heshtja, është një provë fajësie”, duke përfunduar në trillimin e një akt-akuze, si ua deshi puna).

… E njohur kjo: vishu të tjerëve, atë që mendon e dëshiron vetë, pastaj bërtit; “kapeni hajdutin”! (kuptohet, jo të vërtetin, por atë që “unë”, e tregoj me gisht). Hajde Rikardër të Tretë, hajde! Shekspiri i madh, i qëndisi e i demaskoi shkëlqyeshëm, këta përbindësha. (Meqë më lart, fola kaq për vete, po vë edhe pyetjen: ç’kam qenë unë, në këto plane? Vetë edhe po përgjigjem: një kushdo, por “një” që rasti, ose jo vetëm rasti, e solli të jem një ushtar, ose oficer, në fushën e shahut, i cili duhej ngrënë, e nxjerrë jashtë loje, përpara se mund të thërritej me të madhe; “mat”! Kështu pat ndodhur, më 1947-të, kështu edhe në vitet ‘70-të. Megjithëse më shkaktoi kaq dhimbje, nuk qahem, kam kryer thjesht detyrën, atë që munda).

Këtu po e mbyll, duke u kthyer në vitin 1973. Në qoftë se në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qendror, atëhere mbajta atë qëndrim… që u quajt “jo autokritik” në atë kohë, kjo ndodhi sepse kisha bindjen, që po dënohesha jo për “gabimet”, për të cilat u fol, por për ato që nuk po thuheshin… edhe pse mendoja që nuk u duhej lëshuar rrugë, e nuk u duhej dhënë armë në duar kujtdo, me pohime të sugjeruara që kërkonin e kishin nevojë, të dala këto, jo nga e vërteta, por nga shtrëngimet, premtimet e mashtrimet. Po atë qëndrim mbaja (sigurisht duke manovruar me sa munda) edhe në hetuesi, me gjithë presionet e torturat (po kështu: torturat edhe psikike, edhe fizike) e gracka gjithfarëshe; po atë edhe në gjyq (duke perifrazuar nga hera, vetëm rreth sa ishin thënë në Plenumin e IV-ët, të Komitetit Qendror); po kështu edhe më pas, duke u përpjekur të zbuloj hap pas hapi, anët e errëta, ç’ka nxjerrin në dritë, zhvillimet e sotme dhe do të nxjerrin akoma. Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vërtetësia është vyrtyt: 13/10/2023 08:28

    Po edhe mund të ketë edhe të drejtë.Por përpara atij pleniumi ke qënë krijues,organizator,dfejtues dhe nuk të shkon për shtat të flasësh e shkruash ashtu.Ke që ë besnik dhe krahu iRamizit reformator si mos më keq e dorëzuat pushtetin për një cop bukë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)