Pesë anëtarët e PD-së të Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve kanë shkuar sot në Kuvendin e Shqipërisë për të marrë pjesë në mbledhjen e thirrur prej tyre me shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetit zv/kryeministres Belinda Balluku për t’i hapur rrugë arrestimit të saj. Kjo mbledhje për të 5-tën herë nuk është zhvilluar pasi 5 anëtarët e tjerë të PS-së nuk janë paraqitur. Në sallën ku zhvillohet mbledhja të parët kanë mbërritur deputetja Elda Hoti dhe Saimir Korreshi, por derën e kanë gjetur të kyçur.

Referuar rregullores së Kuvendit, mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve mblidhet dhe me kërkesën e gjysmës së anëtarëve, pra mjaftojnë 5 prej tyre për të mbledhur këshillin. Në deklaratën për shtyp, 5 anëtarët e PD-së të Këshillit dhe njëherë bënë fajtor për moszhvillimin e mbledhjes kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi, i cili sipas tyre nuk ka lajmëruar palët e tjera për tu paraqitur në mbledhje.

I pyetur nga gazetarët se përse nuk bëjnë publike provat e SPAK që përmban USB-ja e shpërndarë në mbledhjen e parë të Këshillit të Mandateve, kreu i grupit parlamentar të PD u përgjigj se një akt i tillë nuk do t’i shërbente aspak drejtësisë, por vetëm Ramës dhe Ballukut.

“Nuk besoj se ka nevojë për prova shtesë që të besojë që zv kryeministrja është e korruptuar, ka sjellë mjaft prova SPAK. Respekti ndaj ligjit mbron interesin publik. Nuk mund të pretendosh që je me drejtësinë kur do ta cenosh. Kërkesa për të ruajtur sekretin hetimor, është nga prokuroria e posaçme, nuk cenohet sepse hetimet vijojnë, do ishte në interesin e Edi Ramës që të zbulohej sekreti hetimor. Thirrja që anëtarët e këshillit të imunitetit të zbulojnë dosjen që përmban sekrete hetimore, është në interes të Ramës dhe ballukut për të prishur hetimet dhe për të penguar hetimin e plotë, të pengojë SPAK-un, nuk ka për të ndodhur kurrë.  Do të respektojmë kushtetutën dhe ligjin është e vetmja mënyrë për t’i shërbyer interesit publik”, tha Bardhi.

Ata theksuar se mbledhja cilësohet e vlefshme dhe me prezencën e 5 anëtarëve, por kjo mbledhje nuk është lejuar të zhvillohet sipas interesave personalë të kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku. E vetmja mbledhje e zhvilluar është ajo e datës 19 dhjetor, ku anëtarë të PD e PS dhe me prezencën e prokurorëve të posaçëm dhe avokatin mbrojtës të Ballukut, morën provat dhe kohën e nevojshme për tu njohur me rreth 16 mijë faqe të grumbulluara në USB.

Dy janë arsyet që 5 anëtarët e Partisë Socialiste nuk pranojnë zhvillimin e mbledhjes; avokatët e Ballukut kanë kërkuar 3 javë kohë për tu njohur me provat dhe për të përgatitur mbrojtjen dhe më e rëndësishmja, Gjykata Kushtetuese ende nuk është shprehur për çështjen e pezullimit të zv/kryeministres dhe ministres Belinda Balluku nga detyrat shtetërore.