‘Perëndimi i vesës’ i Shkëlzen Zallit, bashkëshortja: Dedikim! Liceu i Korçës në dokumente! ‘Ne jemi drita’, fitues i çmimit Europian të Letërsisë! ‘Shit ose të shitën’, si të kesh sukses në biznes e jetë!

Titulli: “Perëndimi i vesës"

Autor: Shkëlzen Zalli

Shtëpia Botuese: “Emal”

Çmimi: 800 lekë

Është një libër-dedikim për bashkëshorten, vëllimi poetik i Shkëlzen Zallit “Perëndimi i vesës”. Autori i dashur për fëmijë e botoi për herë të parë në vitin 2015. 4 vjet larg nga ndarja fizike, Vjollca kujdeset që të hapë shtigje të reja që vargjet e poetit të shkojnë drejt lexuesit, edhe jashtë Shqipërisë. Libri propozohet tanimë në shqip e italisht dhe në të,  siç thotë studiuesja dhe përkthyesja e botimit, Klara Kodra, “pasqyrohet një realitet kaotik, ku vlerat dhe kundërvlerat u lënë vendin njëra-tjetrës dhe hynë midis tyre në një konflikt, fitimtari i të cilit mbetet i paqartë”.

Titulli: “Shit ose të shitën”

Autor: Grant Cardone

Shtëpia Botuese: “Minerva”

Çmimi: 1300 lekë

Cilësohet si një manual drejt suksesit libri “Shit ose të shitën”. Autori Grant Cardone të udhëzon se si mund të arrish majat në karrierë duke kuptuar së pari rëndësinë e të shiturit, ide apo produkte, si parim thelbësor. Krijimi i besimit, komunikimi, disiplina, promovimi e një sërë këshillash të tjera, janë pika që autori i ka ndjekur së pari në aspektin profesional, por edhe atë personal. Sot Cardone është një sipërmarrës i suksesshëm, me një familje të lumtur, si dhe autor bestseller i vetëdijshëm që me “Shit ose të shitën” ka shkruar librin më të rëndësishëm për shitjen në pesëdhjetë vitet e fundit që ndihmon çdo person të bëjë realitet ëndrrat e tij.

Titulli: “Ne jemi drita”

Autore: Gerda Blees

Shtëpia Botuese: “Muza”

Çmimi: 1000 lekë

Një artikull gazete për vdekjen e një gruaje në Utrecht, do të ngjallte kërshërinë e shkrimtares Gerda Blees. Ajo nis të hetojë më shumë rreth ngjarjes, që do të frymëzonte edhe romanin e saj të parë “Ne jemi drita” (pas poezive dhe tregimeve), me të cilin në vitin 2021 shpallet fituese e Çmimit Europian të Letërsisë. Një libër i jashtëzakonshëm ku këndvështrimi narrativ ndryshon në çdo kapitull, i sjellë në shqip nga Irena Rama. Pasazhe prekëse, në atë që kritika e cilëson si prozë poetike, nga nata, si paralajmëruese e një ngjarje e dyshimtë ka ndodhur, deri në kapitullin përfundimtar, ku vetë drita merr përsipër rrëfimin.

Titulli: “Pak histori për liceun kombëtar të Korçës”

Autor: Viron Prodani

Shtëpia Botuese: “Intergrafika”

Nostalgjik për vendlindjen dhe i apasionuar pas historisë, autori Viron Prodani sjell në një botim Liceun Kombëtar të Korçës, nga profesorët te liceistët. Pas një panoramike të Korçës, ku më shumë se një gjysmë shekulli më parë, rrëmbente vala e dijes jo vetëm të rinjtë e këtij qyteti, por të gjithë vendit, shpaloset historiku i shkollës së parë të arsimit të mesëm të përgjithshëm në vendin tonë, që u çel mes 6 shkollave të tjera në këtë zonë. Kështu me francezin Vitali Gerson si drejtor të parë, 36 nxënës dhe 3 profesor shqiptarë, rrëfen të dokumentuara të dhëna pak të njohura për Liceun e Korçës, prej 1917-ës.

M.Q./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja