TIRANË- Ndërsa GJKKO ka nisur gjyqin për Fatmir Mediun lidhur me masakrën e Gërdecit dhe hetimet po vijojnë, ende pas 15 vitesh nuk ka drejtësi, ndërsa për herë të parë kërkohet edhe dëshmia e Shkëlzen Berishës. Deputeti socialist Petro Koçi, thotë se organet e drejtësisë duhet të marrin si provë procesverbalin e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur më 21 mars 2008 nga ish-presidenti Bamir Topi një javë pas tragjedisë së Gërdecit. Dëshmitë e të gjithë pjesëmarrësve do të ishin mjaft të vlefshme për gjykatën dhe hetimet në fazën e procesit gjyqësor ku ndodhen momentalisht.
"SPAK duhet ta marrë si provë, procesverbalin e mbledhjes. Nuk është materiali i vetëm që mbështet hetimi dhe gjykimi, por shërben për t’iu referuar provave të tjera që ka SPAK", tha Koçi.
Petro Koçi ka rrëfyer sot në Report Tv prapaskenat e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Petro Koçi ka qenë i pranishëm mes zyrtarëve më të lartë të shtetit në këtë mbledhje, në rolin e nënkryetarit të Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Petro Koçi tregon se çfarë ndodhi atë ditë në mbledhje dhe përpjekjet e ish-kryeministrit Sali Berisha për t’ia atribuuar shërbimeve të huaja atë masakër të tmerrshme që i mori jetën 26 personave të pafajshëm.
“Berisha bënte një përpjekje që gjithë këtë ngjarje t’ia aderonte shërbimeve të huaja. E quante veprim të shërbimeve të huaja. Nuk kishte ndonjë gjë konkrete, por kuptohet që ishte absurde që në një kohë aq të shkurtër të kishe nxjerrë aq konkluzione. Pra, kjo u vu re. Dukej që donte të shmangej nga përgjegjësia përkatëse që i takonte Ministrisë së Mbrojtjes”, tha Petro Koçi në Report Tv.
Petro Koçi thotë se të gjitha institucionet bënin ‘ping-pong’-un, duke u përpjekur që të hiqnin përgjegjësitë nga vetja. Pikërisht këto përpjekje, sipas Koçit tregojnë se zinxhiri shtetëror është përgjegjës i asaj tragjedie të madhe.
“Çdo institucion mundohej ta hiqte përgjegjësinë nga vetja. Ky ka qenë reagimi i gjithëve, secili fliste për përgjegjësit të tjerëve. Ishte më shumë një lloj formaliteti, se sa një mbledhje ku flisni zyrtarë të përkushtuar për të reflektuar mbi ngjarjen.
Ajo që të bënte çudi ishte përpjekja për t’ia kaluar përgjegjësinë dhe fajin shërbimeve të huaja. Kjo për mendimin tim është vërtetë një fakt i cili dëshmon se përgjegjësia është tek këta që mundohen ta devijojnë fajin tek dikush tjetër”, tha Koçi.
Koçi rrëfeu në studion e Report Tv edhe takimet që ka pasur me Kosta Trebickën, një ndër dëshmitarët kyç të Gërdecit, i cili më 12 shtator 2008, u gjet i vdekur në rrethana misterioze, në një fushë mbi Voskopojë. Koçi tregon se në takimet që ka pasur me Trebickën, ky i fundit i ka treguar që është takuar me Shkëlzen Berishën për të folur për çmimin e fishekëve.
“Mbaj mend që më thoshte se janë takuar për të folur për procesin, fishkët etj. Ai akuzonte pushtetin për ndërhyrje në një biznes, që sipas tij i takonte atij. Fliste edhe për çmimet gjërat, mesa mbaj mend. Ai akuzonte familjen Berisha. Kishte një lloj, cenim të interesit të vet, por mua të paktën për standardin tim të moralit politik më dukej e papranueshme që djali i një kryeministri të përfshihej në një lloj biznesi apo afere që kishte të bënte edhe me sigurinë. Më dukej edhe një gjë e çuditshme”, tha Koçi në Report Tv.
Sa i takon debatit mes ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxhës, Koçi tha se ky i fundit ka deklaruar se ushtria s’ka patur rol dhe nuk pranonte asnjë lloj përgjegjësie.
“Po ka patur një lloj bisede, ku të paktën pjesa ushtarake mundohej të mos pranonte asnjë lloj përgjegjësie. Njëri nga reagimet e mia ky ka qenë, se unë mendoja se përgjegjësia nuk duhej të ishte e përqendruar në një nivel”, tha Koçi.
Deputeti socialist thotë se duhet të ketë më shumë guxim nga drejtësia e re që të thërrasë dëshmitarë të rinj për Gërdecin, mes tyre edhe Sali Berishën.
“Berisha mungon, edhe ish-shefi i shtabit mungon. Unë besoj se ka vend për të guxuar për dëshmitarë të rinj. Deri dje drejtësia e ka pas të pamundur të prekte nivele të larta të politikës, konsideroheshin të frikshëm. Situata ka ndryshuar dukshëm. Nuk është tabu të thërrasësh Berishën në SPAK, pse jo për të filluar hetim nëse provat tregojnë se dikush është në faj”, u shpreh Koçi.
Çfarë u deklarua në mbledhje?
Në atë mbledhje, presidenti Topi kërkoi zbardhjen e fajtorëve dhe përgjegjësve me emër dhe mbimër, si dhe një hetim serioz, rigoroz dhe transparent për atë ngjarje të paprecendetë. I bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të zhvillojë hetime të pavarura nga politika dhe kërkoi që autoritetet përkatëse të marrin përgjegjësitë e veta politike dhe ligjore. Dëshmitë e të gjithë pjesëmarrësve do të ishin mjaft të vlefshme për gjykatën dhe hetimet në fazën e procesit gjyqësor ku ndodhen momentalisht.
Vite më vonë Bamir Topi pat treguar më vonë se në atë mbledhje ka pasur debat të fortë ku dukej qartë një mungesë e zbatimit të ligjit nga një pjesë e mirë e institucioneve që lidhen me informacionin dhe sigurisë. Madje, dyshohet prej kohësh që debati në atë mbledhje që shkaktoi edhe përplasje midis Fatmir Mediut dhe Shefit të Shtabit Luan Hoxha, ishte një nga shkaqet e krisjes midis Sali Berishës dhe Bamir Topit.
Kush mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë?
Në këtë mbledhje të drejtuar nga Presidenti Topi, kanë marrë pjesë anëtarët e Këshillit Kombëtar të Sigurisë: Kryetarja e Kuvendit, zj. Jozefina Topalli, Kryeministri, z. Sali Berisha, ish-Ministri i Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, Ministri i Brendshëm, z. Bujar Nishani, Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, z. Sokol Olldashi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtnant Luan Hoxha, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, z. Bahri Shaqiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Ahmet Prençi.
Deputeti socialist, Petro Koçi i ftuar në Report Tv ka folur mbi masakrën e Gërdecit, që i mori jetën 26 personave të pafajshëm, si edhe rrëfeu paraskenat e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, një javë pas atij ‘krimi shtetëror’. Teksa GJJKO ka kërkuar 71 dëshmitare në procesin gjyqësor ndaj Fatmir Mediut, deputeti Koçi thotë se drejtësia e re duhet të guxojë më shumë dhe të thërrasë edhe dëshmitarë të tjerë, mes tyre edhe Sali Berishën.
“Berisha mungon, edhe ish-shefi i shtabit mungon. Unë besoj se ka vend për të guxuar për dëshmitarë të rinj. Deri dje drejtësia e ka pas të pamundur të prekte nivele të larta të politikës, konsideroheshin të frikshëm. Situata ka ndryshuar dukshëm. Nuk është tabu të thërrasësh Berishën në SPAK, pse jo për të filluar hetim nëse provat tregojnë se dikush është në faj”, u shpreh Koçi.