Prapaskenat/ Agron Tufa u largua pas propozimit të dy ligjeve për dekomunistizimin e Institutit dhe heqjen e periudhës së luftës nga studimi 

Prapaskenat/ Agron Tufa u largua pas propozimit të dy ligjeve për dekomunistizimin e Institutit dhe heqjen e periudhës së luftës nga studimi 

Në fillim të muajit dhjetor të 2019, Agron Tufa dha dorëheqjen si drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK), u largua nga Shqipëria si dhe kërkoi azil politik në Zvicër, bashkë me familjen, me pretendimin se e kanë kërcënuar ish-komunistët, për shkak të angazhimit të tij në denoncimin e krimeve të regjimit dhe zbulimin e spiunëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Në 5 janar të këtij viti, Tufa, përmes një tjetër postimi, duke iu përgjigjur kryeministrit Edi Rama, foli edhe një herë për largimin e tij. Tufa shkroi se u përball me qentë e diktaturës dhe se nuk gjeti mbrojtje nga shteti. Por, krahas versionit të Tufës, ka edhe një të vërtetë tjetër. 

Agron Tufa ka dhënë dorëheqjen si drejtor i ISKPK dhe ka kërkuar azil në Zvicër pas propozimit të dy projektligjeve, të cilat konsistojnë në dekomunistizimin në radhë të parë të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, rritjen e transparencës si dhe mënyrën e miratimit të strukturës dhe buxhetit të institucionit. Nisma e fundit, për strukturën, organikën dhe buxheti të ISKPK, është propozuar nga dy deputetë vetëm një muaj para se Agron Tufa të jepte dorëheqjen. Në relacionin e projektligjit thuhet se “mosplotësimi i strukturës dhe organikes me numrin e punonjësve të planifikuar, ka sjellë që kjo pjesë e buxhetit të mbetet e parealizuar nga Instituti”. Por, një tjetër projektligj, edhe më i rëndësishëm, është propozuar në qershor të 2019 nga 10 deputetë për Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. 

Nisma e parë parashikon dekomunistizimin e punonjësve Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Konkretisht, sipas nismës, të gjithë punonjësit e Institutit, të cilët kishin mbushur moshën madhore përpara datës 8 dhjetor 1990, duhet të pajisshin me certifikatë sigurie nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Gjithashtu ata nuk duhet që të kishin qenë funksionarë të sistemit komunist, pjesëtarë të organeve të diktaturës komuniste apo bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, anëtar ose kandidat i PKSH-së a PPSH-së si dhe bashkëpunëtor të shërbimeve inteligjente të vendeve të Traktatit të Varshavës. Të dyja nismat janë në procedurë në Kuvend, pra nuk janë miratuar ende. Nëse Kuvendi do t’i miratojë, Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK) duhet të verifikohet për lidhjet të mundshme me ish-Sigurimin e Shtetit. 

Nisma e parë parashikon gjithashtu edhe heqjen e periudhës së luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare nga objekti i punës së Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Propozimi parashikon një ndarje mes regjimit komunist dhe periudhës së luftës. “Rrëgjimi komunist nuk mund të lidhet me periudhën e luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, luftë e cila u fitua me gjakun e mijëra dëshmoreve dhe siguroi pavarësinë e vendit. Vetëm pas përfundimit të LANÇ, Fronti Demokratik, ku ishin të përfshirë komunistët mori në dorë qeverisjen e vendit duke vendosur disa detyra, ndërmjet të cilave: eliminimi i kundërshtarëve politikë, qeverisja e re, hartimi i Kushtetutës, reforma ekonomike etj”, theksojnë deputetët propozues. 

Ky propozim u depozitua në Kuvend pasi Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmi, me në krye Agron Tufën, botoi një libër, duke bërë një listë me 265 emra si përgjegjës për krime lufte gjatë luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Në listë përfshiheshin drejtuesit kryesor të luftës, si komandantë e komisarë çetash, kompanish, batalionesh, brigadash etj. Por, sipas disa deputetëve dhe shoqatave të veteranëve të luftës, emrat e listuar si kriminelë lufte, ishin heronj dhe dëshmorë, pasi kishin luftuar me pushtuesin si dhe me kolaboracionistët.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja