Rruga e amortizuar ka nxjerrë në protestë banorët e zonës së Kalasë, në lagjen numër 4 të Pogradecit. Mbi 20 familje kërkojnë ndërhyrjen e Bashkisë për aksin që lidh rrugën kryesore me banesat e tyre.
"Shqetësimi ynë është rruga. Kemi bërë peticione në Bashki. Prej 30 vitesh këtu nuk hedhur një lopatë me dhe. Këtu turistët janë rrëzuar me motorrë. Para ca ditësh ndihmuam edhe një çift gjerman. Rruga është shumë e rrezikshmë në rast reshjesh.” tha Agim Buçuku
Sipas banorëve, gjendja e rrugës i pengon të afrojnë automjetet pranë shtëpive, ndërsa gjatë dimrit vështirësohet edhe lëvizja e këmbësorëve. Ata i janë drejtuar më herët Bashkisë me një peticion dhe thonë se, pavarësisht premtimeve për investim, ende nuk është ndërhyrë.
“Duam rrugën. Kemi 25 vjet që jetojmë këtu. Ka familje të tjera që kanë 35 vjet dhe nuk është marrë asnjë masë për sigurinë tonë. Qeveria nuk merr masa. Cdo thirrje e jona ka rënë në vesh të shurdhër” thotë Oligerta Biba
Aksi, rreth 1.5 kilometra i gjatë, të çon edhe drejt Kalasë së Pogradecit. Banorët tregojnë se kjo zonë historike tërheq turistë të huaj, por vështirësitë në qarkullim bëjnë që një pjesë e vizitorëve të mos arrijnë deri në majën e kodrës.
“Ne duam vetëm rrugën asgjë tjetër. Shtëpia ime rrezikon nga rrëshqitja. Duhet zgjidhje ndryshe do i vëmë shiritin. Të na i kthejnë taksat që kemi paguar në 30 vjet dhe do e bëjmë rrugën vetë. Janë vetëm 2 kazanë plehrash për 60 familje dhe pastrimi bëhet një herë në 3 ditë” tha Lorenc Hysenllari
Gjendjen e rëndon edhe erozioni, i shfaqur në disa pjesë të rrugës. Sipas banorëve, rrëshqitja e terrenit rrezikon banesat dhe mund të sjellë bllokimin e plotë të kalimit.
Në protestë ishte i pranishëm edhe Arbër Male, Anetar i Këshillit Bashkiak të Pogradecit, i cili kërkoi masa emergjente nga institucionet vendore. Ai bëri të ditur se, krahas peticionit, banorët kanë paraqitur vazhdimisht ankesa për infrastrukturën dhe administrimin e lagjes.
"I bashkohem zëri të banorëve sepse është problem real. Kjo lagje nuk merr shërbime. Uroj që ky apel të shkojë në vendin e duhur. I drejtohem kryetarit të Bashkisë që të mbajë premtimin për rrugën dhe sistemimin e ujrave” tha Male.
Familjet e kësaj zone kërkojnë që ankesat të marrin zgjidhje përmes një ndërhyrjeje që garanton kalimin e sigurt drejt banesave dhe aksesin në një prej pikave historike të qytetit.










Komente
Komento