TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim padinë e opozitës për refuzimin për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore Parlamentare, "Zgjedhjet e 11 Majit" dhe “Çështja McGonigal". Përfaqësuesi ligjor i opozitës, Marsh Logu tha para trupës gjykuese se dy kërkesat e opozitës i plotësonin 3 kriteret për ngritjen e një komisioni hetimor, duke renditur se çështjet ishin brenda funksionit legjislativ të Kuvendit, të fokusuara në një çështje konkrete dhe ekzistojnë fakte, të dhëna apo indicie që të justifikojnë hetimin.
“Është kërkuar ngritja e një komisioni për të verifikuar zbatimin e ligjit nga nëpunësit shqiptar në raportin që kanë pasur me ish agjentin amerikan Charles McGonigal. Vëmë në pah raportet që ka pasur Rama apo zyrtarë të tjerë me këtë agjent, kemi paraqitur të dhëna që justifikojnë nevojën e hetimit. Janë dokumente të prodhuara nga autoritetet e drejtësisë amerikane dhe shqiptare, të mjaftueshme për të justifikuar nevojën për hetim parlamentar.
Jemi fokusuar në kontrollim e zbatimit të ligjit nga organet e pushtetit vendor sa i përket përdorimit të burimeve shtetëror enë zgjedhjet parlamentare të 11 majit për nevoja elektorale. Çështje konkrete, si edhe kemi paraqitur raporte të ODHIR, të PE, KiE që kanë qenë në Shqipëri gjatë fushatës elektorale dhe kanë konstatuar një sërë shqetësimesh. Të dyja kërkesat plotësojnë 3 kushtet për ngritjen e një komisioni hetimor”, tha Logu në seancë.
Opozita pretendon se arsyeja e vërtetë e mosmiratimit të komisioneve hetimore ka të bëjë me qëndrimin politik të PS për të dëmtuar rolin e opozitës, për ta asgjësuar dhe për ta kthyer atë në fasadë. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi që ishte vetë i pranishëm në seancë, tha se ende nuk dinë nga shumica parlamentare se kush është argumenti për të rrëzuar kërkesën për ngritjen e dy komisioneve hetimore, veçse vullnetit politik për t’i mohuar opozitës kontrollin parlamentar.
“PS pretendon se kemi rënë dakord se objekti i hetimit s’ka qenë i plotë. E pavërtetë, në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve s’ka pasur pretendim lidhur me objektin e hetimit dhe as dakordësi për riformulim”, tha Marash Logu.
“Gjatë procesit parlamentar është vërejtur një fakt që nuk mohohet. Ne na thuhet tjetër arsye në konferencë, në seancë të tjera arsye. Në vijmë në kushtetuese, ku thuhen arsye të tjera, ndërkohë që kam një shkresë të kryetarit të Kuvendit që na thuhen arsye të tjera. Nuk e dimë prej tyre kush është arsyeja. Arsyeja është vullneti politik për t’i mohuar opozitës kontrollin parlamentar”, tha Gazment Bardhi.
Opozita akuzon kryeministrin Edi Rama për lidhje me ish-zyrtarin e FBI-së dhe takime private me Charles McGonigal dhe kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin McGonigal.
“McGonigal është sjellë nga një biznesmen për të bërë Pazar. Duhet të ndërhyjmë në ligj për të mos lejuar asnjë takim me asnjë zyrtar të huaj për çështje private të tyre”, theksoi Bardhi, ndërsa shtoi se të dy kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore janë çështje me interes publik.
“Janë dy çështje që kanë interes publik. Sjellja e një zyrtari me zyrtar të huaj është çështje e zbatimit të ligjit, sigurisë kombëtare, përftimeve apo barazisë në një fushë të caktuar, të kruhet kontroll si janë zyrtarët shqiptarë, nëse ka ose jo nevojë për ndërhyrje të caktuara”, tha Bardhi.
Teksa u mbajt seanca e hapur, kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi tha se bien poshtë edhe pretendimet se hetimi parlamentar rrezikon t’i mbivendoset drejtësisë, përsa kohë vetë ish kreu i SPAK, Altin Dumani, ka deklaruar se Kuvendi është i lirë të bëjë verifikimet e veta mbi çështje të caktuara.
“Në seancë neve na është thënë një gënjeshtër, s’janë paraqitur fakte, prova apo të dhëna të besueshme që tregojnë se autoritetet shqiptare kanë kryer veprime të paligjshme por kërkesa bazohet në pretendime politike dhe spekulime publike. Unë nuk e di që një hetim i DASH është spekulim politik, nuk e di që raporti i ODIHR është spekulim politik. A ka apo jo shkelje kjo është përgjegjësi e komisionit të verifikojë pasi të ngrihet. Paska të dhëna për të nisur hetim penal nga SPAK, por nuk paska të dhëna për të nisur një hetim parlamentar. Nuk shkon. Kryetari i Kuvendit thotë sa kohë çështja hetohet nga SPAK nuk ngremë dot komision hetimor. Gjykata ka thënë prokuroria ka punën e vet, kuvendi ka punën e vet. Është njësoj si të nisim hetim parlamentar dhe të detyrojmë prokurorinë të mos ushtrojë hetim penal. Është vullnet politik për të asgjësuar opozitën në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Bardhi.
Por, kuvendi përmes përfaqësuesit të vet, insiston se për rastin ish-agjentit të FB, McGonigal nuk mund të ngrihet një komision hetimor, përsa kohë çështja ka qenë objekt i drejtësisë në SHBA dhe se në vendin tonë nuk ekziston asnjë akt konkret administrativ mbi të cilin mund të hetohet.
"Për McGonigal bëhet fjalë për një hetim të huaj, nuk ka asnjë akt konkret administrative në Shqipëri, në çdo rast do ishte mbivendosje i drejtësisë", tha Bardhi.
Për rastin e komisionit hetimor të 11 majit, për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe vendor, përfaqësuesi i kuvendit tha se objekti I hetimit parlamentar që opozita kërkon, ishte shumë i gjerë.
"Mungojnë indiciet konkrete. Nuk është detyrë e maxhorancës të bëjë formulim alternativ", u shpreh Gazment Bici.
38 deputetë të opozitës i kërkojnë Kushtetueses të detyrojë kuvendin për ngritjen e dy komisioneve hetimore. Në pritje të vendimit të Gjykatës për padinë e saj, opozita paralajmëroi se në Kushtetuese do të dërgojë edhe refuzimin e ngritjes së komisioneve hetimore për IPARD dhe AKSHI-n.
Komente











