Kryeministri Edi Rama do të niset më 18 shkurt drejt SHBA-së me ftesë të Donald Trump për të marrë pjesë në takimin e Bordit të Paqes, i cili do të organizohet më 19 shkurt.

Opozita në bllok prej kohësh ka artikuluar akuzat se shefi i qeverisë nuk udhëton drejt SHBA-së, madje të njëjtin qëndrim e shfaqën edhe në Kuvend më 22 janar, kur në sy e pyetën Ramën se përse nuk shkoi në Uashington krah Vjosa Osmanit.

Por, tashmë që shefi i qeverisë po shkon drejt SHBA-së, Berisha duket se i ka “gëlltitur” akuzat dhe ndryshoi qëndrim duke thënë se “biletën” për të takuar Trump, Edi Ramës ia preu Shqipëria si anëtare e Bordit të Paqes. Në dalje të SPAK ku u paraqit në zbatim të masës detyrim paraqitjeje, Berisha tha se Rama shkon në SHBA si hajdut dhe do kthehet si hajdut.

“Në Uashington është takimi i Bordit të Paqes ku Shqipëria është anëtare. Pra, në Uashington shkon Shqipëria si anëtare bordi.Tani është si të thuash pse shkoi në OKB. OKB është organizatë ndërkombëtare. Edhe kjo është një organizatë e konceptuar në ngjashmëri me OKB-në. Dhe aty do të shkojë, po kjo nuk do të thotë se bëhet më pak hajdut. Përkundrazi shkon hajdut, kthehet hajdut dhe e pret populli opozitar”, tha Berisha.

Këto qëndrime të opozitës i ironizoi edhe vetë kryeministri Edi Rama një ditë më parë në podcastin “Flasim”.

"Më ka ardhur këtë javë ftesa nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim për atë që e kam paralajmëruar, kur ajo tufa e bombave artizanale, plaste dhe kërciste edhe në sallën e Kuvendit, me gjithfarëlloj pretendimesh që sot i nxjerrin përsëri qesharakë, duke thënë se unë nuk shkoj dot, se mua s'më kanë ftuar,se,se,se…", tha Rama. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:05
PD s’do votojë draftin që ndalon gjykatat të pezullojë ministrat, Berisha: Me këto ndryshime ligjore na mbyllet dera e integrimit

Partia Demokratike nuk do t’i votojë ndryshimet e ligjore të propozuara nga socialistët, përmes së cilave synohet që gjykatat të mos lejohen më të pezullojnë ministrat apo postet e tjera kushtetuese. Në dalje të SPAK ku u paraqit për masën detyrim paraqitje, kreu i PD, Sali Berisha tha se këto ndryshime i mbyllin vendit tonë derën e integrimit në BE.

“Kurrën e kurrës. Ai është nen që prek të ardhmen e çdo shqiptari. Ai është nen që dënon çdo qytetar shqiptar me mbylljen e dyerve të integrimit. Ne jo vetëm që nuk do e votojmë, por do e kundërshtojmë atë në mënyrën më të fuqishme. Dhe 20 shkurti do jetë dita e kryengritjes së madhe kundër korrupsionit. Do jetë dita e kryengritjes së madhe kundër narkodiktatorit, kundër organizatës kriminale dhe kreut të saj”, tha Berisha.

Berisha akuzoi socialistët se këto ndryshime ligjore po i bëjnë për t’u mbrojtur nga drejtësia.

“Në sytë e botës, Edi Rama u thotë shqiptarëve se personalisht ai dhe organizata e tij kriminale dhe ministrat, qëndrojnë mbi ligjin, qëndrojnë mbi çdo gjë tjetër në këtë vend dhe nuk mund të hetohen. U kemi vjedhur dhe do u vjedhim. Ky është morali, e vërteta e këtij amendamenti që ata paraqesin sot”, tha Berisha.