TIRANË- Deputeti socialist Adnor Shameti, njëherazi anëtar i Komisionit Hetimor për kreun e shtetit deklaroi se në studion e emisionit '45 Minuta' me gazetarin Denis Minga se mazhoranca do ta çojë deri në fund procedurën për shkarkimin e Metës. Shameti tha se raporti i publikuar ditën e sotme nga Komisioni i Venecias nuk është përfundimtar, por megjithatë ai pranon tejkalimin e kompetencave, që rrjedhimisht përkthehet në shkelje të kushtetutës. Ai tha se Komisioni Hetimor do të vazhdojë punën, ndërsa më pas procedura do të finalizohet në Gjykatën Kushtetuese e cila sipas tij do të jetë funksionale brenda këtij viti.
"Dua të shpreh vlerësimin më të madh për të dy raportet e Komisionit të Venecias. Raporti i sotëm është për t'u përshëndetur. Thelbi i opinionit është se Meta i ka tejkaluar kompetencat, që në vetvete është shkelje e kushtetutës. Raporti është një material shumë i gjerë dhe i kompletuar që nuk mund të përmblidhet në dy fjali. Në këtë opinion del qartë se Meta vendosi anulimin e zgjedhjeve në kundërshtim me kodin zgjedhor dhe kushtetutën. Raporti përfundimtar do ta marrin ditën e hënë, pasi ajo e sotmja i ngjan më shumë një komunikimi për shtyp. Në thelb komisioni i Venecias thotë se edhe pse presidenti ka tejkaluar kompetencat pa bazë ligjore mund të arrihet në konkluzionin se nuk mjaftojnë për të shkarkuar presidentin. Por aty thuhet se i takon gjykatës Kushtetuese të vendosë nëse anulimi i zgjedhjeve shkel kushtetutën.
Me këtë vendim ne nuk ka ngelet gjë tjetër të caktojmë një seancë të veçantë të komisionit hetimor për të bërë përmbylljen proceduriale. Ne do ta çojmë deri në fund nismën për shkarkimin e kreut të shtetit. Vendimmarrja ashtu si Komisioni i Venecias, janë të natyrë politike dhe ligjore, ndërsa Gjykata Kushtetues ndërmerr vetëm vendime ligjore. komisioni i Venecias thotë qartë se i takon Kuvendit të vlerësojë nëse veprimet e kreut të shtetit janë të një natyre të rëndë. Ne kemi miratuar një rezolutë që çoi në ngritjen e Komisionit Hetimor dhe kjo mbështetje nënkupton se do kemi votat e nevojshme për shkarkimin e presidentit të Republikës", tha Shameti.
Shameti tha se Komisioni Hetimor do të vazhdojë punën, ndërsa më pas procedura do të finalizohet në Gjykatën Kushtetuese e cila sipas tij do të jetë funksionale brenda këtij viti.
"Duhet të kemi Gjykatë Kushtetuese, ku 5 prej tyre të votojnë për shkarkimin e presidentit. Ne do të bëjmë atë që na takon ne si Kuvend, pastaj ngritja e Gjykatës Kushtetuese është procedurë. Brenda këtij viti Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale operative. Që të çelet seanca duhet të jenë të pranishëm 2/3 e anëtarëve", deklaroi Shameti.
Komisioni i Venecias miratoi sot raportin përfundimtar duke deklaruar se Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta kapërceu kufijtë ligjor me anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, por kjo nuk mjafton për ta cilësuar si shkelje të rëndë dhe për ta shkarkuar nga detyrë, konluzion
Ndërsa pak ditë më parë, Komisioni i Venecias doli me një draft-opinion paraprak, ku shkruhej se kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën me shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, megjithatë theksohej se vendimi për ta shkarkuar i takon Kuvendit dhe më tej e Gjykatës Kushtetuese.
Përmes një letre Meta i kërkoi presidentit të Komisionit të Venecias Giani Buquicchio, të reflektojë mbi projekt-opinionin ku thuhet se presidenti i Republikës ka shkelur kushtetutën, duke thënë se kjo mund të ndikojë negativisht në zgjidhjen e krizës në vend.