Shqipëria vijon të ketë turistë ‘të lirë’! Të ardhurat në janar-mars nga turizmi arritën 788 mln euro, por një i huaj shpenzoi më pak se vjet

Ekonomia vijon të fitojë miliona euro nga industria e turizmit. Rreth 1.5 milionë të huaj që erdhën në vend në Shqipëri nga janari në muajin mars kanë shpenzuar në vend 788 milionë euro, nga 624 milionë euro që ishte vlera në janar-mars 2023. Kurse 1.7 milionë shqiptarët që udhëtuan jashtë kanë shpenzuar në shtetet e huaja 521 milionë euro, me rritje në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar kur u shpenzuan 435 milionë euro.

Banka e Shqipërisë thotë se- “Shërbimet e udhëtimit kanë zgjeruar balancën pozitive në +267 milionë euro, kundrejt nivelit +189 milionë euro, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të ardhurat dhe shpenzimet nga shërbimet e udhëtimit u rritën respektivisht me rreth 26% dhe 20%, në terma vjetorë. Kjo ecuri është diktuar, kryesisht, nga rritja e numrit të udhëtarëve”. Sipas të dhënave të INSTAT, në tre muajit e parë të këtij viti në vendin tonë kanë hyrë 1,535,113 të huaj nga 1.070.564 të huaj që erdhën vjet në të njëjtën periudhë.

Nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se çdo turist i ardhur në vend ka shpenzuar 513 euro për qëndrimin këtu. Vihet re një ulje e shpenzimeve në raport me vitin e kaluar, pasi rezulton që vjet një i huaj në tremujorin e parë të vitit ka shpenzuar në Shqipëri mesatarisht 582 euro. Ndërkohë kanë dalë jashtë vendit nga janari në mars 1.755.965 shqiptar nga 1.394.250 shqiptar që udhëtuan në tremujorin e parë të vitit të shkuar. Pra çdo shqiptar ka shpenzuar jashtë vendit mesatarisht 296 euro.

Të ardhurat nga sektori i turizmit këtë vit pritet të regjistrojnë rekord të ri në raport me vitin e kaluar, për shkak edhe të fluksit në rritje të turistëve. Por sipas ekspertëve të fushës, të ardhurat që gjeneron kjo industri nuk pasqyrohen plotësisht nëpër bilance për shkak të informalitetit që ekziston nëpër strukturat akomoduese që ushtrojnë aktivitet dhe të paregjistruara. Ndërkohë vetëm vitin e kaluar ekonomia e vendit përfitoi 4.1 miliardë euro vetëm nga sektori i turizmit, pasi vendi u vizitua nga mbi 10.1 milionë turistë të huaj. Në vitin 2023, në vend u shpenzuan 1.3 miliardë euro më shumë se vitin 2022.

Të ardhurat do të ishin edhe më të larta nëse sektori i turizmit në vend do të ishte i formalizuar, duke marrë në konsideratë faktin se me mijëra struktura akomoduese vjet ushtruan aktivitetin në mënyrë të paligjshme pasi ishin të pa regjistruara dhe s’kishin certifikim, duke bërë që fitimet reale të ekonomisë të jenë të cunguara dhe më të ulëta.

Për të formalizuar sektorin në fuqi ka hyrë edhe ligji i ri për turizmin që do të plotësohet edhe me aktet nënligjore, i cili parashikon vendosjen e një reference hoteleve për kapacitetin minimal të shfrytëzimit të tyre, kjo si një masë për të reduktuar nën deklarimin e numrit të pushuesve. Po ashtu të gjitha strukturat akomoduese duhet të regjistrojnë në regjistrin elektronik të klientëve të dhënat mbi netët e qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën, me synim pasjen e një panorame të plotë mbi turizmin në vend.

Ndryshimet ligjore parashikojnë po ashtu që çdo subjekt që lëshon me qira për qëllime turistike dhomë, shtëpi, vilë apo apartament edhe pse nuk e ka detyrimin të regjistrohet në QKB, duhet të marrë certifikatën e kategorizimit në Ministrinë e Turizmit.

K.T./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Super: 10/06/2024 12:59

    Me mire pak sesa hiq.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Gjykata e Apelit i jep vulën e PD-së Berishës, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Duka në ‘Repolitix: Në 2025 PAA në zgjedhje, por ju unë si deputet

Duka në ‘Repolitix: Në 2025 PAA në zgjedhje, por ju unë si deputet