Nuk vuante nga sëmundje shoqëruese, COVID-i i merr jetën 62-vjeçarit, sot 33 raste, rriten të shtruarit, Shëndetësia po vlerëson rihapjen e spitalit të dytë COVID

TIRANE-Një 62-vjeçar nga kryeqyteti ndërroi jetë ditën e sotme te Infektivi duke humbur luftën me koronavirusin. 62-vjeçari është viktima e parë nga COVID pa asnjë sëmundje shoqëruese. Rreth dy javë pas shtrimit në spital, pas 10 ditësh në terapi intensive, i intubuar, pacienti nga Tirana humbi jetën nga COVID19, pavarësisht se nuk vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese. Nga fillimi i epidemisë, 45 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19.

Në 24 orët e fundit janë shënuar 38 raste të reja më pak se ditën e djeshme. Ministria e Shëndetësisë deklaroi se ditën e sotme janë regjistruar 33 të infektuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 239 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 33 raste pozitive, kryesisht raste të reja ne proces hetimi si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive. Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është: 23 të prekur në Tiranë, 8 në Shkodër dhe nga 1 rast në Pogradec dhe Kamëz. Por vijon të ketë shtrime të reja te qytetarëve që kanë nevojë për trajtim spitalor si pasojë e Covid19.

Pas 62-vjeçarit që ndërroi jetë, aktualisht në shërbimin infektiv po trajtohen 81 pacientë, teksa dje ishin 78. Sot u thye edhe rekordi i shtrimeve që ishte regjistruar në 2 prill me 81 të prekur në këtë spital. 10 prej të shtruarve janë në terapi intensive. Kapaciteti i Infektivit është 120 vende. Por duke parë situatën e krijuar me numrat e të shtruarve që vijnë cdo ditë në rritje, burime për Report Tv pohojnë ministria e Shëndetësisë po merr në konsideratë vendimin për rihapjen e një tjetër spitali COVID.

Mbetet pë t'u parë nëse do të jetë sërish Sanatoriumi i njohur si COVID-2, ish-Urgjenca Kirurgjikale, i ashtuquajtur më parë si COVID-3, apo spitali karantinë në autostradë me kapacitet 100 shtretër, por që është menduar për pacientët që dalin nga Infektivi negativë, pra që e kanë fituar betejën me COVID-in, por të trajtohen për pasojat e tjera.

Në vendin tonë janë aktualisht 791 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 25 qytetarë, duke e çuar në 1159 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Ministria e Shëndetësisë përsëriti edhe njëherë apelin për qytetarët për të respektuar masat. "Gjatë javës që lamë pas kemi pasur një trend të rritur të rasteve të konfirmuara pozitiv, zgjerim të fashës së moshës së prekur me simptoma të shprehura, shtim të rasteve të hospitalizuara, por kemi pasur edhe humbje jete.

Kjo situatë ka reflektuar faktin që kemi ende ndërgjegjësim të ulët për respektimin e masave, por dhe prezencë të virusit me të njejtin nivel trasmetueshmërie. Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve, të tregojnë kujdes në ambientet e punës, aty ku ofrohen shërbime dhe në çdo ambient publik, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangni kontaktet dhe vendosni maskat kur nuk është e mundur të ruhet distanca.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim qytetarët, që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: për të ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, për të ruajtur higjienën personale dhe për të mbajtur maskat kudo ku nuk respektohet dot distanca. Bizneset të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.

Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve. Shmangni çdo lloj grumbullimi, pasi janë rrezik për përhapjen e infeksionit. Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, kurse të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet me qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë nëpërmjet telefonit me mjekun e familjes për barnat me rimbursim. Telefoni në linjën e gjelbër 0800 40 40 me mjekun tuaj të familjes, për këshillim psikologjik apo informacion për Covid19. Nëse keni shenja klinike, nëse dyshoni se jeni i prekur me Covid19, eshte e rendesishme te qendroni te izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127" mbyllet apeli.

COVID-19 – Statistika (22 Qershor 2020)
Testime totale                         23692
Raste pozitive                         1995
Raste të shëruara                   1159
Raste Aktive                            792
Humbje jete                              44 (Qarku Tiranë 24, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë                  366
Durrës                 150
Shkodër               133
Vlorë                     54
Fier                       37
Korçë                   18
Lezhë                   14
Elbasan                10
Kukës                    8
Gjirokastër            1
Berat                     1

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:33
Ndërron jetë pacienti 62-vjeçar te Infektivi pa asnjë sëmundje, shkon në 45 numri i viktimave nga COVID

Rreth dy javë pas shtrimit në spital, pas 10 ditësh në terapi intensive, i intubuar, një 62 vjeçar nga Tirana ka humbur jetën nga COVID19, megjithë përpjekjet e mjekëve, terapisë medikamentoze intensive, pavarësisht se nuk vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese. Nga fillimi i epidemisë, 45 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19. Aktualisht janë të shtruar mbi 80 pacientë në shërbimin infektiv dhe janë mbi 790 raste aktive me COVID19 në vend.

Ora 15:17
Dy mësues të gjimnazit në Tiranë me COVID, dyshohet edhe një mjek te poliklinika nr. 1 në Tiranë

Sot u regjistruan 23 të infektuar me COVID në Tiranë. Report Tv mëson se mes tyre janë 2 mësuese të gjimnazit 'Sami Frashëri'. Mësueset nuk kanë qenë pjesë e stafit monitorues të provimeve të maturës shtetërore. Dyshohet se i prekur me COVID është një mjek te Klinika e Specialiteteve nr.1 në Tiranë.

Ora 13:10
Rast i ri në Pogradec, pjesëtari i stafit të konsultores që u mbyll u infektua në Tiranë

Në Pogradec sot është shënuar një tjetër rast me COVID, që lidhet me vatrën e infeksionit te konsultorja e fëmijëve që u mbyll tre ditë më parë. Report Tv mëson se një prej pjesëtarëve të konsultores ka qenë në Tiranë pak ditë më parë ku është infektuar duke përhapur më pas COVD-in në pjesën tjetër të stafit. Ndërkohë që në Korçë janë 10 raste aktivë, mes tyre 3 në fshatra.

Ora 13:09
Mbyllet fasoneria në Vlorë, punëtorët në protestë: Do bashkëjetojmë me virusin, nuk do të vdesim për bukë

Një fasoneri është mbyllur në Vlorë nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, pasi disa ditë më parë 5 punonjës rezultuan pozitivë me COVID-19. Fasoneria është cilësuar si vatër, pasi në ditët e fundit janë regjistruar disa raste, edhe në fundjavë kur ishte mbyllur, prandaj sot nuk është lejuar që të hapet. 

Punëtoret e fasonerisë në Vlorë kanë protestuar para Prefekturës, pasi fabrika u mbyll për shkak të shtimit të rasteve me covid-19. Ato kërkojnë rikthimin në punë ose pagesë për kohën që do qëndrojnë të pezulluara. Fasoneria u mbyll sot nga ISSH pasi 5 punonjëse dolën me covid-19, ndërsa vetë punëtorët thonë se nuk kanë frikë nga virusi.

Ora 10:10
Lajmi i mirë/ Durrësi dhe Kruja asnjë të prekur me COVID në 24 orët e fundit

Pas një kohe të gjatë, Durrësi dhe Kruja nuk kanë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit asnjë rast me COVID-19. Gazetarët e Report Tv në rrethe, Artur Korriku dhe Julian Shota raportojnë se në 24 orët e fundit, pas testeve të kryera nuk ka rezultuar pozitiv asnjë qytetar.

Durrësi dhe Kruja janë dy qytetet më të prekura nga COVID-19, me këtë të fundit që vatra më e madhe ka qenë në bizneset fason, e ndërsa në qytetin bregdetar u regjistrua viktima e parë.  

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Edo: 22/06/2020 12:20

    Nuk Munden te imagjinoj qe kjo situata eshte gati per te dal jashte Kontrollit kete jave, brenda nje jave kemi plotesuar vendet ne Spital, edhe nje jave tjeter edhe sdo te kete me vend. Te huaj cdo dite bejn kancelimin e dhoma e te prenotuara edhe argument eshte qe ne shqiperi riten cdo dite raste. Edi Rama bej dicka sepse do tremben te hauj edhe nuk do vijn per pushime, iku edhe leku keshtu

    Përgjigju
  • Loran: 22/06/2020 11:54

    O shtet legen po keni ul testimet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?