Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka deklaruar mbështetjen e Shqipërisë "përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit të SHBA-së në veprimet e tyre vendimtare kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës", duke shënuar reagimin e parë zyrtar të shtetit shqiptar për sulmet ushtarake të Uashingtonit në vendin e Amerikës Latine dhe kapjen e presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, të cilët do të gjykohen në New York për trafik droge, terrorizëm dhe trafik armësh. 

"Ne mbështesim lidershipin e fortë të Sekretarit të Shtetit Rubio në përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale", thekson Spiropali.

Ministrja shtoi se "si një aleat i palëkundur i SHBA-së dhe anëtar i NATO-s, Shqipëria qëndron krah për krah me lidershipin amerikan në mbrojtje të parimeve demokratike dhe sigurisë globale."

Postimi i Spiropalit në X:

Shqipëria qëndron pa mëdyshje përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit të SHBA-së në veprimet e tyre vendimtare kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës.

Ne mbështesim lidershipin e fortë të Sekretarit të Shtetit Rubio në përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale.

Populli venezuelian ka një të drejtë të pamohueshme për liri, demokraci dhe sundim të ligjit dhe bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të heshtë përballë shtypjes dhe frikës.

Si një aleat i palëkundur i SHBA-së dhe anëtar i NATO-s, Shqipëria qëndron krah për krah me lidershipin amerikan në mbrojtje të parimeve demokratike dhe sigurisë globale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:23
Sulmi amerikan në Venezuelë: Bardhi: Narkoregjimi i Maduros mori goditjen e merituar. Bota është më mirë falë SHBA!

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar sot në Facebook, duke përshëndetur operacionin amerikan në Venezuelë që çoi në kapjen e Nicolas Maduros dhe bashkëshortes së tij.

“Bota sot është më mirë se dje!  Si gjithmonë falë SHBA-së!  Narkoregjimi i Maduros mori sot goditjen e merituar, dhe sikurse paralajmëroi Presidenti Trump fatin e tij do të ketë çdo regjim i ngjashëm, që mban pushtet përmes karteleve të drogës për të shtypur e varfëruar qytetarët e tij.  Pushteti është mjeti për ti shërbyer qytetarëve, jo për të ndërtuar perandori të rreme për veten, që shembet vetëm në një sekond.  Mesazhi është i qartë dhe domethënës për këdo ka veshë të dëgjojë, edhe pse këto orë nuk kishte gojë për të folur!” u shpreh Bardhi.

Ora 19:16
Arrestimi i Maduros, Petro Koçi: Kapja dhe deportimi i tij, ditë zie për të gjithë të shpallurit non grata nga SHBA

1766581741_petrokoci.jpg

Ish-deputeti i PS, Petro Koçi ka reaguar lidhur me kapjen dhe deportimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro, duke e cilësuar këtë si një “ditë zie” për të gjithë personat e shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshi edhe ata të Shqipërisë.

"Kapja dhe deportimi i Maduros si përgjegjës për bashkëpunim me organizata të trafikut ndërkombëtar të drogës, për minim të demokracisë etj përbën një ditë zie për gjithë Non Gratat në botë, përfshi edhe ata që i përkasin Shqipërisë. Vrapi hipokrit i Non Gratës dhe i mbështetësve të tij për të përshëndetur aksionin amerikan nuk është varkë shpëtimi për të dhe fraksionin politik të cilit i përket.

Ndërkohë çdo përpjekje për të krahasuar Venezuelën me Shqipërinë mbetet një investim qartazi antishqiptar dhe antikombëtar. Maduro është nga të rrallët drejtues shteti që kanë akuzuar shqiptarët për protagonizëm në rrjetet ndërkombëtare të drogës dhe i vetmi politikan shqiptar që ka folur në të njëjtën valë me të ka qenë kreu dhe kolegu Non Grata i opozitës Sali Berisha. Maduro nuk ishte Grata, por një Non Grata! Një opozitë që bën sikur harron nuk është naive. Thjesht gënjen veten. Një parti që gënjen veten nuk ka kurrë të ardhme’, shkruan Koçi.

Ora 14:41
Presidentja Vjosa Osmani: Mbështesim veprimet e SHBA kundër regjimit të Venezuelës, Trump po mbron botën nga krimi i organizuar

1767448164_015.jpg

Vjosa Osmani dhe Donald Trump

Ashtu si kryeministri Albin Kurti, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar mbështetje të plotë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sulmin e ndërmarrë në Venezuelë, dhe kapjen e presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores.

Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:

Kosova qëndron fuqishëm krah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Donald Trump në mbështetje të veprimeve të tyre kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës.

Presidenti Trump qëndroi në krah të popullit të Venezuelës dhe u përball me shtetin narko të Madurós — duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelet dhe krimi i organizuar. Kjo është ajo se si duket forca dhe udhëheqja amerikane.

Populli i Venezuelës meriton liri, demokraci dhe një të ardhme të qeverisur nga ligji, jo nga frika. Narko-terrorizmi dhe sundimi autoritar kërcënojnë paqen shumë përtej kufijve kombëtarë.

Kosova e kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane — çlirimi ynë është vetë dëshmi e saj. Në një moment kur SHBA-të po përballen me tiraninë në Venezuelë, të gjithë duhet ta forcojmë këtë qëndrim, sepse komuniteti transatlantik është më i fortë kur është i bashkuar pas udhëheqjes amerikane dhe vlerave të përbashkëta. Kur Amerika udhëheq, ne qëndrojmë me krenari së bashku — sepse liria jonë e përbashkët varet prej saj.

Ora 14:19
Albin Kurti mbështet sulmin e Trump në Venezuelë dhe kapjen e Maduros: Të mbahen përgjegjës shtetarët e përfshirë në trafik droge

1766932870_albinkurti.avif

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mbështetjen e tij për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në sulmin ushtarak të ndërmarrë në Venezuelë, dhe kapjen e presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores. 

Postimi i plotë i Albin Kurtit: 

Republika e Kosovës mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, në Venezuelë. Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie.

Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë.

Në këtë kontekst, ritheksojmë nevojën për rritjen e vëmendjes ndaj aktorëve të caktuar rajonalë, të cilët në vazhdimësi synojnë provokimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake.

Ora 12:07
Sulmi i SHBA në Venezuelë, reagon Salianji: Shpresë për një agim të ri në Shqipëri!

Demokrati Ervin Salianji ka reaguar në Facebook lidhur me zhvillimet e fundit në Venezuelë, duke i cilësuar ato si një shpresë për ndryshim edhe në Shqipëri.

Në një postim në rrjetet sociale, Salianji shkruan se ngjarjet në Venezuelë tregojnë se, sipas tij, regjimet që mbahen me krim, korrupsion dhe shtypje janë të përkohshme dhe se, kur drejtësia ndërkombëtare lëviz, asnjë pushtet i ndërtuar mbi frikën nuk është i sigurt.

'Një agim i ri për Venezuelën, një shpresë e madhe për agim të ri në Shqipëri Për ata që thonë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë instrumente për të ndryshuar regjime kriminale, mjafton t’i hedhin një sy gangsterit të Venezuelës. Regjimet që mbahen me krim, korrupsion dhe shtypje mund të duken të forta, por janë të përkohshme.Kur drejtësia ndërkombëtare lëviz, asnjë pushtet i ndërtuar mbi frikën nuk është i sigurt.Edhe në Shqipëri, kush mendon se pushteti i mbështetur te bandat, manipulimi dhe kapja e institucioneve është i përjetshëm, gabon rëndë.Historia e regjimeve kriminale ka një fund të përbashkët: shembjen!', shkruan Salianji

Salianji është pjesë e një lëvizjeje të brendshme në Partinë Demokratike, së bashku me disa demokratë të tjerë, të cilët kanë kërkuar përmirësim të mënyrës sesi funksionon Partia Demokratike dhe rienergjizimin e kësaj force politike në opozitë prej vitit 2013 .