Panikun më të madh nga lëkundjet e forta të tërmetit e kanë përjetuar qytetarët e Durrësit, ku ishte edhe epiqendra e tërmetit dhe lëkundjeve të vazhdueshme. 185 banesa në Durrës janë dëmtuar duke lënë shumë prej qytetarëve në qiell të hapur, ndërsa 5 pallate kanë pësuar krisje. Kryeministri Edi Rama zhvendosi qeverinë, ministrat, deputetët dhe kryetarët e bashkive në Durrës, ndërsa të zgjedhurit në Tiranë dhe Elbasan i la në zonat e tyre për të komunikuar po ashtu me qytetarët e prekur.
Kryeministri të prekurit nga tërmeti i çoi me pushime të detyruara në konvaleshenca, ndërsa kërkoi që të vendosen psikologë në dispozicion të familjeve që janë frikësuar nga lëkundjet e tërmetit. Ai i qetësoi duke thënë se cdo dëm do të evidentohet dhe dëmshpërblehet. Kryeministri u kërkoi prefektëve që të bëjnë në mënyrë korrekte punën e tyre, në mënyrë që të mos kishte spekulime për punën nga spekulantë të ndryshëm, sikurse ka ndodhur herët e tjera.
Në qytetin e Durrësit janë mobilizuar edhe efektivët e Forcave të Armatosura duke montuar çadra me kapacitet 30 persona secila në stadiumin e Durrësit. Në një prononcim për Report Tv, zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali ka deklaruar se deri më tani janë dëmtuar mbi 550 banesa, një raport ky paraprak, por ka vënë theksin nuk është e nevojshme ndërhyrja nga shtetet mike pasi qeveria ka pasur një fond emergjencash për situata më kritike se kjo e tërmetit që "tronditi" Shqipërinë, vetëm një ditë më parë.
Lajmi kryesor:
Tjetër tërmet i fortë në Tiranë gjatë mbrëmjes... Sizmiologu në Report TV: Në 24 orë mbi 340 lëkundje! Rreziku kaloi, por dridhje të vogla do ketë sërish
TIRANË- Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot pasdite vendimin për fondin 1 milion dollarë për t’u ardhur në ndihmë të gjithë familjeve të prekura nga lëkundjet e tërmetit një ditë më parë. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se 20% e fondit (200 milion lekë) do të shkojë në formë solidariteti për qytetin e Durrësit, i cili po ashtu u prek nga tërmeti.
“Sot po kalojmë një fond prej 1 milion dollarësh të ndarë 80% për qytetin e Tiranës, por në mënyrë simbolike vendimi i parë është për 20% të këtij fondi, pra 200 milionë lekë, për qytetin e Durrësit, në ndihmë të koleges sonë atje, që ka një sfidë akoma më të madhe. E fillon mandatin me një sfidë të jashtëzakonshme, me tërmet në qytetin e saj, kështu që do të doja shumë që t’i gjendeshim pranë Valbonës dhe vëllezërve e motrave në Durrës”, theksoi Veliaj.
Ndërkaq, nisur nga situata, Bashkia e Tiranës miratoi me urgjencë edhe dy vendime të rëndësishme që u vijnë në ndihmë njerëzve në vështirësi ekonomike. Kështu, pagesat për muajin shtator për të gjithë njerëzit me aftësi të kufizuar dhe ata që marrin pagesa nga fondi 6% për ndihmën ekonomike do ta marrin atë më parë.
“Nga nesër të mundësojmë lëvrimin e fondeve; jo vetëm kaq, por kemi futur në këtë projekt edhe pagesën për personat me aftësi të kufizuar, 1 deri më 30 shtator, dhe ndihmën ekonomike, sepse nuk ja vlen të presim fundin e muajit, le t’i kalojmë ndihmat më shpejt”, theksoi ai.
Në shenjë solidarizimi, anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës vendosën unanimisht që pagën e tyre të shtatorit ta dhurojnë për të prekurit nga tërmeti. Kryebashkiaku Veliaj siguroi të gjitha familjet e prekura nga tërmeti se do të ndiqet një politikë lehtësuese për rindërtimin e banesave. Ai theksoi se pas verifikimeve, të gjithë ata që duan të ndërtojnë me të njëjtën kubaturë (sipërfaqe), do të kenë procedura të përshpejtuara.
“Do të vijmë shumë shpejt me një vendim tjetër në Këshill për shtëpitë që duhet të rindërtohen, sidomos në zonat rurale. Shtëpitë individuale në të njëjtin volum si të shtëpisë së vjetër, t’i bëjmë procedurat e lejes të thjeshtuara dhe të marrim edhe një vendim për të hequr taksën. Për rastet e emergjencave civile, si rrëshqitje, erozion, tërmete, përmbytje dhe për rindërtimin në të njëjtën kubaturë, mjafton vetëm autorizimi i Emergjencave Civile që ka bërë çertifikimin dhe kryetari i Bashkisë duhet ta emetojë lejen menjëherë. Biseduam edhe me kryeministrin dhe ai është i gatshëm që ta bëjë këtë edhe me një VKM ndihmuese, që t’ia lehtësojë edhe bashkive të tjera që duan ta aplikojnë, dhe pastaj sigurisht roli ynë është vetëm të verifikojmë që dikush nuk abuzon me këtë zgjedhje”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se për të gjithë familjet e prekura janë marrë një sërë masash, mes të cilave dhe akomodimi i tyre provizorisht në konvikte, ndërsa do vijojë puna për riparimin e tyre.
“Problem imediat është strehimi për disa familje. Kemi 35 ndërtesa që janë jashtë funksionit. Kryesisht, janë ndërtesa në zonat rurale, të cilat i kemi shpallur të pabanuara; një pjesë të tyre po i transferojmë në qendra sociale. Po bëjmë gati edhe një konvikt, përfitojmë nga fakti që universiteti fillon pak më vonë dhe kemi një muaj kohë që mund të amortizojmë këto nevoja. Kemi 3 pallate që zv/kryeministri kishte inspektuar në Kombinat, prapë pallate të vjetra, ato që quheshin pallatet sovjetike, për të cilat do marrim një vendim nesër; nëse ekspertët e Institutit të Ndërtimit i shpallin të pabanueshme, atëherë edhe për këto do të hapim një konvikt. Ndërkohë, nëse disa kërkojnë ndërtim nga e para, atëherë do të kalojmë në një formulë më afatgjatë që janë banesat sociale që kemi në Shkozë dhe do të sigurojmë më pas edhe transportin”, tha Veliaj.
Frika nga tërmeti po i mban ende jashtë shtëpive, banorët e Durrësit, teksa disa prej tyre po qëndrojnë në çadrat e ngritura brenda në stadium.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me deputetët Fatmir Xhafaj dhe Sadi Vorpsi mblodhën Shtabin e Emergjencave në Bashkinë Vorë, ku pas njohjes me situatën vizituan disa prej familjeve, ku dëmet në banesa janë të mëdha dhe ku nisi procesi i hartimit të akt konstatimeve përmes të cilave do të bëhet e mundur vlerësimi i dëmeve.
Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati viktima ndërsa ministrja Balluku garantoi se do të merren të gjitha masat për strehimin e banorëve në nevojë. Për familjet të cilat nuk pranuan të evakuoheshin do të bëhet e mundur sistemimi i tyre në çadra afër banesës së tyre por pa rrezikuar ndërsa për familjet e tjera është ngritur qendra e strehimit.
Gjatë bisedës me anëtarë të familjeve të prekura nga tërmeti, Balluku tha se e rëndësishme është fakti që nuk pati probleme për asnjë sa i takon shëndetit ndërsa siguroi se do të nis menjëherë puna për riparimin e dëmeve ku prioritet do të jenë familjet që ndodhen më në vështirësi.
“Disa nga shtëpitë ne i kemi prioritet. Kështu që do nisni punën për të bërë aktin e konstatimit dhe më pas dhe vlerësimin. E kemi shumë të rëndësishme që të bëhen që të dyja që dhe ne të nisim nga puna. Bëhet akti i konstatimit, vlerësojmë sigurinë e ndërtesës dhe më pas dhe vlerësimin që ne të nisim nga puna për ta rikuperuar”, theksoi ministrja Balluku.
Ministria njofton se në fshatin Dedej, banesa e Petrit Dedejt ka pësuar dëme të shumta, në gjendje të pabanueshme ishte edhe banesa e familjes së Selim Dedejt, ku dy të moshuarit bashkë me nipërit e tyre janë në qiell të hapur pasi banesa e tyre është thuajse plotësisht e shkatërruar.
Ministrja Balluku tha se të dyja familjet do të sistemohen menjëherë si dhe do të merren masa për sigurimin e tyre me ushqim dhe gjithçka tjetër që ata kanë nevojë. “Ne kemi ardhur këtu me inxhinierët. Do vlerësojmë një herë si është situata këtu, unë nuk do desha që ju të rrini këtu do marrim ne masa për ushqime dhe gjithçka tjetër dhe ne do fillojmë të ndërtojmë shtëpinë. Do ta ndërtojmë të gjithën”, garantoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Pas Durrësit, kryeministri Edi Rama është kthyer në Tiranë. Ai u takua sot me banorë të një pallati 5-katësh në zonën pranë Drejtorisë së Policisë, Tiranë, shtëpitë e të cilëve kishin pësuar dëmtime të dukshme nga tërmeti. Ndonëse disa prej familjeve më të dëmtuara iu është ofruar asistenca e nevojshme për t’u strehuar deri në riparimin e dëmeve, ata nuk kanë pranuar t’i lënë shtëpitë e tyre. Kryeministri Edi Rama ishte aty për të biseduar personalisht me ta dhe për t’i bindur se strukturat e ngritura me këtë rast janë të gatshme të mirëpresin me kushtet optimale çdo qytetar të prekur nga pasojat e tërmetit. Në bisedën që bëri me Donikën, një prej banoreve, shtëpia e të cilës ishte më e dëmtuara, kryeministri Rama, i shoqëruar nga deputetja e njëkohësisht ministre e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kërkoi që familja të zhvendosej tek konvaleshenca në Durrës deri në kryerjen e riparimeve të nevojshme.
“Ishte tërmet i fortë. Faktikisht, këto godina kanë rezistuar goxha mirë. Ndërkohë që kjo duhet patjetër të riparohet, pjesa e sipërme, sepse strukturalisht besoj nuk është problem, por kjo pjesë duhet të riparohet. Etilda më tha eja urgjent se ka disa familje që nuk duan të lëvizin. Ju nuk mund të rrini këtu. Merre edhe të dashurin që e ke në gjumë tani shkoni tek konvaleshenca dhe bëni një pushim të detyruar. Pjesa lart, mesa pashë, është goxha e dëmtuar dhe është problem për ju këtu dhe komshiun përballë. Kështu që vlerësoje këtë dhe të marrim masa që të shkoni atje. Atje i keni të gjitha në dispozicion, shërbimin,” – u shpreh Kryeministri, i cili mori premtimin jo vetëm të Donikës, por edhe të fqinjëve të tjerë se për një periudhë të përkohshme, deri në riparimin e dëmeve, do të strehohen në shtëpinë e pushimit të ofruar nga Ministria e Brendshme në Durrës.
"Shtëpia lëvizi si të ishte lodër" tha Donika, me origjinë nga Korça. Rama nuk kurseu edhe batutat. "Ku na dole edhe ti korçare, ato janë për ballo, teatro, kinema, libra, gjuhën shqipe dhe kultivimin e shitjes, por edhe kaq shumë trime nuk e dinim". Gjatë vizitës nuk munguan edhe njohjet e vjetra. "Po ku je more çuni i lagjes, jam çuni i Nailes dhe jo Bashkimi" i tha një banor kryeministrit, ndërsa Rama iu përgjigj 'Kur njoh Nailen të njoh edhe ty, duhet të ikësh ca kohë në Durrës'.
Zv/ kryeministri Erjon Braçe premtoi se ditën e mërkurë qeveria do të miratojë një VKM e cila parashikon që cdo familjeje që i është shembur banesa nga tërmeti dhe do ta ndërtojë, lejen dhe projektin do ta ketë falas, pa paguar asgjë.
"I kam shkruar kryeministrit, ose me ligj ose me VKM, të mërkurën me mbledhjen e qeverisë kush është dëmtuar nga tërmeti dhe do të ndërtojë shtëpinë vetë lejen e ndërtimit e ka gratis bashkë me projektin pa paguar asgjë. Duhet bërë projekt, themele dhe mur tamam" tha ai.
Kryeministri Edi Rama ka qenë mesditën e sotme në Qendrën e Pritjes që është ngritur në stadiumin e Durrësit. Ai ka takuar nga afër të gjithë qytetarët që janë strehuar në këtë qendër, teksa njoftoi është hapur edhe një qendër tjetër në Kavalishencë për strehimin e banorëve.
Gajtë këtij takimi nuk kanë munguar as batuta me qytetarët.
Qytetarja 1: Të dhëntë Zoti shëndet e jetë që kujdessh për ne pleqtë. Kam ngelur brenda në ashensor në tërmetin e dytë.
Rama: Ashensori është më i rrezikshëm. Këtu është për të bërë pritjen e parë. Por nëse ju doni fare lehtë, ju transferojmë tek Kavalishenca.
Qytetarja 1: Jo, jo. Jemi mirë këtu
Rama: Bëjmë sa mundemi, jo sa duam.
Qytetarja 2: Me babin tënd kemi qenë në kamp në Dhërmi. Kemi ngrënë bukë në një tavolinë. Kur ju u bëtë kryeministër, thamë "ja do të trashëgohet brez pas brezi". Njeriu i mirë. Na ke rinu me deklaratat që ke dhënë në televizion.
Rama: Mos po ti je e re, por si t'ia bëjmë me të ty (për bashkëshortin e zonjës)
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka mbledhur të gjitha strukturat e posaçme të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku po monitoron së afërmi situatën e krijuar në burgje nga lëkundjet sizmike.
Fill pasi nxori urdhrin e gadishmërisë mbrëmjen e djeshme në të gjitha IEVP-të, Gjonaj ka urdhëruar marrjen e masave për mbarëvajtjen gjendjes dhe inspektimin e shërbimeve.
Sipas të dhënave aktuale, gjendja në të gjitha IEVP-të paraqitet e qetë ku sektori social dhe sektori shëndetësor kanë qenë në shërbim 24 orë gjatë gjithë kohës. Gjonaj tha deri më tani nuk ka pasur asnjë rast urgjent dhe asnjë problem infrastrukturor.
“Të gjitha strukturat e Ministrisë së Drejtësisë janë të angazhuara maksimalisht dhe në gatishmëri të plotë 24 orë në 24 në shërbim të zgjidhjes së çdo situate sado elementare të krijuar nga lëkundjet sizmike që prekën vendin. Pasi bëmë një verifikim të hollësishëm të të gjithë gjendjes me Grupin e Menaxhimit të Emergjencave Civile dhe Krizave si edhe vendosëm në gatishmëri të gjithë institucionet duke shtuar me 30% kapacitetin e stafit, puna vazhdon për të shmangur çdo rrezik që mund të shfaqet. Gjatë mesditës, kryem një takim intensiv me strukturat e posaçme të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku detyrat dhe gatishmëria do të vijojnë deri në qetësim të situatës. Fatmirësisht, deri më tani sipas inspektimeve të bëra në terren nga Ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë problematikë të konstatuar sa i përket sistemit penitenciar. Shqipërisolidare”, shkruan Gjonaj në rrjetet sociale.
Ministrja e Ekonomisë, Anila Denaj ka sqaruar se fondi i emergjencave është i paprekur, por vuri theksin se qeveria ka kapacitet për të dhënë një fond shtesë në varësi të nevojave që mund të dalin. Megjithatë, do ketë një vlerësim brenda dy javëve
Në përfundim të mbledhjes së zhvilluar në Prefekturën e Durrësit për masat që po merren pas tërmetin, ministrja vuri theksin tek frika dhe paniku që kanë qytetarët pas tërmetit. Për këtë arsye, ajo tha se kanë zbritur në terren inspektorë ku po vlerësojnë qëndrueshmërinë e godinave, nëse duhet të fyten në banesa qytetarët apo jo.
Deklarata e plotë
Është një proçes që mund të zgjasëme disa ditë, disa javë. Ne jemi duke vizituar të gjithë zonat, sikurse ju e dini. Jemi shpërndarë dhe kemi filluar nga Tirana e më pas vijuam në Durrës. Sigurisht janë dëme në banesa, por edhe në biznese, në zonën e Shijakut kam informacion se ka shumë dëme në biznese. Jemi duke i vlerësuar të gjitha këto dëme, nëpërmjet organizatave të caktuara, duke filluar nga Instituti i Ndërtimit, ashtu dhe nga inspektorët e Fondit të Emergjencave..
Vlerësojmë që dëmet për atë tërmet që ndodhi janë minimale, nuk e themi dot në vlera absolute shumën financiare, sepse ajo do të jetë vetëm e mbështetur në shifra që vijnë nga ekspertët. Fondi i Emergjencave nuk është prekur pasi nuk jemi goditur nga situata emergjente këtë vit. Ai fond ju garantoj që është i paprekur. Qeveria është e gatshme në të gjitha skenaret që janë diskutuar dje në Ministrinë e Financave që të alokojë fonde shtesë në varësi të nevojave që do të vijnë dhe verifikimeve në terren nga strukturat përkatëse. Kështu që, në këtë aspekt kjo pjesë e financimi është e garantuar. Nuk duhet të harrojmë edhe aspektin psikologjik, tëkthimit në banesë. Vizitova disa banesa në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, ku disa nga plasaritjet, por jo vetëm kishin krijuar pasigurinë nëse banorët duhet të ktheheshin në banesa ose jo. Për këtë inspektoriatet përkatëse janë duke vlerësuar qëndrueshmërinë e godinave dhe kjo do të krijojë një farë qetësie të panikut të krijuar.
Të gjithë kemi qenë në panik. Në forma nga më të ndryshme e kemi jetuar atë dhe me fëmijët tanë dhe e kishim më të vështirë për ta shpjeguar situatën. Kërkohet mbi të gjitha qetësi. Është e panevojshme të flasim vetëm për dëmet financiare, dëmet psikologjike janë ato që duhet të vlerësojmë në këto momente, por duke garantuar që këto dëme në çfarë do lloj shume që të vijnë duke u vlerësuar sipas strukturave përkatëse në vlerat e tyre financiare do të jenë plotësisht të mbuluara nga buxheti i shtetit.
Nuk lë pa përmendur këtu në mënyrë absolute edhe nevojën që të gjithë të solidarizohen. Para një jave isha në Qafë Zezë dhe kam vizituat banesat, të cilat nga tërmeti ishin rrënuar totalisht. Akorduam një fond të dhënë nga Shoqata Shqiptare e Bankavedhe kjo është një mënyrë shumë e mirë dhe për të kontribuar.
Ende nuk mund të themi sot sa do të jetë nevoja për fonde shtesë, por të gjithë mund të kontribuojmë në ditët në vijim në këtë fondin e solidaritetit, të cilën si në rastin e Korçës dhe në rastin e Durrësit, apo Tiranës në këtë rast nevoje, mbështetje duhet të jetë i konsideruar për të gjithë ne në çfarëdo lloj forme, si individ ashtu edhe biznese.
Do të jemi në kontakt në ditët në vijim për të folur për shifra konkrete dhe për mënyrën si do ta përballojmë.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka deklaruar se dëmet nga tërmeti kanë qenë shumë të mëdha, teksa ka njoftuar se është hapur një llogari bankare, ku të gjithë persona që dëshirojnë dhe kanë mundësi mund të kontribuojnë për t'i ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga tërmeti.
"Fatmirësisht lëkundjet e tërmetit nuk shkaktuan dëme në njerëz. Por shkaktuan dëme materiale. Në këtë periudhë të vështirë duhet angazhim dhe solidaritet nga të gjithë dhe për këtë kemi vënë në dispozicion llogari bankare për t'i ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga tërmeti. Kushdo që ka mundësi mund të kontribuojë duke përdorur numrat e llogarisë që i gjeni në linkun e mëposhtëm: shorturl.at/duDPQ", tha Xhaçka.
Të gjitha dëmet mund të përballohen nga fondi i emergjencës të qeverisë shqiptare. Në një prononcim për Report Tv, zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali ka deklaruar se deri më tani janë dëmtuar 550 banesa, një raport ky paraprak, por ka vënë theksin se nuk është e nevojshme ndërhyrja nga shtetet mike pasi qeveria ka pasur një fond emergjencash për situata më kritike se kjo e tërmetit që "tronditi" Shqipërinë, vetëm një ditë më parë.
"Shtabi i emergjencës është i gjithi në funksion. Prefekturat gjithashtu, bashkitë dhe pa diskutim të gjithë ministritë dhe deputetët janë të shpërndarë kudo. Po bënë kontakt të drejtpërdrejtë, janë evidentuara të gjithë banesat që kanë marrë dëmet më të mëdha.
Nuk kemi probleme të fondit të emergjencës apo fondit që na duhet në vazhdim. MM ka bërë një raport të parë, rreth 550 banesa janë dëmtuar. Duhet parë pastaj, kanë dëmtime më të lehta apo të pabanueshme. Dua të theksoj solidaritetin e mjekëve, policëve. Të gjithë trupat kanë qenë në gatishmëri, solidariteti njerëzor ka prevaluar në këtë rast. Pjesa më e madhe e të lënduarve janë kthyer në shtëpinë e tyre, ato që janë prekur nga kriza e ankthit janë ende nën kujdesin e mjekëve. Aktualisht është fondi i emergjencës që është parashikuar në buxhet. Po e përballojmë me këtë buxhet. nuk mund të flasim tani për të gjithë llogarinë e dëmit. por të gjitha qeveritë mike të Shqipërisë janë treguar shumë të gatshëm për të na ndihmuar", tha Spiropali në një lidhje telefonike me gazetarin.
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka falenderuar të gjithë vendet që kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë, pas termetit që goditi vendin një ditë më parë.
"Shpreh mirënjohje të thellë për interesimin dhe gatishmërinë e shteteve mike për të ndihmuar Shqipërinë në këtë sfidë! Ndërkohë që të gjitha institucionet shqiptare janë në këmbe 24 orë në 24 pranë qytetarëve të prekur." - shkruan Cakaj.
Cakaj nënvizon se pavarësisht dëmeve dhe shqetësimeve, më e rëndësishmja mbetet fakti që nuk ka pasur asnjë jetë të humbur.
Edi Rama është zhvendosur në Durrës për të parë nga afër situatën pas tërmetit, ndërsa ka ndarë edhe grupet e punës vetë, ku bëjnë pjesë ministra dhe deputetë. 'Nuk ka vend për panik, njerëzit duhet të jenë sa më të qetë. Kush ka shqetësim dhe ndjen pasiguri ka në dispozicion 700 shtretër në dy strukturat e ministrisë së Mbrojtjes dhe Brendshme te kavaleshenca. Po bëhet gati struktura te stadiumi për cdo rast nevoje për të qenë jashtë mureve të shtëpisë dhe kaq është e mjaftueshme për ditën e sotme. Disa nga mediat janë fokusuar te alarmi dhe ca se jo të gjithë janë para TV për të ndjekur shqetësimet, prandaj kontakti i drejtpërdrejt është i paçmueshëm" tha ai.
Kryeministri Edi Rama vizitoi në spitalin e Traumës disa nga qytetarët që u lënduan si pasojë e tërmetit që tronditi dje Tiranën dhe Durrësin.
"Populli thotë jetëgjati jetëshkurtër nuk bëhet. Këto gjëra nuk i kemi në dorë, kanë ndodhur dhe tani të bëjmë cdo gjë ta kalojmë me sukses. Për cfarë të duhet jam në dispozicion" tha Rama teksa u bisedoi me njërin nga qytetarët.
Ndërsa gjatë komunikimit me një qytetare, që është shtruar në spital nuk munguan edhe batuat. "Pak durim, megjithëse gratë kanë durim, se kur durojnë burrat tërë jetën... Por për cdo gjë që duhet jam në dispozicion" tha ai.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini ka dalë në terren ditën e sotme për të inspektuar nga afër dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Së bashku me ekipet e MASR, zyrave vendore arsimore dhe bashkive respektive, ministrja bëri verifikimet faktike në disa shkolla të Tiranës, Kamzës, Vorës dhe Durrësit.
"Deri tani, kemi disa shkolla dhe kopshte në Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Durrës të cilat shfaqin vetëm plasaritje të fasadës", shprehet Shahini teksa nënvizon faktin se me ndërhyrjet momentale që po realizohen aty ku është e nevojshme, duket se të gjitha shkollat do të hapin dyert për mësim për nxënësit e tyre ditën e nesërme.
MASR njofton se ekipet e monitorimit dhe zyrat vendore arsimore vazhdojnë punën dhe verifikimet në koordinim edhe me strukturat e tjera qendrore dhe vendore.
Pas daljes nga spitali i Traumës kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e mjekëve dhe gatishmërinë e treguar për të përballuar situatën. "Të na jepet mundësia të gjithëve që të vlerësojmë si duhet mjekët, infermierët dhe të gjithë trupën e kujdesit shëndetësor që në të përditshmen marrin shumë shqetësime dhe marrin shumë ngacmime të padrejta, por në një rast si ky është momenti për ti falenderuar dhe për t'u shprehur mirënjohjen, pasi dje ka qenë ditë pushimi dhe është fakt që pavarësisht kohës së dhënies së alarmit të gjithë janë nisur për të ardhur nëpër pikat kyçe pa pritur që t'u vijë as njoftimi.
Janë gjendur në krye të detyrës, pa bërë naze. Është një shprehje shumë domethënëse e vetëdijes dhe ndjejës së shërbimit. Fluksi i parë ka qenë i madh është përballuar me sukses, lavdi zotit nuk ka qenë një goditje fatale dhe përgjithësisht plagët e para dhe problemet e natyrës mjekësore nuk kanë qenë ekstreme, kujdesi ka qenë maksimal. Numri ka rënë fare, por gatishmëria është maksimale.
E mira nuk ka fund asnjëherë, por gjithcka ka funksionuar më së miri edhe fatit që nuk ka pasur goditje ekstreme. Duhet pak durim sepse situata është e kapërcyeshme. Nuk kemi dëmtime të natyrës së humbjes së jetës së njerëzve, nuk kemi dëmtime të strukturave të banimit që mund të lënë familjet pa strehë. Duhet të marrim fryjmë të lehtësuar tani duhet të jemi në territor" tha Rama.
Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së grupit të PS-së shkoi te spitali i Traumës për të parë nga afër gjendjen e qytetarëve që po marrin mjekim pas tërmetit të fuqishëm që tundi dje vendin. I shoqëruar nga drejtori i spitalit Edi Rama po takon qytetarët që janë shtruar në spital.
Bashkia e Tiranës do të vendosë në dispozicion 1 milionë dollar për këtë fazë të parë për kapërcimin e të gjitha pasojave që mund të kenë lënë tërmetet. Teksa kontribuoi personalisht me ndihma për të prekurit në pikën e ngritur posaçërisht nga Bashkia e Tiranës pranë sheshit “Skënderbej”, ku çdokush mund të japë rroba apo ushqime, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se janë marrë të gjithë masat për menaxhimin e kësaj situate. “Ne do të akordojmë një fond të Bashkisë së Tiranës, rreth 1 milionë dollar, le të themi për këtë fazë të parë të emergjencave. Do të kemi një mbledhje jashtë radhe të Këshillit Bashkiak, pikërisht për të adresuar këtë çështje dhe hequr paratë nga diçka tjetër dhe për t’u siguruar që adresohet ky problem”, u shpreh Veliaj.
Krahas mbledhjes së Këshillit Bashkiak dhe mbledhjes së shtabit të Emergjencave, do të ketë edhe një takim të posaçëm edhe me të gjithë administratorëve për planin organizativ. Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të kontaktojnë me administratorët e tyre për çdo nevojë, ndërsa shprehu gatishmërinë e Bashkisë për të mbështetur të gjithë ata që kanë nevojë. “Dua që secili nga qytetarët të ketë një kontakt me administratorin. Administratori do të bëjë një inventar, me atë inventar ne do kuptojmë kush ka nevojë për ndërhyrje fizike, kush ka nevojë për ushqime e veshmbathje, kush ka nevojë pastaj për ndoshta ndihmë psikologjike. Ne do të angazhojmë të gjithë stafin psiko-social të çerdheve kopshteve e shkollave të Tiranës. Duke nisur nga dita e hënë jo vetëm shkollat do jenë në rregull por do ketë edhe staf I cili nëpër klasa do u shpjegojë fëmijëve sepse është shumë e rëndësishme që faza e shokut të mos na paralizojë si shoqëri”, nënvizoi Veliaj.
Veliaj vlerësoi edhe kontributin e qindra qytetarëve që i janë përgjigjur menjëherë thirrjes së kreut të Bashkisë për të kontribuar me veshje dhe ushqime për njerëzit e prekur nga tërmeti. “Qindra qytetarë kanë dhuruar ushqime, rroba e veshmbathje, për disa familje, sidomos ato në zonat rurale. Kriza nuk do mbarojë me sot e nesër por do të vazhdojë derisa të rehabilitohen plotësisht dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët që duan të bëjnë diçka , që nuk merren me llafe e nuk japin mend për gjëra kot por që duan realisht të bëjnë diçka konkrete e kanë një mundësi. Secili mund të bëjë një pako me ushqime e veshmbathje, preferojmë ushqime që nuk prishen, jo gjëra që duhen konsumuar brenda ditës, mundësisht konserva që ti kemi për një përdorim sa më të gjatë dhe më vjen mirë që kemi pasur një stok të konsiderueshëm në të gjithë qendrën tonë të Emergjencave Civile në Farkë për të përballuar valën e parë dhe do mirëpresim kontributet e qytetarëve”, deklaroi kreu i Bashkisë.
Kreu i Bashkisë u shpreh se fakti që qytetarët I janë rikthyer jetës normale, është treguesi më I mirë se Tirana nuk I nënshtrohet asnjë sfide dhe ia del gjithmonë mbanë. “Tirana ia ka dalë gjithmonë, jam i bindur që do ia dalë edhe kësaj here. Fakti që sot qytetarët I janë rikthyer jetës normale, do të thotë që ky qytet nuk nënshtrohet ndaj asnjë sfide. Kjo ishte një sfidë e paparashikueshme. Kemi kaluar javën më të vështirë në Tiranë. Patëm edhe një rrëshqitje në Zallherr ku u zhvendos gjithë tubacioni i ujit. Ndoshta edhe një moment reflektimi për çfarë i kemi bërë natyrës. Besoj se ky është një leksion për të ardhmen. Për të tashmen është që të gjithë të jemi të mobilizuar dhe të bëjmë më të mirën. Jam i bindur që të gjithë bashkë edhe kësaj here do t’ia dalim”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se të gjithë grupet e punës kanë qenë në terren gjatë gjithë natës duke u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. “Dua të falenderoj edhe shumë njerëz të tjerë, edhe të gjithë djemtë e vajzat e Bashkisë, burra e gram, sidomos stafin tonë të Emergjencave, ne do kemi një mbledhje të shtabit sot në orën 16; 00 për të bërë një raportim të situatës në terren. Kryesisht emergjencat kanë qenë të zjarrfikësve , hapje dyersh, zhbllokime ashensorësh, mund të kemi pasur mbi 100 raste të tilla, pra ka pasur moment paniku pasi është bllokuar brava nga lëvizja apo bllokuar ashensori por të gjitha këto janë kryer në punë minutash dhe nuk besoj që ka pasur më shumë se 10-15 minuta, teksa zjarrfikësja ka mbuluar një territor jashtëzakonisht të madh, 1200 kilometra katrorë që është Tirana”, deklaroi Veliaj.
Elva Margariti në një lidhje telefonike për Report Tv deklaroi se janë evidentuar dëmet në objektet arkeologjike në Tiranë dhe Durrës teksa theksoi se ato janë të lehta dhe sipërfaqësore.
"Nga raportimi i menjëhershëm evidentuam godinat me më tepër problematike. Vetëm Muzeu Arkeologjik në Durrës, por dhe në Tiranë ka pasur dëme të lehta dhe sipërfaqësore. Dhe në Muzeun historik kombëtar ka pasur disa plasaritje të jashtme. Ne jemi shpërndarë në të gjitë territorin dhe po bëjmë raportimin e detajuar të situatës", u shpreh Veliaj.
Shkollat dhe kopshtet në Tiranë dhe Durrës do të vijojnë normalisht nesër, pasi nuk kanë dëmtime nga tërmeti që ra dje. Kryebashkiaku i Tiranës u shpreh se janë bërë verifikimet dhe të gjitha kanë rezultuar se janë solide.
"Kemi bërë një verifikim të gjithë kopshteve dhe shkollave. Të gjitha janë solide. Sot do bëjmë një pastrim që të hënën të vazhdojë mësimi normalisht" tha ai.
Edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Vako u shpreh se nga tërmeti janë dëmtuar 2 shkolla, '14 Nëntori' dhe 'Qemal Mici', por siguroi që nuk ka probleme serioze për pezullimin e mësimit. 'Dëmtimi i jashtëm nuk cenon procesin mësimor. Nesër do të jenë gati për mësimin" tha ajo.
Tërmeti i fuqishëm që ra dje dhe që po vijon ende me goditje të lehta ka rikthyer edhe njëherë debatin për sigurimin e banesave, që sipas kryeministrit duhet të bëhet nga kompanitë e sigurimit. "Por është e domosdoshme që të ketë një tjetër hap si e gjithë bota, për sigurimin nga fatkeqësitë natyrore. Kompanitë e ndërtimit ka ardhur koha ta përmbyllin këtë proces shekullor për kolaudimin në bashki. Kolaudimi i cdo godine sidomos duhet të jetë i lidhur me sigurimin, duhet të jetë kompania e sigurimit që mbanë përgjegjësinë për shkeljet në ndërtim, ajo është roja, që do i rrijë atje te dera në kantier për të mos bërë dalje që mund të kërcënojnë strukturën. Pa i rënduar njerëzit, por të jenë kompanitë e sigurimit që të jenë përgjegjëse për gjithcka" u shpreh ai.
Kryeministri Rama u shpreh se kryeministri i Italisë, Presidenti i Francës, por edhe ai i Turqisë i kanë telefonuar duke i ofruar ndihmë pas tërmetit. "Të falenderoj, besoj që është e qartë që edhe dje, por edhe sot e kemi shfrytëzuar aksesin në media për të komunikuar me të gjithë opinionin me këto elemente që ndikojnë në qetësimin psikologjik. Kontakti i drejtpërdrejt është i domosdoshëm, i pazëvendësueshëm edhe për shkak se afërsi dhe komunikimi janë të pazëvendësueshme.
Fondi rezervë është gjithmonë në buxhet. Fatmirësisht me këtë masë dëmesh jemi të qetë nga pikëpamja e mbulimit financiar. Ministria e Financave i ka bërë skenarët duke menduar një skenar më të keq se ky, por kur i kalojnë kufirin edhe qeveritë e shteteve më të mëdha i drejtohen solidaritetit të vendeve të mëdha, sikur ka ndodhur me Greqinë dhe Italinë. Kjo është arsyeja që më kanë marrë në telefon kryeministri i Italisë, Presidenti i Francës, kancelarja austriake, komisioneri Avramopulos, për të thënë cfarë doni? Më tutje presidenti i Turqisë, ata kanë aktivizuar strukturat e tyre" tha Rama.
Deputeti Paulin Sterkaj kërkoi nga qeveria që të ketë një fond special për raste të tilla. "A i ka ardhur koha që të gjitha qeveritë të kenë një fond special meqë kemi fatin të jemi një zonë sizmike. Para shumë vitesh ka ndodhur në Shkodër, unë kam qenë 18-vjeç. Cdo qeveri të ketë një fond të paprekshëm, për të mos i shtrirë dorën askujt. Më mirë se të bëjmë ne propagandën, specialistët e fushës të japin në televizion për fëmijët programe informuese për tërmetin që kaloi dhe atë që mund të vijë një ditë. Nga deputetët të lënë dicka, që në raste emergjence si tërmeti apo zjarri të lënë dicka" tha ai.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u shpreh se pasditen e sotme do bëhet një mbledhje e Këshillit bashkiak të Tiranës për të akorduar fonde edhe për Durrësin. Veliaj propozoi që edhe qytetet e tjera të ndërmarrin një nismë për mbledhjen e fondeve ashtu si Bashkia e Tiranës.
Rama nga ana tjetër deklaroi se fillimisht duhen evidentuar nevojat e qytetarëve të prekur nga tërmeti. Rama tha se duhet bërë një ndarje detyrash që të bëhet e mundur mbulimi i zonave të prekura. Ai deklaroi se vetë do të pozicionohet në Durrës, ndërsa u shpreh se kryebashkiakët e veriut duhet të vendosen në Durrës.
Veliaj- Do bëjmë një mbledhje të këshillit bashkiak për akorduar fonde edhe për Durrësin. Nga sot kemi hapur të gjithë qendrat sociale për të ofruar vaktet në masë për shumë prej banorëve të Tiranës. Kemi bërë një verifikim të gjithë kopshteve dhe shkollave. Të gjitha janë solide. Sot do bëjmë një pastrim që të hënën të vazhdojë mësimi normalisht.
Rama- Në total janë 569 banesa ku përfshihen edhe 53 pallate me dëmtime, kryesisht në Tiranë dhe Durrës. Deputetët e Tiranës e kanë detyrën e tyre bashkë me bashkinë. Mendoj të shtohen edhe disa kryetarë bashkish për ta bërë më të lehtë. T'u shtohen edhe kryebashkiakët e pjesës së veriut, të cilët duhet të fokusohen në Vorë. Ndërkohë që të tjerët bashkë me mua për të vijuar atje. Të gjithë deputetët që janë në pjesën e rajonit të veriut të qëndrojnë në Tiranë. Ajo që na duhet është që brenda shumë pak kohe kryetarët e njësive administrative të jenë të mbledhur bashkë me prefektët, bashkë me Shijakun dhe Kavajën. Të shpërndahen sipas territorit dhe të kontaktojnë çdo familje.
Veliaj- Sapo kemi hapur një pikë në Sheshin Skëndërbej. Ndoshta mund ta bëjë çdo qytet këtë.
Rama- Është mirë që kjo gjë të bëhet e strukturuar. Të gjithë ata që do shkojnë në terren. Është mirë që të kontaktet të thonë se çfarë nevoje ka, për të sjellë më pas edhe kontributet. Në këto situata fillojnë edhe spekulantët. Shfaqen të prekur nga një tërmet më i rëndë se ai që është dukur. Për këtë arsye kjo shtrirje na ndihmon që aty ku ka problem, të themi që ka problem. Kështu kemi mundësinë që çdo grup të ketë kohën e nevojshme deri në mbrëmje.
Kryeministri Edi Rama qetësoi qytetarët që të mos kenë ankth dhe frikë nëse pallatet kanë pësuar plasaritje apo çarje vertikale, pasi është tregues se ka funksionuar 'fuga sizmike' për atë që është ndërtuar.
"Do të realizohet inventari për plasaritjet që nuk përbëjnë rrezik, por edhe krisjet, të gjithë do të adresohen për riparimet. Por jo cdo çarje vertikale e godinave është negative, por është tregues se ka funksionuar për atë që është ndërtuar. Të qetësohen njerëzit lidhur me qëndrueshmërinë e cdo godine dhe shtëpie në momentin që flasim.
Në rast se nuk ka tërmet më të fortë, ata janë njëlloj si të tjerat, nuk përbëjnë rrezik eminent, as plasaritjet, as të ndarat e dukshme në pallate, nuk ka asnjë problem. Lëkundjet kanë ardhur duke u ulur, kanë qenë të parashikuara, sikur ndodh në cdo tërmet. Janë gjëra të thjeshta, jo shkencë" tha ai.
Por cfarë është fuga sizmike? Ato janë të çara që janë të pozicionuara në hapësirën midis dy objekteve fqinje për të realizuar vazhdimësi funksionale dhe qëndrueshmëri nga ana konstruktive. Ato janë të projektuara për lëvizje sizmike shumë dimensionale.
Sot ishte planifikuar që të ishte dita pa makina në Tiranë, por kryeministri Edi Rama kërkoi që të shtyhet. "Ku është kryetari i bashkisë?
Atë ditën pa makina mund ta shytojmë për një ditë tjetër" kërkoi Rama. Më pas fjalën e mori Veliaj, i cili tha se aktiviteti është përqëndruar tek sheshi “Skëndërbej” edhe si një formë argëtimi për ato familje që nuk qëndrojnë brenda në banesat e tyre nga lëkundjet e tërmetit.
Ai theksoi se pasdite do të ketë një mbledhje të këshillit bashkiak për të akorduar një fond për familjet e prekura.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se Ministria e Financave është përgatitur për skenarin më të shtrenjtë për dëmshpërblimet, por kërkoi nga të gjitha bashkitë që të japin kontributin e tyre për banesat e dëmtuara, ashtu sikur ndodhi me banesat në Floq të Korçës pas tërmetit të 1 Qershorit.
"Të njëjtën gjë si në Korçë do të bëjmë përsëri në vijim, cdo bashki do të përfshihet në një kontribut sado modest. Ministria e Financave ka përgatitur cdo skenar, edhe më të shtrenjtin ne jemi gati, por është cështja e një solidariteti real dhe padiskutim që paralelisht me këtë strukturat e shëndetësisë janë të angazhuara për të asistuar për ndihmat e periudhës së ndërmjetme.
Ti ngarkohet cdo bashkie një pjesë sado e vogël e solidaritetit, sidomos me familjet. Vëmendje të vecantë për cdo familje me fëmijë të vegjël, pasi aty është problemi kryesor. Pas kësaj mbledhje duhet të shkojmë në Durrës. Janë 24 orë të rëndësishme, sa i përket dëmeve askush nuk duhet të shqetësohet" tha ai.
Kryeministri Rama u kërkoi ministrave dhe deputetëve të grupit socialist që të shkojnë pranë familjeve të prekura nga tërmeti. "Duhet të funksionojmë si rrjet i integruar duke u fokusuar te Tirana dhe Durrësi. Është shumë e rëndësishme së pari prania njerëzore për një kontakt të drejtpërdrejt për të gjitha familjet që figurojnë si banorë të pikave të identifikuara me dëme. Ankthi dhe potenciali për konfuzion është gjëja e parë që duhet përballuar me shpjegime shumë të thjeshta dhe garancinë që pas kapërcimit të këtij momenti do të vijojë procesi i mbështetjes për të çdëmtuar këdo që figuron në listë. Mbrëmë e keni ndjekur, në Durrës veçanërisht ka pasur ankth dhe kjo ka bërë që një pjesë e njerëzve të qëndrojnë jashtë banesave.
Edhe pse janë vendosur në dispozicion strukturat e kovaleshencës së ministrive të Brendshme dhe Mbrojtjes nuk ka pasur fluks. Ka pasur grumbullim te stadiumi i Durrësit. Të gjithë bashke në të ushtrojmë të gjithë ditën për kontakte me njerëzit. Vajtja e të gjithëve në terren dhe organizimi i kontakteve është mirë të fuqizohet me kontributin e të gjithëve ne, jo vetëm deputetët e Durrësit dhe Tiranës, por të gjithë për të mbuluar cdo familje që ka nevojë për komunikim. Ka shumë shtëpi dhe pallate kanë plasaritje. Të ndahemi sipas zonave dhe kryetarët e bashkive të fokusohen te pikat kritike duke u përpjekur të mbulojmë të gjitha shtëpitë apo godinat dhe për cdo familje të ketë një kontakt".
Kryeministri Edi Rama kërkoi nga institucionet që të vendosin psikologë në dispozicion të familjeve që janë prekur nga tërmeti. Ai theksoi se paniku kaloi.
"Ushtria të marrë informacion të saktë nëse duhen cadra këtu dhe atje. Stadiumi i Durrësit duhet të jetë pikë pritje, njerëzve duhet vendosur në dispozicion psikologë, kapacitet pritës dhe mjete, që nëse duan ta kalojnë natën në kovaleshënce të shkojnë atje. Paniku ka kaluar.
Plasaritjet nuk duhet ti shqetësojnë, carjet e pallateve duhet parë. Te kryeministria mes korpusit qendror dhe atij të ministrisë së financave ka një spostim është 'fuga sizmike' që ka funksionuar, pra nuk është shqetësuese, por nuk do të thotë se janë të gjitha kështu.
Nuk jemi në kushtet e rrezikut eminent sot. Cdo shtëpie e prekur të ketë dosjen e vet, të firmoset dhe të kalojë për trajtim te emergjencat për fazën e rehabilitimit. Në Durrës te fokusi duhet të jetë cdo familje, pasi atje ka qenë goditja, por pa harruar Tiranën" tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama u la detyra konkrete prefektëve dhe institucioneve të tjera që të kontaktohet cdo person i prekur nga tërmeti. "Të gjitha godinat e prekura të shikohej. Pasdite dua të shikoj hartën, kush bën cfarë. Kush është përgjegjës për cdo pallat për t'u marrë me njerëzit dhe infrastrukturën. Prefekti, drejtori i emergjencave dhe dikush nga instituti i ndërtimit duhet të punojmë bashkë. Nëse e kemi këtë hartë sot gjithcka do të shkojë mbarë.
Edhe identifikimi i dëmeve duhet bërë me kujdes, të mos mbetet pa asistuar asnjë, por të mos kemi spekulantë, duhen kontrollore të gjithë bashkë të unifikuara. Si në një hartë beteje. Ju duhet të keni deri sot pasdite cdo pikë të dëmtuar me emra. Kërkojë solidariteti i prefektëve të tjerë. E fundit që kam për të mos, ata që janë dëmtuar do të jenë të sigurt që të mos harrohen" tha Edi Rama.
Kryeministri Rama i tërhoqi vëmendjen prefektit të Durrësit se përse nuk hapi dyert e stadiumit mbrëmjen e djeshme që të akomodoheshin qytetarët e prekur nga tërmeti. Ai bëri thirrje që sot stadiumi të hapet.
"Mbrëmë jam marrë unë me dritat e stadiumit, gjëja më e thjeshtë ishte t'u hapet stadiumi dhe të mos rrinin në rrugica, sot stadiumi duhet të jetë i hapur dhe i pajisur me të gjithë strukturën akomoduese, janë 700 stretër në kovaleshencësn e mbrojtjes në dispozicion.
Tërmetin nuk e parashikon dot askush. Nuk do të thotë aspak se ajo që ndodhi do të vijojë, por tërmeti është në psikologjinë e njerëzve akoma. Prandaj duhet t'u ofrojmë gjithcka, stadiumin e hapur të ndriçuar dhe kapacitetet, autobus në dispozicion nëse kanë probleme psikologjike" tha Rama.
Prefekti i Durrësit, Roland Nasto u shpreh se 56 persona morën ndihmë pas tërmetit, ndërsa shtoi se në qytetin bregdetar janë dëmtuar 188 banesa, mes tyre 9 pallate, por edhe 2 shkolla. "Në Durrës 56 persona morën ndihmë. Presidenti ngeli i kënaqur dhe më pas u largua. Janë 188 ndërtesa të plasaritura, 2 shkolla dhe 9 pallate. Problemet janë te shtesat, 3-4 pallate me shtesa dhe një pallat që është amortizuar më parë. Sot kemi filluar grupet e vlerësimit" tha ai.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kërkoi që të evidentohet dhe fotografohet cdo dëm nga tërmeti. "Në Tiranë pashë një angazhim shumë të madh të institucioneve. Tani e rëndësishme mbetet vijimi i punës. Shtëpia e pushimit e ministrisë së Brendshme është në dispozicion për të pritur familjet.
Fokusi mbetet Durrësi, pasi problemet janë më të mëdha. Ka shumë detaje të fiksohen tani për të shmangur problemet më pas, të fotografohen dhe të bëhen bilancet tani. Pasi dëmet janë më shumë në inventarin e brendshëm se atë të jashtëm" tha ministri Lleshaj.
Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari u shpreh se lëkundjet gjatë mesnatës dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm më shumë panik dhe probleme kanë krijuar në zonën e Don Boskos. Ajo tha se janë dëmtuar 187 banesa, mes tyre 20 pallte.
"Më shumë panik në mesnatë nga tërmeti pati në Don Bosko. Bashkë me zjarrfikëset në orën 06:00 i montuam 19 çadrat. Të gjithë kërkonin çadra dhe nuk pranonin të hynin në qendrat sociale, përvec 14 vetave në Kombinat. 187 dëmtime banesash, 20 pallte janë çarë.
Do të vijojmë që të mbledhim komisionin e Emergjencave, duhet të fillojmë si të bëjmë vlerësimin që të jetë real. Kryesisht janë dëmtime të ndërtimet para viteve '90. Pjesa civile iku pasi ikëm ne, por u rikthyem sërish dhe u thamë që detyra duhet të cohet deri në fund ka apo nuk ka njerëz" tha ajo.
Kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm zhvilloi një takim me drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Emergjencës Civile, Rezervës së Shtetit dhe të gjithë prefektët e vendit. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u shpreh se tani do të ngrihen grupet e punës për dëmshpërblimet.
"Ka qenë një ditë e vështirë dje për të përballuar pasojat e para të një tërmeti relativisht të fortë. Ka qenë një natë itensive për shtabet e emergjencës, prefektët, bluzat e bardha dhe të gjithë të tjerët, që kanë qenë në terren për të ndihmuar ata që kaluan natën jashtë. Ky moment shoqërohet me frikë dhe pasiguri.
Shumë familje me fëmijë të vegjël dhe që nuk kanë siguri nga banesat e tyre janë të detyruar të refuzojnë hyrjen në banesë. Grupet e vlerësimit të dëmeve janë ngritur. Janë ngritur shumë qendra që mund të presin të gjithë qytetarët, kryesisht në Tiranë dhe Durrës. Mund të bëhej një punë akoma më e mirë. Të ngremë një orë e më parë grupet e vlerësimit të punës dhe për të siguruar të gjithë qytetarët për t'i dëmshpërblyer" tha ajo.