Mbrëmjen e djeshme gjysma e Tiranës mbeti pa energji elektrike për gati 90 minuta pas një defekti në një shtyllë elektrike, që preku disa prej zonave më kryesore në kryeqytet. Ajo çfarë e bën edhe më të rëndë këtë situatë është se një pavijon në QSUT, ku përfshihet edhe Reanimacioni, mbeti përkohësisht pa energji elektrike. Pikëpyetje ngrihen akoma se përse sistemet rezervë UPS dhe Gjeneratori, nuk u ndezën menjëherë, por ky pavijon mbeti përkohësisht pa drita dhe ende nuk ka asnjë sqarim nga spitali.

Në një deklaratë mbrëmjen e djeshme ishte vetë Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” që në një deklaratë për mediat pranoi se ndërprerja e energjisë elektrike ishte e përkohshme, por pa dhënë detaje se sa kohë mbeti pa drita Reanimacioni, një pavijon i një rëndësie tejet të veçantë ku ndodhen pacientë që luftojnë për jetën.

“Për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike. Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve”, deklaroi QSUT për mediat.

Të njëjtin qëndrim e mbajti edhe OST pas rregullimit të defektit, ku nuk specifikoi se për sa kohë mbeti pa drita Reanimacioni i QSUT-së, por deklaroi se "institucionet me rëndësi të veçantë u furnizuan me energji elektrike brenda pak minutash."

Pas kërkimeve të redaksisë sonë, prej shtatorit 2025 nuk rezulton asnjë tenderi i ri për mirëmbajtjen e gjeneratorit. Tenderi i fundit nga QSUT për mirëmbajtjen e gjeneratorit është hapur në vitin 2023 dhe ka mbaruar në 2025-ën dhe nga ku moment nuk dihet nëse është hapur tender i ri.

Në Reanimacionin e QSUT-së ndodhej i shtruar i burgosuri Mihal Mërkuri, i cili sipas spitalit ka humbur jetën sot në mëngjes pas një arresti kardiak dhe hemorragjie.