Kreu i AKU-së në Shkodër, Ramir Haderi, ka reaguar për herë të parë pasi u sulmua mbrëmjen e djeshme me sende të forta, teksa po ikte për në banesën e tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haderi teksa ka falënderuar qytetarët për solidaritetin e treguar ndaj tij, është shprehur se ‘as pabesia, as qyta e armëve tinzare pas shpine në mes të qytetit, as presionet e ndryshme’ nuk do të mund ta ndalin në misionin e tij.
Ai ka shprehur gjithashtu besimin te Policia dhe organet përgjegjëse për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të porositësve të saj.
Reagimi i kreut të AKU Shkodër:
Ju falënderoj nga zemra për solidaritetin, mbështetjen dhe njerëzillëkun tuaj ndaj meje dhe familjes sime.
Mesazhet, telefonatat dhe kujdesi juaj kanë qenë të panumërta. Për arsye shëndetësore nuk kam mundur t’ju përgjigjem të gjithëve në kohë, por mirënjohja ime është e pafund.
Shkodra ka treguar edhe njëherë se, përtej bindjeve apo ndasive, di të bëhet bashkë kur duhet. Kjo është forca dhe fisnikëria e këtij qyteti.
Besimi juaj ndaj meje nuk është thjesht mbështetje është amanet, është forcë që më mban në këmbë edhe në ditët më të vështira. Është përgjegjësi dhe detyrim moral për t’i shërbyer këtij qyteti me dinjitet, ndershmëri dhe përkushtim qytetar.
As pabesia, as qyta e armëve tinzare pas shpine në mes të qytetit, as presionet e ndryshme nuk do të mund të më ndalin apo të më zbehin parimet e mia për të ecur drejt, lirshëm dhe me ndërgjegje të pastër.
Sepse plagët nuk janë vetëm në trup ato mbeten në shpirt. Por shpirti im nuk përkulet.
As në lule të ballit nuk më tremb dora tinzare e pabesë e natës. Nuk më trembin e as më mposhtin.
Pas kësaj dhimbjeje, e goditje pas shpinde kam ndjerë dorën dhe zemrën e qytetarëve të mi. Dhe kjo më jep forcë të mos bie, të mos hesht dhe të mos tërhiqem.
Detyra ime ndaj Shkodrës është shërbimi dhe mosdorëheqja përballë së keqes e kërcënive.
Shkodra ka ditur gjithmonë të bëhet krah, besë dhe forcë e përbashkët për qytetin e saj, dhe unë, me përulësi, do të vazhdoj të ndjek atë rrugë me të njëjtin besim e përgjegjësi.
Shpreh besimin tim të plotë tek Policia e Shtetit dhe organet përgjegjëse për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të porositësve të saj jo vetëm për mua, por për vetë qyttetarët.
Shkodra meriton besim.
Shkodra meriton drejtësi.
Me përulësi,
I juaji.
Komente









