ITALI- Profesori italian Michele D’Angelo, pedagog i Biologjisë në Universitetin e L’Aquila-s, u rikthye në Itali pasi u lirua kundrejt garancisë 15 mijë euro. Ai flet për herë të parë pas lirimit dhe për aksidentin ku u përfshi në autostradën Levan-Fier, ku vdiq një 17-vjeçar shqiptar.
“Po, e pranoj, kam pasur frikë. Sidomos në ditët e para, kur gjithçka ishte e pasigurt dhe nuk kuptohej se çfarë drejtimi do të merrte çështja. Pyesja veten nëse do të më duhej të qëndroja atje me muaj, ndoshta me vite. Ishte një mendim rrëqethës, por u përpoqa të mbështetem te besimi në drejtësi dhe në punën e avokatëve të mi”, shprehet ai në një intervistë për median italiane La Repubblica.
Tani është me bashkëshorten, Vanessa Castelli, mes maceve dhe librave të tij, ndërsa do të kthehet edhe mes studentëve. Michele D’Angelo u mbajt në burg për 75 ditë, pasi më 8 gusht u përfshi në një aksident ku fillimisht mbetën të plagosur 4 persona. Aksidenti në fjalë mori vëmendje të madhe në opinionin publik edhe për aktin heroik të policit Klajdi Mustaj, i cili u gjend pranë vendit të aksidentit dhe nxorri nga makina 4 të plagosurit, pasi mjeti rrezikonte të shpërthente nga flakët. Por, vetëm 3 ditë pas aksidentit, një 17-vjeçar nuk u mbijetoi dot plagëve dhe u nda nga jeta në spital.
Për median italiane profesori shprehet se çdo ditë ka menduar për familjen e atij djali dhe boshllëkun me të cilin duhet të përballen. Ndërsa, qëndrimin e tij në paraburgim për një kohë kaq të gjatë e sheh si një masë të tepërt.
“Një masë kaq e gjatë paraburgimi, për një person pa precedent si unë dhe për një akuzë për shkelje të kodit rrugor, më është dukur e tepërt”, thotë profesori italian.
Profesori u arrestua për 3 vepra penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe "Largimi nga vendi i aksidentit". Pas lirimit kundrejt garancisë, profesori italian do duhet të vijë të premten e fundit të çdo muaji në vendin tonë për të zbatuar edhe masën e detyrim paraqitjes.
Intervista e plotë për La Repubblica
Profesor D’Angelo, si kanë qenë këto dy muaj e gjysmë në qeli në Shqipëri?
Michele D’Angelo: Është e vështirë t’i përtypësh të gjitha. Kanë qenë ditë të gjata, të ngarkuara, gjatë të cilave më është dashur të përballem me vetveten, me vetminë, me dhimbjen për atë që ndodhi. Çdo ditë mbartte me vete një peshë emocionale të jashtëzakonshme dhe vetëm tani, duke u kthyer në shtëpi, arrij të marr frymë me të vërtetë.
Arrestimi juaj u duk i tepruar në krahasim me akuzat që ju janë bërë. A keni gjetur ndonjë shpjegim?
Michele D’Angelo: Burgu, një masë kaq e gjatë paraburgimi, për një person pa precedent si unë dhe për një akuzë për shkelje të kodit rrugor, më është dukur e tepërt. Ishte një mendim rrëqethës, por u përpoqa të mbështetem te besimi në drejtësi dhe në punën e avokatëve të mi.
Në atë aksident, fatkeqësisht, humbi jetën një djalë i ri. Doni t’i thoni diçka familjes së tij?
Michele D’Angelo: Po, dhe e them me respekt dhe dhimbje të thellë. Çdo ditë kam menduar për familjen e atij djali, për humbjen e tyre, për boshllëkun me të cilin duhet të përballen.
Si erdhi lirimi juaj? Çfarë do të ndodhë tani, procesi do të zhvillohet në Itali apo do t’ju duhet të ktheheni në Shqipëri si person i lirë?
Michele D’Angelo: Lirimi erdhi pasi gjykatësi shqiptar pranoi garancinë: 15 mijë euro për lirinë. Por e di se duhet të falënderoj punën e palodhur të Farnesinës, të ambasadës, të konsullatës, të avokatit dhe vlerësimin e gjykatësit që njohu sjelljen time bashkëpunuese. Hetimet dhe ekspertizat janë ende në zhvillim, procesi do të zhvillohet në Shqipëri dhe unë jam plotësisht në dispozicion.
Si i kalonit ditët tuaja në ato kushte?
Michele D’Angelo: Ditët kalonin të ndara në gjeste të vogla: lexoja, shkruaja, reflektoja. Përpiqesha ta mbaja mendjen aktive, por ishte mendimi për ata që më mbështesnin ai që më mbante në këmbë. Më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë mbështetja e kolegëve dhe e të gjithë atyre që zgjodhën të qëndronin pranë meje.
Për ju janë angazhuar shumë njerëz.
Michele D’Angelo: Dua të falënderoj Vanessën, partneren time, e cila ka bërë të pamundurën për mua; kryetarin e bashkisë së L’Aquila-s, Pierluigi Biondi; deputetin D’Alfonso; rektorët e Universitetit të L’Aquila-s; drejtoreshën e departamentit tim. Por edhe kolegët, shoqatat shkencore, studentët, miqtë, dhe madje edhe ata që nuk më njihnin, por zgjodhën të besonin në ndershmërinë time. Çdo mesazh, çdo gjest, ka qenë një rreze drite.”
Do të ktheheni menjëherë tek studentët tuaj?
Michele D’Angelo: Dëshira ime më e madhe është të gjej sërish qetësinë e përditshme, të kthehem të jap mësim, të bëj kërkime në laboratorin tim, të rifilloj projektet e mia shkencore dhe të ndaj përsëri dijen dhe pasionin me studentët e mi. Universiteti është shtëpia ime dhe mezi pres të rikthehem në laborator dhe në auditor. Por, para së gjithash, dua të shijoj normalitetin, të përqafoj macet e mia, të qëndroj në shtëpi dhe të drekoj me familjen time. Janë gjeste të vogla që tani kanë një vlerë të jashtëzakonshme./La Repubblica
Komente












Bravo! Ti u ktheve në jetën tënde si më parë. Sikur nuk ndodhi asgjë. Kurse ai 17vjeçarin që e përplase me makinë dhe e braktise, nuk ka ku të shkojë më. As familja e tij nuk mund të gjej më drejtësi tani që ia mbarhe nga Shqipëria.
PërgjigjuDuhet pare si ka qene dinamika sepse ky thote qe kur preu rrugen makina tjeter ishte me shpejtesi. Nuk arrij te justifikoj largimin nga vendi i ngjarjes por edhe aty ky thote qe shkova ne rajon dhe ishin mbyllur. Ec e merre vesh or teeeejjjjj