TIRANE-Rëndohet bilanci nga COVID-i në Shqipëri. Një 69-vjeçar nga Kruja i shtruar te Infektivi ndërroi jetë duke e çuar në 42 numrin e viktimave në total nga fillimi i pandemisë, teksa 4 humbën betejën me sëmundjen vetëm në 24 orët e fundit, 3 dje dhe një sot. Pacienti që ndërroi jetë sot është një 69 vjeçar nga Kruja me leukozë akute, i prekur nga Covid19.
Report Tv mëson se pacienti nga Kruja që ndërroi jetë te Infektivi ka qenë me profesion noter dhe u infektua në QSUT ku shkoi për t'u kuruar nga leucemia akute. Avdi Vathi ka qenë hetues në degën e brendshme me survejimin e diplomatëve të huaj në vendin tonë në kohën e diktaturës.
Ministria e Shëndetësisë thotë se pavarësisht mjekimit intensiv prej 10 ditësh dhe përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk arriti të mbijetojë. Ky është personi i dytë nga rrethi i Krujës që ndërron jetë nga koronavirusi. Para rreth një muaji ndërroi jetë një shitës, i cili kishte sëmundje bashkëshoqëruese.
Ndërkohë që në 24 orët e fundit ka rritje të të shtruarve në spitalin infektiv. Aktualisht po marrin shërbim 64 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar. Në vendin tonë janë aktualisht 682 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 330 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 50 raste pozitive (dje 66), kryesisht raste të reja si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive.
Lajmi i mirë është se 24 orët e fundit janë shëruar 28 qytetarë, duke e çuar në 1114 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 17 raste në Tiranë, 6 në Krujë, 5 në Lezhë, nga 4 raste në Shkodër, Durrës, Fier, 3 në Korçë, 2 raste në Vlorë dhe Elbasan dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Mirditë dhe Sarandë,
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm në zbatimin e protokolleve të sigurisë. "Inspektorati dhe Task Forca në terren vijojnë kontrollet intensive në subjekte, por nevojitet bashkëpunimi i bizneseve dhe qytetarëve për të respektuar rregullat, për të kufizuar përhapjen e COVID19".
Gjithashtu sipas ministrisë "është shumë e rëndësishme që jo vetëm personat e konfirmuar pozitive me shenja të lehta ose asimptomatikë, por edhe ata qytetarë që kanë dyshime se janë të prekur ose janë në pritje të përgjigjes së testit, duhet të qëndrojnë të izoluar në shtëpi, pasi janë burim për përhapjen e infeksionit.
Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, mbani maskat kudo ku ambienti është i mbyllur, bizneset dhe institucionet të respektojnë protokollet e përcaktuara.
Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve. Ministria e Shëndetësisë po bashkëpunon ngushtësisht me Policinë e Shtetit për të mos lejuar asnjë person pozitiv që të thyejë rregullin duke dalë nga karantina, deri në shërimin e plotë. Qytetarët duhet të shmangin grumbullimet masive pasi janë burim infeksioni, të evitojnë ceremonitë mortore dhe vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.
Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid19" mbyllet apeli i shëndetësisë.
COVID-19 – Statistika (19 Qershor 2020)
Testime totale 22806
Raste pozitive 1838
Raste të shëruara 1114
Raste Aktive 682
Humbje jete 42 (Qarku Tiranë 23, Durrës 8, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 317
Durrës 140
Shkodër 112
Vlorë 45
Fier 28
Lezhë 12
Elbasan 11
Korçë 10
Kukës 5
Gjirokastër 1
Berat 1
Mbyllet kopshti numër 9 në Vlorë. Sipas informacioneve, kuzhinierja ka rezultuar pozitive me Covid-19 dhe për këtë arsye, është vendosur mbyllja e kopshtit për të paktën 14 ditë. E infektuara është bashkëshortja e një prej personave të rezultuar pozitiv një ditë më parë në qytet.
Rasti i parë me koronavirus është shënuar në Sarandë dhe bëhet fjalë për një 23-vjeçar. Bëhet me dije se i riu është nga zona e Manastirit, pranë Ksamilit. Ai ka shkuar dje me pneumoni në spitalin e Sarandës, ku ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Ndërkohë, pritet që 23-vjeçari të niset drejt Tiranës. Ndërkohë po gjurmohen kontaktet e të riut për të marrë analizat dhe izoluar përhapjen e koronavirustit
Një edukatore në Tiranë, në çerdhen nr. 11 në Laprakë ka rezultuar e prekur me COVID. Report Tv mëson se në datën 12 Qershor, pra të premten e kaluar në momentin e paraqitjes në punë, në zbatim të protokollit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në çerdhen nr.11 u konstatua një punonjëse me temperature. Që nga ajo ditë, punonjësja nuk është lejuar në mjediset e punës dhe është karantinuar në banesën e saj. Pas raportimit të rastit është kryer edhe tamponi, ku ka rezultuar pozitive. Çerdhja nuk është mbyllur.
Konfirmohet një tjetër rast me COVID në Belsh. Bëhet fjalë për një 24 vjeçar me origjinë nga Belshi por banues në Elbasan, i cili ka rezultuar i infektuar. I riu ka qenë në Itali ku mendohet se e ka marrë virusin, ndërsa është vetëkarantinuar në banesën e tij.
Pesë janë rastet që janë regjistruar në Lezhë në 24 orët e fundit. 4 nga të prekurit janë familjarët e një pacienti të shtruar në QSUT dhe rasti i pestë është gruaja e policit të burgut të Shënkollit që rezultoi dje pozitiv me COVID. Njëra nga familjaret e pacientes që ishte në QSUT dhe që është prekur, e bija është punonjëse në bashkinë Lezhë, duke ngritur alarmin në këtë institucion. Punonjësja e bashkisë është tek Shërbimi Social, drejtoria nuk është brenda godinës së bashkisë. Punonjësja është infektuar nga babai në QSUT. E gjithë drejtoria ku ajo punon në bashkinë e Lezhës është izoluar ndërsa po bëhen analizat. Babai i saj është i shtruar prej disa ditësh në QSUT.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 4 raste të reja me COVID në qytetin bregdetar të Durrësit. Sipas burimeve 2 janë raste në vatra të mëparshme në Sukth dhe 2 janë raste të reja në Durrës. Gjithashtu kanë mbërritur përgjigjet e analizave të punonjësve të bashkisë, të grupit të dytë që iu morën tamponët dhe të gjithë kanë rezultuar negativë.
Sipas drejtoreshës në spitalin e Durrësit vazhdon normalisht puna në të gjithë pavionët, pasi tamponët e personelit dolën negativë. Në lidhje me personat e infektuar ditën e djeshme një është në Durrës dhe personi tjetër në Tiranë.
Avdi vathi ka qene me leucemi akute dhe prandaj vdiq, mos mashtroni kot . Mire thote ai dallkauku Fred Cako qe listat e viktimave te koronavirusit i ben Mero Corapja, por mesa duket ja paska marre eskluzivitetit Carloja i Simit
PërgjigjuShqiperia me keto raste qe po regjistron po behet si Brazili
PërgjigjuShum shpejt do kemi nga 1000raste ne dit por jo si brazili sepse nuk kemi popullsin e brazilit. Por do kemi humbje jetesh totale rreth 1000-2000persona