Kandidati i Partisë Socialsite për Bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj zhvilloi të shtunën një takim me banorët e njësisë bashkiake numër 3, për t'u njohur me problematikat që kjo zonë mbart.
Në çelje të takimit, kandidati i majtë u shpreh se, "Tirana ka nevojë për një kryetar bashkie me energji dhe që jeton në Tiranë e jo në Hollandë (duke shigjetuar Lulzim Bashën). "Jam këtu jo për t'ju bërë premtime boshe, por për të dëgjuar problemet tuaja dhe për të gjetur bashkarisht zgjidhjen e tyre. Unë kam energjinë e mjaftueshme për të marrë Tiranën e për ta kthyer nga Bashkia më e falimentuar e vendit, në atë më të suksesshme. Jam me energji dhe motivim maksimal për fitoren e 21 qershorit, pasi dua që Tirana të kthehet në një qytet model", theksoi Veliaj, teksa premtoi se do të jetë për Tiranën 24 orë në 24 në 7 ditë të javës dhe jo në Hollandë si dikush tjetër (Lulzim Basha).
I pyetur lidhur me infrastrukturën, Veliaj u shpreh se, Tirana tashmë është kthyer në një kaos total. "Nëse katër vite më parë, kur në krye të Bashkisë ishte Kryeministri aktual, Edi Rama, Tirana kishte marrë një formë, në këto katër vite regresi është i jashtëzakonshëm. Por, ne duhet ta çojmë politikën në drejtimin e duhur, duke mos u marrë me gjetjen e fajtorit, por duke u marrë me gjetjen e zgjidhjeve. SHQUP-i ka nisur të dalë tre herë në ditë e të thotë se fajin për këtë katandi të Tiranës e ka Edi Rama. Unë pashë buxhetin dhe vura re se buxheti i menaxhimit të rrugëve dhe transportit publik është 17 miliard lekë dhe janë harxhuar 9 miliard lekë, pra 54% buxhetit", vijoi ai.
"Kur ti nuk shpërndan dot të ardhurat në kohën kur ti ke pushtetin vendor, ti je i paaftë. Unë e kuptoj, që kur një njeri shpezon atë që ka, mund të kërkojë të tjera, por kur ti nuk ke shpenzuar ato që ke përse i do parat e tjera. Basha është si ai djali i vogël qaraman, që s'di ku si t'i harxhojë lekët. Por unë premtoj se së bashku me ju do dimë të shpërndajmë paratë me efiçencë dhe të kthejmë dinjitetin e Tiranës", tha Veliaj, i cili i kërkoi banorëve të zonës të bëjnë një listë me rrugët më problematike të kryeqytetit dhe së bashku do të punojnë për t'i rregulluar ato.
Duke folur për plehrat dhe pastërtinë e qytetit, Veliaj u shpreh se është e pamundur që Basha të merret me pastrimin e qytetit, pasi ai rri në Hollandë dhe nuk e di se çbëhet këtu. "Kreu i SHQUP-it del nga zyra, hipën në makinë, shkon në aeroport për tu nisur për në Hollandë. Ai nuk e di baltën që ka në Tiranë dhe kur ai nuk është këtu, s'ka si të jenë punonjësit e tij. Kur mungon macja hedhin valle minjtë", shtoi Veliaj.
Ai tha se, "si është e mundur që të gjithë shqiptarët, të varfër apo jo e mbajnë shtëpinë të pastër, teksa Bashkia nuk di të menaxhoj një qytet".  "Ne në ministri me 83 veta staf bëmë një sërë reformash. Stategjia e rinisë, pensionet, etj etj, ndërsa bashkia 560 veta nuk pastrojnë dot qytetin. Por kur jeton në Hollandë, nuk mund ta dish problemin dhe investon vetëm 30,8% të buxhetit dhe më pas i hedh fajin Edi Ramës. Këtë bëri bashkia sot. Ne mendojmë se pastrimi i qyteti duhet të jetë një mision i të gjithëve. Pasi të gjithë së bashku duke punuar nga pak mund të mbajmë pastër shtëpinë tonë, oborrin, por edhe një pjesë të lagjes", tha Veliaj.
I pyetur për bujqësinë, ish-Ministri i Mirëqënies Sociale premtoi më shumë angazhim nga pushteti lokal, pasi problematika është e njëjtë me ato që u sqaruan më lartë./atsh/