Vetëm një ditë pasi opozita nisi përgatitjet e aksionit kundër qeverisë Rama, duke paralajmëruar mosbindje civile, kreu demokrat, Lulzim Basha, ka mbledhur deputetët e djathtë, kryetarët e bashkive dhe disa krerë të degëve në selinë blu.

Takimi i Bashës me deputetët, kryebashkiakët e djathtë dhe krerët e degëve të PD në rrethe ka pasur në fokus aksionin opozitar për mosbindjen civile, i cili mësohet se do të nisë ditën e enjte, në orën 10-13, në të njëjtën kur mblidhet dhe Parlamenti.

Dje, Basha dhe Kryemadhi deklarua pas takimit të përbashkët të grupeve parlamentare se mosbindja civile do të nisë brenda javës, ku do të ketë bllokim të rrugëve. Burime të Report Tv bëjnë me dije se selia blu ka vendosur sot bllokimin e katër akseve rrugore në kryeqytet.

Ndërkohë, mbrëmjen e kaluar, në studion e Report tv, në emisionin ‘5 Pyetje nga Babaramo, nënkryetari i PD, Edmond Spaho, tha se mosbindja civile do të nisë me bllokim rrugësh, për të vijuar me bllokim institucionesh dhe deri te bllokimi i punës në Kuvend.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:01
Protesta fut në sherr PD, Mziu tenton të godasë Strazimirin, ndërhyn Basha

Ka degraduar në sherr mbledhja e sotme e krydemokratit Lulzim Basha me deputetët e djathtë, kryebashkiakët dhe krerët e degëve. Protesta ka tensionuar situatën mes demokratëve, duke futur në sherr vartësit e Lulzim Bashës. 

Situata ka dalë jashtë kontrollit në mbledhjen e pasdites së sotme mes kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, dhe deputetit Gent Strazimiri, në selinë blu. Report Tv mësoi se kryebashkiaku Mziu ka debatuar ashpër me deputetin Strazimiri, të cilin ka tentuar dhe ta godasë me grusht.

Pamje nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PD

Ndërhyrja e deputetëve të tjerë ka shmangur përplasjen fizike. Shkak i debateve kanë qenë pretendimet e palëve se kush angazhon më shumë njerëz në protesta.

Gent Strazimiri është shprehur se në protestat para komisariatit nuk ka pasur shumë protestues nga Kamza dhe Vora. Burime nga mbledhja bëjnë me dije se kjo ka acaruar situatën dhe Mziu ka hedhur poshtë deklaratat e Strazimirit. Në debate e sipër, Xhelal Mziu është ngritur të godasë Strazimirin. Debatet kanë qenë të ashpra dhe është dashur ndërhyrja e Lulzim Bashës për të shuar këtë debat.

Kryedemokrati Basha teksa i ka tërhequr vërejtje Mziut dhe Strazimirit është shprehur se sjellje të tilla dëmtojnë PD dhe opozitën. Gazetarja e Report Tv Erneta Shevroja ka tentuar të marrë një reagim nga kryebashkiaku i Kamzës, por ky i fundit ka refuzuar.

PD dhe LSI kanë nisur përgatitjet për mosbindje civile, që do të nisë ditën e enjte. Krerët e partive opozitare, Lulzim Basha i PD dhe monika Kryemadhi e LSI, iu kanë bërë thirrje qytetarëve të mos paguajnë asnjë taksë, ndërsa plani i tyre është bllokimi i rrugëve në vend.