Votimi elektronik fut në ngërç
Reformën Zgjedhore

TIRANE- Të gjitha palët politike janë dakord që teknologjia në zgjedhje përmirëson proçeset elektorale në Shqipëri.

Këtu u fokusua diskutimi i sotëm 3 orësh i Komisionit për Refomën Zgjedhore. Por ishte roli i OSBE-ODIHR në këtë proces ai që ndan palët deri në braktisjen që PD i bëri Komisionit pas disa orë debatesh.

Demokratët kërkuan ekspertizë nga ekspertët e IT-ve, por për kreun e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ekspertiza është e gatshme, ajo e vitit 2012.

Ai tha se duhet ekspertizë ndërkombëtare pasi Shqipëria nuk ka ekspertët të posaçëm në fushën e zgjedhjeve dhe modelet thjesht adaptohen.

Ajo që shkaktoi kulmin e debatit ishte propozimi i Partisë Demokratike për të mandatuar me vendim ekspertët për të sjellë një ekspertizë për këtë çështje, por socialistët e kundërshtuan këtë, duke kërkuar më parë një opinion nga OSBE/ODIHR.

Në këto kushte bashkëkryetari demokrat hodhi për votim propozimin e tij, çka mori votën kundër të maxhorancës. Votën pro e dhanë vetëm deputetët e djathtë, ndërsa Balla votoi kundër.

Por në vendimin e themelimit të këtij komisioni bipartizan është përcaktuar që nëse dy partitë e mëdha votojnë kundër një vendimi, pavarësisht votave ai nuk konsiderohet i miratuar.

Pas kësaj deputetët e opozitës kanë braktisur mbledhjen e komisionit të reformës zgjedhore.

Pas këtij momenti të dy bashkëkryetarët e komisisionit si Taulant Balla dhe Oerd Bylykbashi dolën në deklarata për mediat duke akuzuar palën kundërshtare për mungesë vullneti për këtë reformë.



Debatet pas te cilave u largua PD nga Komisioni
Bylykbashi: Zgjidhja është e thjeshtë dhe zgjidhja të vijë me propozim.

Islami: Në qoftë se nuk futet votimi elektronik dhe dekriminalizimi, zgjedhjet për ne nuk janë të lira dhe të ndershme. Nuk ka zgjedhje por ka thjesht votim.

Bylykbashi: Kam bërë propozim që të japim detyrën për votimin elektronik. E hedhim në votim. Të na sjellin propozimin për identifikimin biometrik, votimin dhe numërimin elektronik. Kush është dakord për këtë propozim? U përdor për herë të parë që nga viti 2002 e deri më sot u përdor një votim me veto që komisioni shpreh qëndrimin politik të mazhorancës. Mbledhja mbyllet.

Balla: Mbledhja nuk mbyllet. Kemi një propozim që u propozua nga zt.Mediu dhe Islami që vendimi të përfshijë përfshirjen e ekspertëve. Jemi dakord, por përpara ekspertët të na përgatisin një material të plotë se në cilat vende përdoret teknologjia për votimin elektronik, numërimin elektronik dhe e treta një zgjidhje tërësore. Ka burrëri dhe duhet të ketë qëndrueshmëri. Kjo seancë sot është teatri më i mirë që duhet të shohin shqiptarët që pas 3 orësh, iket me urdhër në telefon të Saliut apo Lulit.

U hodh në fillim diçka që nuk kishte pasur dakordësi. Nuk kam besuar kurrë që kemi ngritur një komision të reformës zgjedhore dhe Partia Demokratike thotë se nuk kemi nevojë të pyesim OSBE/ODIHR-n për fizibilitetin e teknologjisë. Nëse KQZ, OSBE-ODIHR na garantojnë se ka teknologji për ta implementuar hajde ta bëjmë. Kjo partia që sapo bojkotoi Kuvendin dhe me sa duket do të bojkotojë edhe Parlamentin dhe me ç’duket do të bojkotojë edhe zgjedhjet, nuk bën dot teatër me ne. Këta zotërinjtë duhet të kuptojnë që ky vendim kaq i rëndësishëm nuk mund të merret pa konsultën e OSBE/ODIHR.

PD largohet nga komisioni pa diskutuar asnjë fjalë për financimin e partive në fushatë. Kjo mbledhje do të jetë e hapur derisa këta që u larguan me urdhër politik të kthehen. Këta nuk duan reformë zgjedhore me një sjellje të këtij lloji.

Diskutime te tjera ne nisje te punimeve te Komisionit
Bashkëkryetari demokrat në këtë komision, Oerd Bylykbashi tha se komisioni duhet të përqendrohet tek çështjet kryesore që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me garantimin e një procesi zgjedhor të ndershëm. Sipas Bylykbashit, opozita propozon uljen e shpenzimeve për fushatën në mënyrë që partitë politike të financohen nga buxheti i shtetit. “Zgjedhjet nuk mund të jenë peng i parasë kriminale”, tha ai.

Na shtrohet përpara një dokument, i cili do të jetë shtylla kurrizore e punës tonë. Një gjë duhet të jetë e padiskutueshme; shqetësimet themelore për zgjedhjet duhet të trajtohen me dinjitet. Çështja e zgjedhjeve është primare. Diskutime të llojit se kush është mandati i këtij komisioni, janë justifikime, të cilat bëhen për të shmangur zgjidhjen e çështjeve reale që kanë zgjedhjet.
Ky dokument duhet të shikohet në mënyrë të kujdesshme për të përcaktuar se kush janë çështjet që duhet të diskutohen pa diskutim! Këto çështje janë: numërimi elektronik, identifikimi biometrik në mënyrë integrale që të shmanget marrja e kartave të zgjedhësve, që nuk është blerje vote apo anulim i të drejtës së votës. Korruptimi i komisionerëve. Financimi publik që kemi ngritur është i domosdoshëm. Zgjedhjet nuk mund të jenë peng i parasë kriminale që më pas subjektet blejnë shtetin dhe kthehemi në oligarki.
Duhet të reduktojmë shpenzimet në mënyrë që buxheti i shtetit të financojë partitë në mënyrë të shëndetshme. Shitblerja e votës duhet të kthehet në vepër penale e rëndë. Strukturat e reja për të goditur korrupsionin duhen ta kenë prioritet këtë çështje. Të gjitha çështjet që propozon opozita janë të bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-t. Për ndryshe, zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri nuk ka
".

Por bashkëkryetari tjetër i komisionit, Taulant Balla tha se maxhoranca nuk ishte kundër votimit elektronik.
Unë nuk shoh që kemi ndasi të mëdha dhe të bëjmë diskutime të mëdha. Më lejoni t’ju them kush është pozicioni im si bashkëkryetar për çështjen e votimit elektronik. Nuk kam thënë kurrë këtu se jam kundër sepse e kam kërkuar vetë 5 vite më parë. Jam shumë pro. A kemi mundësi të krijojmë një sistem të plotë? Jemi pro! Por, për këtë çështje propozimi im është që pasi ne të kemi shprehur të gjithë dakordësinë, dhe për këto çështje të pyesim OSBE/ODIHR. Nëse ne e miratojmë tani këtë, kemi kohë në dispozicion? OSBE ka thënë se duhet të bëhet një studim fizibiliteti. Kjo nuk na përket ne pastaj”.

Kreu i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, gjatë mbledhjes së komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, deklaroi se janë shumë vonë me diskutimin.

Unë nuk di të shpreh keqardhjen apo fatmirësisht më në fund pas 1 viti, po fillojmë të kemi një produkt konkret. Kemi një vit që sorollatemi dhe sot kemi një matricë për të filluar punën. Edhe kur flasim për zgjedhje jo transparente, në radhë të parë kjo vjen nga dy partitë kryesore që ruajnë administrimin politik të zgjedhjeve, që nga KQZ-ja, dhe nga gjithë strukturat e tjera të menaxhimit zgjedhor. Të gjithë jemi në favor të identifikimit, numërimit dhe votimit elektronik.
Unë nuk e kuptoj se pas një viti vërtitemi prapë në të njëjtin diskutim. Ky komision të mos mblidhet një herë në 3 muaj. Të mblidhemi dy herë në javë. Të shohim se si mund të veprohet me numërimit elektronik. Për çështje të tjera si financimi, mediat, dekriminalizimi, ne jemi dakord.
Unë kërkoj që në qoftë se jemi dakord të fillojmë punën duke shpejtuar punën e këtij komisioni, të fillojmë punën duke u mbledhur dy herë ose tre herë në javë për çështjet më sensitive. Edhe në mbledhjen e para 6 muajve, kemi kërkuar nga KQZ-ja apo ata që na asistojnë për të parë mundësinë e teknologjisë për votimin, identifikimin dhe numërimit elektronik
".

Balla prezanton 36 tematikat
Në mbledhjen e komisionit, bashkëkryetari Tualant Balla tha se ekspertët kanë bërë gati një material me 36 tematika, mes të cilave dhe financimi i partive.

Ekspertët kanë bërë gati një material, ku janë identifikuar 36 tematika propozimesh. E para, financimi i partive, financimi i fushatave, transparenca e partive, transparenca e fushatës, transparenca e financimit, kandidimi, kontrolli ligjor mbi financimit, administrata zgjedhore, kapacitetet, caktimi i vëzhguesve, numërimi dhe vëzhguesve, trajnimi i komisionerëve, kostot e financimit, mediat, propaganda zgjedhore, materialet zgjedhore, sondazhet zgjedhore, administrata dhe  infrastruktura publike, sistemi zgjedhor, përllogaritja dhe ndarja e mandateve, ndërprerja e mandateve, ulja e pragut elektoral për partitë e koalicionit, sistemi i votimit, sistemi i numërimit, lista e zgjedhësve, votimi i emigrantëve, kodi penal dhe krimet elektorale”.

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu paraqiti propozimet e partisë së tij dhe katër partive të tjera të vogla. Ai i mëshoi faktit për numërimin elektronik por dhe u ndal dhe tek Dekriminalizimi.
“ Votimi elektronik, numërimi elektronik, procesit të dekriminalizimit si një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm, uljen e kostos së fushatës së zgjedhjeve dhe mënyrën e përdorimit të financave të buxhetit të shtetit, shmangien e parave të krimit dhe të korrupsionit, si dhe garantimi i aksesit në media i aktiviteteve të partive politike”.

Mbledhja vjen pas debateve kohët e fundit mbi teknologjinë në votim.
Partitë e vogla ndahen për sa i përket teknologjisë, ato të rreshtuara pranë opozitës kërkojnë votim dhe numërim, ndërsa Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, por dhe partia “LIBRA” propozon që elektronika të përdoret vetëm në numërim e votave.
Opozita ka paralajmëruar bojkot të Kuvendit nëse nuk pranohet votimi dhe numërimi elektronik në zgjedhjet e 18 qershorit.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Bulqizë/ Qytetari denocon: Qëlluan me armë zjarri në qytet! Policia gjen motorin e djegur

Bulqizë/ Qytetari denocon: Qëlluan me armë zjarri në qytet! Policia gjen motorin e djegur