'Asgjë nuk harrohet'/ Rrëfehet i penduari, SPAK zbardh vrasjet e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut! Urdhër arreste për Emiljano Shullazin, Lul Berishën dhe 5 bashkëpunëtorë

TIRANË- SPAK ka njoftuar sot se ka zbardhur dy vrasje të  bujshme që kanë tronditur vendin vite më parë. Bëhet fjalë për vrasjet e Vajdin Lamajt dhe Klodjan Saliut para disa vitesh. SPAK akuzon Emiljano Shullazin, Lul Berishën dhe bandat e tyre si të përfshira në këto dy ngjarje.

Rihapja e hetimeve ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit Luftar Reçi. Lul Berisha dhe Plarent Dervishaj (kunati i Berishës) aktualisht janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa Indrit Taullai, Luftar Reçi (i penduar), Viktor Ymeri dhe Emiljano Shullazi janë arrestuar. Ndërkohë është urdhëruar ndalimi për Indrit Rusin.

Hetimet për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve, por më pas, pas dëshmisë së të penduarit është bërë e mundur zbardhja e vrasjes së Klodjan Saliut, Vajdin Lamajt, ku vdiq dhe miku i tij Artan Arsi. SPAK ka rifilluar hetimet dhe ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm. Hetimi për këto vrasje është bashkuar në një të vetëm, sepse Lul Berisha dhe Emiljano Shullazit dhe bandat e tyre akuzohen se kanë bashkëpunuar për vrasjen Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit në ashensor në banesën e tij. Ndërkohë Lul Berisha akuzohet gjithashtu dhe për vrasjen e Klodjan Saliut dhe Osman Truma. Ngjarjet e rënda kanë ndodhur në datat 26 shkurt dhe 27 shkurt të vitit 2005, pa kaluar as 24 orë.

1607456691_shullaziberisha.jpg

Emiljano Shullazi, Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Taullai dhe Viktor Ymeri

Mësohet se i gjithë operacioni është koduar "Asgjë nuk harrohet" dhe janë angazhuar 60 efektiv policie.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, ka kryer hetime në funksion të procedimit penal nr.252 të vitit 2020. Hetimet e këtij procedimi penal kanë të bëjnë me dy ngjarje të ndodhura para 15 vitesh, autorët e të cilave nuk ishin zbuluar.

Më konkretisht bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në datën 26.02.2005, ku rreth orës 22:00, në vendin e quajtur autostrada Tiranë – Durrës në drejtim të Tiranës, në segmentin rrugor Durrës – Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. Saliu, i cili po lëvizte me autoveturën e tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C. Nga këto goditje me armë zjarri ka mbetur i vdekur shtetasi K. Saliu, si dhe është plagosur shtetasi O. Truma, i cili ndodhej në automjet nën shoqërinë e viktimës.

Ngjarja e dytë është ajo e datës 27.02.2005, ku rreth orës 23:50, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse, kanë gjetur vdekjen shtetasit V. Lame dhe A. Arsi. Ngjarja ka ndodhur në pallatin ku banonte viktima V. Lamaj, me adresë Kulla Nr.2, Lagja nr.9, rruga “Dervish Hima”, Tiranë. 

Hetimet e procedimeve të regjistruara për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve të veprës penale. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rifilluar hetimet e këtyre procedimeve dhe pas regjistrimit të tyre në regjistrin e procedimeve penale ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm.

Pas rifillimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme grumbulloi prova të cilat krijonin dyshime të arsyeshme në lidhje me autorët e këtyre dy ngjarjeve të rënda kriminale. Më tej Prokuroria ju drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj 6 të dyshuarve.

Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.115 datë 02.12.2020 ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasve:

Berisha, P. Dervishaj, I. Taulla dhe L. Reci, të dyshuar për veprat penale të të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit Kleidi (Klodjan Saliu), “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 78, 28/4, 278, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a të Kodit Penal.
Gjithashtu, po me këtë vendim Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasve E. Shullazi dhe V. Ymeri (Imeraj), E. Shullazi për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a të Kodit Penal në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 07.12.2020 ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj shtetasit V. Ymeri. Gjithashtu në datën 06.12.2020 falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Republikës së Kosovës u bë e mundur që të kapej në qytetin e Prizrenit shtetasi I. Taulla. Për këtë shtetas kanë filluar procedurat e ekstradimit të tij nga Republika e Kosovës.

Ndërsa në datën 08.12.2020, Policia Gjyqësore ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit E. Shullazi (aktualisht i paraburgosur për një vepër tjetër penale). 

Nisur nga dinamika e hetimeve, në datën 07.12.2020 Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e shtetasit I. Rusi, i dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 78, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Për shtetasit L. Berisha dhe P. Dervishaj është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe po punohet ngushtësisht me autoritetet e huaja për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Hetimet dhe ekzekutimi i masave të sigurimit janë kryer në bashkëpunim të ngushtë dhe shumë efikas me Drejtorinë Hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

Zbulimi dhe përballja me ligjin e autorëve të veprave penale të rënda dhe akoma të pazbuluara ngelet një ndër prioritetet e Prokurorisë së Posaçme. Të gjithë qytetarët që kanë dijeni në lidhje me këto ngjarje kriminale janë të lutur që të deklarojnë në Prokurori duke i garantuar ata për seriozitetin dhe gatishmërinë e Prokurorisë së Posaçme për ti shkuar deri në fund të hetimit me qëllim vënien para përgjegjësisë penale të autorëve", njofton SPAK. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:40
Skeda/ Kush është Luftar Reçi, i penduari i SPAK që 'spiunoi' dy prej bosëve më të mëdhenj të krimit, Shullazin dhe Lul Berishën (VIDEO)

I akuzuar për vrasje dhe trafik droge dhe prej 11 vitesh në burg, emri i Luftar Reçit është rikthyer në qendër të vëmendjes sot për shkak të rolit kyç që ka pasur në hetimet e bujshme të SPAK, për akuzat ndaj dy prej bosëve më të mëdhenj të krimit në Shqipëri, Lulzim Berisha dhe Emiljano Shullazit dhe bandat e tyre. Informacionet që ai ka dhënë si i penduar në dy vrasjet e bujshme të 26 dhe 27 shkurtit 2005 janë kyç për akuzat që SPAK artikuloi sot.

Luftar Reçi është vënë në pranga në vitin 2009, pasi ishte shpallur në kërkim në vitin 2005, i dyshuar atëherë për disa ngjarje kriminale dhe i akuzuar për vrasjes e Maks Lalës. Ai është vëllai i ish-biznesmenit Agim Reçi. Ky i fundit u ekzekutua në mënyrë mafioze rreth një vit më parë.

Luftar Suleman Reçi ka qenë i akuzuar për ‘vrasje me paramendim‘, e kryer në bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal, si dhe të ‘trafikimit të lëndëve narkotike‘".

Reçi së bashku me nipin e tij Taulant Elezi, më 8 maj 2005, në aksin rrugor të autostradës Milot-Burrel, në afërsi të Ulzës, kanë vrarë me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës Maksim Aleks Lalën. Pas kryerjes së këtij krimi të rëndë, kanë djegur trupin e viktimës me napalm, duke e hedhur në vendin e quajtur "Ura e kallamishtesh" në Burrel.

Pas izolimit në burgun e sigurisë së lartë, në Burrel, Reçi është vizituar disa herë nga atëherë drejtori i Krimeve të Rënda pranë Ministrisë së Brendshme Agron Kuliqi.  Zbritjet e tij të bujshme nga helikopteri i kësaj ministrie në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit verilindor tërhoqi vëmendje të madhe në qytet.

Për vrasjen e Maksim Lalës, Luftar Reçi është dënuar me 25 vite burg.  

Ora 19:37
Skeda/ Kush është Emiljano Shullazi dhe anëtarët e grupit! Krimet nisin që në 1999

Emiliano Shullazi është një personazh i njohur për policinë kriminale në vend, por veçanërisht në kryeqytet dhe në Durrës. Në këto qytete ai ka qenë i dyshuar për aktivitete të ndryshme kriminale. Për gjatë viteve, Shullazi është akuzuar për krime të ndryshme të rënda që nga vrasjet, shpërthimet me eksploziv, apo trafik dhe shitje e shpërndarje droge, si dhe akuza të tjera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në mënyrë të vazhdueshme ai ka qenë i dyshuar dhe i hetuar disa herë për gjobëvënie dhe shtrëngim me dhunë dhe kanosje për dhënie pasurie, por në shumë pak raste ai është hetuar.

1602683017_shullazi.jpg

Ndërkaq në mënyrë të herë pas hereshme ai është hetuar dhe arrestuar nga policia e kryeqytetit për armëmbajtje pa leje, jo shumë larg banesës së tij.  Me emrin e tij lidhen shumë ngjarje kriminale që kanë tronditur vendin që prej vitit 1999. Prej atij viti dhjetëra të vdekur numërohen nga të gjitha anët e botës së krimit në kryeqytet.

Në nëntor 2011, ai përfundoi një dënim me burg, për akuzën e trafikut të drogës, ndërsa ishte dënuar 7 vite e 4 muaj burg për trafik droge. Ai është dyshuar se ka qenë pjesë e një prej bandave më të egra që vepronte në Tiranë dhe në vend, nga e cila numërohen dhjetëra të vrarë për shkak të konflikteve. Pjesë e grupit ku bën pjesë edhe Shullazi, janë edhe Gilmando Dani, Blerim Shullazi, e persona të tjerë, të përfshirë në trafikimin e drogës dhe të shantazhimit dhe kërcënimit për dhënie pasurie.

Pas lirimit nga burgu në vitin 2011, Shullazi u arrestua sërish, si person i përfshirë në kanosje, ndërsa ai u gjet me armë pa leje nga efektivët e komisariatit nr.2. pas 20 në qeli, ai u lirua.

Ndërkaq me 5 janar të vitit 2012, ai mbeti i plagosur pasi ndaj veturës së tij Volksëagen Golf, u derdhën breshëri plumbash nga persona të panjohur.

Shullazi u arrestua dhe në vitin 2013, gjatë zgjedhjeve parlamentare. Ai u denoncua në atë kohë nga Partia Socialiste për presione dhe shantazhe ndaj komisionerëve të partive politike. Gjatë arrestimit të tij, policia i bllokoi dhe i gjeti radio policie, mjete komunikimi dhe një armë shotgan që mbahej me leje nga një prej personave që shoqëroheshin me Shullazin në momentin e ndalimit.

Në 2016 forcat e komisariatit të policisë nr. 2. arrestuan Emiljano Shullazi dhe Gilmand Danin.

Ora 19:19
'Asgjë nuk harrohet'/ Yuri Kim: SPAK ka marrë një rast të madh të krimit të organizuar, nuk do jetë i fundit

1606552275_yurikim.jpg

Pas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për rinisjen e hetimit kundër grupeve kriminale të Lulzim Berishës dhe Emiljano Shullazit ka reaguar ambasadorja Yuri Kim.

Përmes një postimi në Twitter, Kim shkruan se ky është një rast i madh i goditjes së krimit të organizuar nga SPAK dhe nuk do të jetë i fundit.

Ajo shkruan se shpreson që SPAK të vazhdojë të demonstrojë forcë dhe integritetin e saj përmes hetimeve të tilla.

"SPAK ka marrë përsipër një rast tjetër të madh të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky nuk është hetimi i parë nga SPAK, dhe nuk do të jetë i fundit. Shpresojmë që SPAK do të vazhdojë të demonstrojë forcën, integritetin dhe aftësinë e tij përmes hetimeve të tilla" - shkruan Kim.

SPAK has taken on another major case of organized crime & corruption. This is not the first such action by SPAK, and it will not be the last. We hope SPAK will continue to demonstrate its strength, integrity & competence through such actions. https://t.co/QTVXnvD0rv

— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) December 8, 2020

 

Ora 19:15
Foto ku Plaurent Dervishaj, kunati i Lul Berishës, kërkohet ndërkombëtarisht

Lul Berisha dhe kunati i tij Plaurent Dervishaj janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në dy atentatet e bujshme ku humbën jetën Klodian Saliu dhe Vajdin Lamaj. Në foton e Plaurent Dervishajt  që kërkohet ndërkombëtarisht akuzohet për grup të strukturuar kriminal, vrasje me paramendim dhe armëmbajtje të armëve dhe municioneve luftarake.

Plaurent Dervishaj në kerkim nderkombetar
Ora 19:06
Si u vra Klodian Saliu dhe historiku i lidhjes së tij me bandën e Durrësit

Klodian Saliu, anëtar i bandës famëkeqe të Durrësit, u vra me 26 shkurt të vitit 2005. Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata u nda në dy të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata u kthyen në rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre.

Për këtë SPAK akuzon Lul Berishën dhe bandën e Durrësit se ka vrarë Klodian Saliun më datë 26.02.2005 rreth orës 22:00, në vendin e quajtur autostrada Tiranë – Durrës në drejtim të Tiranës, në segmentin rrugor Durrës – Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj, Saliu u qëllua me armë zjarri, teksa ishte duke udhëtuar me makinën tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C.

Nga këto goditje me armë zjarri Saliu mbeti i vdekur në vend ndërsa u plagos Osman Truma, i cili ndodhej në automjet nën shoqërinë e viktimës.

24 orë më pas u ekzekutua Vajdin Lamaj dhe për këtë akuzohet Emiljano Shullazi me Viktor Ymerin me bashkëpunimin e bandës së Durrësit.

Ora 19:02
Vrasjet e bujshme të vitit 2005, të vdekur edhe Artan Arsi dhe Osman Truma

1606989299_SPAK1.jpg

Në 2 çështjet e mëdha që ka rihapur SPAK dhe janë miratuar urdhërarreste për Lulzim Berishën, Emiljano Shullazin dhe katër të tjerë kanë mbetur të vdekur katër persona.

Përveç Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt në dy ngjarjet e rënda kanë mbetur të vdekur edhe Artan Arsi dhe Osman Truma.

Ora 18:58
SPAK rinisi hetimet/ Si u ekzekutua në 2005 Vajdin Lame dhe truproja e tij me eksploziv në ashensor (SKEDA)

Presidenti i Federatës së Boksit Vajdin Lame dhe truproja e tij, Artan Arsi, u vranë më 27.02.2005, rreth orës 24.00 në njërën nga kullat mbrapa stadiumit “Qemal Stafa”.   Dy viktimat janë përballur me një sasi të konsiderueshme eksplozivi posa kanë vënë këmbë në ashensor. Tritoli ishte i pajisur me telekomandë dhe qe vendosur në një nga anët e ashensorit, duke realizuar shpërthimin në katin e pestë të kullës, ku dhe banonte Lame. Presidenti i Federatës së Boksit ka vdekur në vend, ndërsa Arsi gjatë rrugës për në spital.

Ora 18:56
Skeda/ Kush është Lulzim Berisha, krimet e Bandës së Durrësit

Lulzim Berisha njihet si truri i “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda. Banda nisi të veprojë në Durrës prej vitit 1998, kur Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Seriali i vrasjeve u bë edhe më i qartë kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.

Njëri prej tyre, Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia, duke treguar një pjesë të mirë të shkaqeve dhe autorëve të ngjarjeve kriminale.

Historiku i krimeve të Bandës së Durrësit

17 tetor 1998

Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, më 17 tetor të vitit 1998 në qytetin e Durrësit. Kjo mbahet si vepra e parë kriminale e këtij grupi.

29 tetor 1998

Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, organizata e Berishës dhe Saliut akuzohet se ka kryer dy vrasje të tjera. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor 1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri

22 gusht 1999

Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998 është zënë në pusi nga ana e grupit të Berishës dhe Saliut. Më 22 gusht 1999, Marsel Sotiri ekzekutohet në një pritë, në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit.

9 korrik 2000

Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet nga prokuroria e policia edhe për një tjetër vrasje. Këtë herë ata kanë kryer atentatin ku u vra shtetasi Dritan Disha. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit

14 janar 2002

Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha-Saliu. Më 14 janar të vitit 2002 i kanë zënë pritë dhe më pas ka kryer ekzekutimin e shtetasit Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit

2003

Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre

26 shkurt 2005

Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Kjo vrasje është kryer në autostradë më datë 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.

13 tetor 2005

Vetëm 9 muaj ka vonuar kundërpërgjigjja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle dhe akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit.

30 tetor 2005

Hakmarrja e grupit të kryesuar tashmë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq, por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e shtetasit Ilir Kolgjini, i njohur si mik i Lul Berishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Ku do të pushoni këtë verë?



×

Lajmi i fundit

John

Juliana Pasha dhe Lulzim Basha