Debati për ‘Zvërnecin’ u transferua ditën e sotme edhe në Parlamentin Europian, ku krerët e Grupeve Parlamentare të PS dhe PD, Taulant Balla dhe Gazment Bardhi, 'u përplasën' me njëri-tjetrin gjatë një takimi të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit.
Balla, gjatë fjalës së tij ka theksuar se BE është standardi me të cilin qeveria shqiptare mat transformimin dhe zhvillimin çdo ditë, përmes çdo reforme. Duke folur për ‘Zvërnecin’, Balla tha se Qeveria shqiptare respekton plotësisht standardet për mjedisin, teksa shtoi se qëllimi kryesor i Ekzekutivit është përmirësimi i jetesës për çdo qytetar shqiptar.
"Respektojmë detyrimet tona ndaj BE-së. Evropa është standardi me të cilin masim transformimin dhe zhvillimin, çdo ditë, me çdo reformë. Respektojmë standardet në çdo fushë, përfshirë edhe mjedisin, por duam të jetë e qartë se qëllimi kryesor është përmirësimi i jetës së çdo qytetari shqiptar. Ata na zgjedhin dhe atyre u shërbejmë", tha mes të tjerash Balla.
Balla theksoi gjithashtu rëndësinë e luftës kundër dezinformimit, duke kërkuar që debatet të bazohen në fakte dhe informacion të verifikuar.
“Dezinformimi e zëvendëson debatin me manipulimin, faktet me gënjeshtrat dhe besimin me dyshimin. Lufta kundër dezinformimit është mbrojtje e së vërtetës, e lirisë dhe e vetë demokracisë”, tha ai.
Më tej, Balla shtoi se Shqipëria po pret përmbylljen e tre kapitujve të negociatave dhe vijimin e punimeve në Konferencën e radhës Ndërqeveritare, duke e cilësuar këtë një zhvillim përtej një procedure teknike.
“Europa nuk është thjesht një destinacion për Shqipërinë. Europa për ne është standardi me të cilin masim transformimin e vendit tonë, ditë pas dite, reformë pas reforme, institucion pas institucioni”, u shpreh Balla.
Ai falënderoi institucionet e Bashkimit Europian, shtetet anëtare dhe partnerët europianë për mbështetjen ndaj Shqipërisë, duke përmendur edhe rezolutën e fundit të Parlamentit Europian për vendin.
“Ky ishte një mesazh i qartë politik se progresi i Shqipërisë njihet, se rruga jonë e reformave është e besueshme dhe se perspektiva jonë europiane është reale”, deklaroi Balla.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi është shprehur se shumica parlamentare në Shqipëri refuzoi debatin e kërkuar nga opozita mbi Rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, gjë që sipas tij ngre edhe shqetësime serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve demokratike.
"Me forcën e kartonit, shumica parlamentare refuzoi debatin e kërkuar nga opozita mbi Rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, që ngre edhe shqetësime serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve demokratike", ka theksuar Bardhi.
Më tej Bardhi pretendoi se mazhoranca nuk merr në shqyrtim nismat e opozitës. Bardhi deklaroi se pas Rezolutës së fundit të PE-së për Shqipërinë, opozita vendosi t’i kthejë një pjesë të rekomandimeve të saj në nisma konkrete ligjore, por sipas tij, asnjëra prej tyre nuk është marrë në shqyrtim.
"Së pari, Parlamenti nuk merr në shqyrtim nismat e opozitës. Pas Rezolutës së fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, opozita vendosi t’i kthejë një pjesë të rekomandimeve të saj në nisma konkrete ligjore. Asnjëra prej tyre nuk përfshihet në shqyrtim", shtoi Bardhi.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi është shprehur se Kuvendi i Shqipërisë është zhveshur nga funksioni i tij dhe u shërben vetëm ligjeve korruptive.
“Parlamenti po largohet çdo ditë e më shumë nga funksioni i tij kushtetues si institucion kontrolli dhe mbikëqyrjeje, për t'u reduktuar në një noter të vendimeve të qeverisë”, tha mes të tjerash Bardhi.
Më tej Bardhi tha se Qeveria është vendosur në mbrojtje të korrupsionit të zyrtarëve të lartë, ku përmendi çështjen 'Balluku'. Sipas Bardhit, kjo nuk e ndihmon integrimin në BE, por e vështirëson atë.
“Në vend që të luaj rol në përshpejtimin e procesit të integrimit, Parlamenti përmes veprimeve të tij po bëhet pengesë. Më lejoni tju sjell në vëmendje vendimin e Parlamentit për të mos i hequr imunitetin Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të akuzuar nga SPAK për paracaktim të tenderave, korrupsion dhe pastrim parash. Mbrojtja politike e korrupsionit të zyratrëve të lartë, nuk e ndihmon integrimin, por e vështirëson atë”, shtoi Bardhi.
Eurodeputeti Fredi Beleri, nga Parlamenti Europian ka deklaruar se Shqipëria po përballet me probleme serioze sa i takon shtetit të së drejtës.
Komentet Beleri i bëri nga Komitetit Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, në Parlamentin Europian, ku tha se vendi ynë ka probleme serioze në fushën e drejtësisë dhe të zbatimit të vendimeve gjyqësore.
Beleri tha se ka gjyqtarë në Shqipëri që kanë çështje penale të hapura në vendet fqinje (duke nënkuptuar gjyqtaren Irena Gjoka). Sipas Belerit, kryedemokrati Sali Berisha dhe ish-Presidenti Ilir Meta janë përballur gjithashtu me ato që ai i cilësoi si padrejtësi të sistemit të drejtëisë.
“Shteti i së drejtës. Kur miratojmë ligje, është e rëndësishme gjithashtu që të shikojmë që ka edhe probleme të rënda edhe gjetkë. Ne shohim që autoritetet po hasen me këto probleme. Shohim probleme në fushën e Drejtësisë dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore. Shohim vështirësi në zbatimin e vendimeve gjyqësore. Ne kemi një reformë në sektorin e Drejtësisë në Shqipëri dhe procesin e vettingut. Por edhe procedura e vettingut në vetëvete ka pasur pika të dobëta. Si pjesë e procesit ka pasur gjyqtarë të ndryshëm që janë përjashtuar nga procesi. Po ashtu ka edhe gjyqtarë të tjerë që kanë procese ligjore të hapura kundër tyre në shtete të tjera të BE-së. Ish-Presidenti i vendit duket se është prekur nga ky proces”, tha mes të tjerash Beleri.
Më tej Beleri shtoi se në Shqipëri nuk ka qoftë edhe një rast të vetëm të trajtuar apo përfunduar nga Gjykata, gjatë 12 viteve të fundit.
Sipas Belerit, grupet kriminale po lulëzojnë në Shqipëri dhe po marrin toka me vendim të kryeministrit Edi Rama, për ndërtimin e resorteve luksoze.
Për Belerin, Shqipëria nuk është gati për t’u integruar në BE. Ata që thonë se ‘Shqipëria është gati për anëtarësim në BE’, sipas Belerit kanë një imazh të gabuar të situatës.
“Është vërtetë një problem serioz ky, nuk ka qoftë edhe një rast të vetëm që është trajtuar apo përfunduar nga Gjykata. Kjo është situata gjatë 12 viteve të fundit. Nuk ka vendime të përfunduara nga Gjykata. Ka një organizim kriminal, pra kemi organizata kriminale të përfshira në trafikun e drogës. Kanë përdorur sipërfaqe toke që janë dhënë nga kryeministri. Kështu që si mund të punojmë vërtetë ne kundër krimit të organizuar, me gjithë këto zhvillime. Ne kemi 6 mijë persona që janë në burg. Janë persona që kanë vdekur dhe nuk e dimë ku janë varrosur. Sa i takon ndarjes së pushteteve, nëse nuk ka gjyqësor të pavarur, s’ka shtet të së drejtës dhe as integrim në BE. Disa thonë që Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar. Këta persona ose nuk e shohin situatën siç është aktualisht, ose kanë një imazh të gabuar të situatës”, theksoi Beleri.
Komente











Akoma me arrestimin e Ballukut merren kta nuk e shohin qe Shqiperia eshte gati te mbyll tre kapituj javen e ardhshme??Nuk ngopen me urrejtjen ndaj Shqiperise??
Përgjigju