TIRANË- Sali Berisha po i çon më tej tentativat e tij për të kapur protestat që po mbahen prej 11 ditësh para Kryeministrisë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec. Pas thirrjes që bëri nga selia blu për të marrë pjesë në protestë, militantët e tij u filmuan mes turmës së qytetarëve. Ish-truproja e tij Sali Lushaj dhe i biri Stresi që u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, u shfaqën që në krye të herës në protestë duke udhëhequr me dy gishta lart marshimin nga sheshi “Skënderbej” drejt bulevardit me thirrjet “poshtë komunizmi”.

Por, refreni i protestës “Rama në burg, Berisha në burg”, i irritoi militantët demokratë ndërsa ishin futur në mes të turmës në shesh. Lushaj dhe të tjerët u nervozuan pas thirrjes për burgosje për liderin e tyre dhe ngritën dy gishtat lart. Ky moment krijoi një incident në protestë, pasi qytetarët iu kundërpërgjigjën dhe tentuan ta largojnë Sali Lushajn me të birin. 

“Është jashtë partive, është për Shqipërinë”, iu përgjigj Luçiana Kokaj, banore e Rrjollit që në protestë po menaxhonte fjalimet. 

Në ballë të marshimit të protestuesve ishte edhe Gazmend Sallaku, ish-drejtori i stadiumit kombëtar Qemal Stafa, i arrestuar dhe akuzuar për korrupsion gjatë qeverisjes Berisha. Nuk mungoi as ish-deputeti i PD, Ervin Salianji i cili i bashkohet zërave kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec dhe kundër qeverisë.

Kjo e sotmja, ishte thirrur si protestë mbarëkombëtare, ndërsa radhën për ta organizuar këtë të mërkurë e kishte banorja e Rrjollit, Luçjana Koka, e cila e nisi fjalimin duke qartësuar se protesta është përtej partive politike.   

“Mos harrojmë thirrjen tonë, Rama në burg, Berisha në burg. Shqipëria është e të rinjve plot shpresë, nëse Rama ikën janë me mijëra të rinj që mund ta çojnë Shqipërinë në BE. Duhet të rezistojmë, pa u përçarë”, tha ajo.

Sinjalet për një organizim politik janë hedhur dhe në ditët e kaluara, por sot u propozua ngritja e një Kuvendi Kombëtar.

“Nismëtarët duhet të dalin dhe të shpallet një kuvend kombëtar nga të gjitha grupet dhe krahinat. Ne duhet të ndërtojmë një sistem të ri, të mblidhet një Kuvend Kombëtar. Të ngremë një Kuvend Kombëtar përveç partive të vjetra dhe atyre që duken si të reja por janë të vjetra”, tha protestuesi.

Protesta e këtij 10 qershori përkoi me 148-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo datë u kujtua nga protestuesit në forma të ndryshme, ku më origjinalja ishte hedhja e firmave të qytetarëve në një pankartë të madhe ku shkruhet ‘lidhja është gjallë’.

Prej mbi dy orë qytetarët qëndruan përpara kryeministrisë për të nisur më pas marshimin drejt rrugëve të kryeqytetit. Itinerari u përmbyll po aty ku nisi, në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:44
Vijon marshimi në rrugët e Tiranës, protestuesit ulen te kryqëzimi i 21-Dhjetorit

Protestuesit po vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës. Ata u ulën në tokë te kryqëzimi i 21-Dhjetorit e më pas kanë vijuar marshimin drejt ‘Vasil Shantos’.

Ora 21:09
Protesta/ Qytetarët nisin marshimin nëpër rrugët e Tiranës

Pas protestës në kryeministri, qytetarët kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës. Në rreshtin e parë të turmës, qytetarët kanë bashkuar së bashku flamujt kuq e zi teksa po kalojnë nga 9-katëshet, për të vijuar nga rruga e Kavajës e më pas drejt 21-Dhjetorit. Destinacioni final pritet të jetë kryeministria.

Ora 20:16
Ish-drejtori i PD i akuzuar për korrupsion Gazmend Sallaku i bashkohet ‘revolucionit të flamingove’

1781115418_gazmendsallaku.jpg

Uraganit të flamingove’ kundër qeverisë kanë nisur t’i bashkohen dhe figura me “njolla në biografi”. I tillë është Gazmend Sallaku, ish-drejtor i stadiumit kombëtar Qemal Stafa, i arrestuar dhe akuzar për korrupsion gjatë qeverisjes Berisha. Sallaku është parë në ballë të marshimit të protestuesve. Sallaku është arrestuar në gusht 2011 për akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas prokurorisë, ai ka marrë ryshfet nga biznesmeni P.L., në këmbim të nënshkrimit të një kontrate qiraje.

Nuk mund të mungonin as eksponentë të tjerë të PD-së në protestë si isj truproja i Sali Berishës, Sali Lusha dhe djali i tij, reperi Stresi, cili u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Të gjendur në mes të turmës, ata janë nervozuar pas thirrje “Berisha n’burg” dhe kanë provokuar protestuesit me simbolin me dy gishta lart. Më pas qytetarët janë përpjekur t’i largojnë.

Sali Berisha u dha urdhër sot militantëve të dalin në protestë. Protestës i është bashkuar edhe aktivistja e PD-së Xhulja Xhekaj, e cila i kalon pushimet nëpër jahte, përmes një video të publikuar në rrjetet sociale. Ajo u ka kërkuar protestuese që të mos të thërrasin më ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’, por vetëm ‘Rama n’burg’. Sipas saj, thirrja ‘Berisha n’burg’ nuk ka kuptim, pasi vendi qeveriset prej 13 vitesh nga Edi Rama dhe se PD-ja ka bërë beteja dhe po sakrifikohet për protestuesit./Prapaskena

Ora 20:09
VIDEO/ Momenti kur Sali Lushaj me të birin udhëheqin marshimin drejt kryeministrisë me dy gishtat lart

Ish-truproja e Sali Berishës, Sali Lushaj dhe djali i tij Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi, kanë udhëhequr një pjesë të pjesëmarrësve në marshimin nga sheshi ‘Skënderbej’ drejt kryeministrisë. Kjo një tjetër tentativë e Sali Berishës për të përfituar nga protesta që po zhvillohet kundër ndërtimeve në Zvërnec e tashmë dhe kundër qeverisë së Edi Ramës. Ka pasur dhe një moment kur qytetarët kanë tentuar t’i largojnë nga protesta.

Ora 19:50
Protestuesit bllokojnë kryqëzimin te ish-hotel Dajti, automjetet detyrohen të kthehen pas

Protestuesit kanë bllokuar sot të gjithë krahët e kryqëzimit te ish-hotel Dajti ndërsa automjetet janë detyruar të tërhiqen pas.  

Ora 19:40
‘Lidhja është gjallë’- Disa protestues firmosin bashkimin në një ‘aleancë’ të re si ajo e Prizrenit

1781113246_gfhjukl.JPG

Protesta e njëmbëdhjetë që po mbahet ditën e sotme në Tiranë, kundër investimit në Zvërnec, përkon me 148-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe kjo nuk mund të kalonte pa u vënë në dukje nga protestuesit.

Ky përvjetor është kujtuar nga protestuesit në forma të ndryshme, ku më origjinalja është hedhja e firmave të qytetarëve në një pankartë të madhe ku shkruhet ‘lidhja është gjallë’.

Në këtë formë, protestuesit krahasojnë lidhjen e Prizrenit të vitit 1878 me protestat e vitit 2026.

Ora 19:39
Ish-deputeti i PD Ervin Salianji i bashkohet protestës në Tiranë, e shoqëron Alesia Balliu

1781113637_salianji.jpeg

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji i është bashkuar protestës në Tiranë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec si dhe kundër qeverisë. Krah Salianjit është dhe Alesia Balliu.

Ora 19:37
Kim Mehmeti mbështet protestat në Tiranë: Ju jeni heronjtë e mi

1781113678_8000bbbb3.jpg

Analisti Kim Mehmeti mbështet protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec dhe kundër qeverisë.

Në tubimin e 11-të, protestuësit degjuan një mesazh, me anë të cilit analisti inkurajonte vazhdimin e protestave deri në arritjen e objektivave të shpallura nga qytetarë të ndryshëm.

"Mos tregoni që maskarenjtë të treghojnë se kush jeni. I përulem zërit tuaj, i cili është ilaçi më i mirë i shpresës mbarëshqiptare. Jeni duke bërë atë që nuk e bëmë dot ne patriotët e studiove televizive. Nëse do nevoja zërit tuaj do i vi pas edhe duke u varritur, Mos u dorëzoni, sepse nëse ju jeni kundër zhvillimit, vendimin do ta zhvillojnë ata që e vodhën vendin për 35 vite apo mediat që u lëpihen oligarkëve? Zëri juaj ngërthen tirrjen e shqioptarëve të kudo ndodhur. Shqipëria më shumë ju takon ju se ne që nuk e mbrojtjëm dot nga hajdutët dhe zhvatësit, si nuk duhet të harroni që shqiptaria nuk ka pasur kaq shumë maskarenj. Keni të drejtë të na gjykobni se ju vodhëm të ardhmen. Ju jeni heronjtë e mi",- ishte mesazhi i Mehmetit.

Ora 19:35
Protesta për 'Zvërnecin', aktivistja mjedisore: Ajo që po ndodh në Vjosë-Nartë është vetëm fillimi, zonat e mbrojtura janë në rrezik

Aktivistja mjedisore që mori fjalën e rradhës në protestën para Kryeministrisë ngriti shqetësimin për projektet që po zhvillohen në zonat e mbrojtura, duke u ndalur specifikisht te Vjosa-Narta dhe ligji i vitit 2024 për zonat e mbrojtura.

“Kjo është protesta më e bukur në botë. Unë vij këtu si aktiviste mjedisore. Kam shumë vite që përpiqem për mbrojtjen e natyrës, të lumit Vjosa, parqeve, Alpeve dhe zonave të bukura të Shqipërisë dhe Europës. Gjëja më e mirë që kemi ne është natyra dhe nuk duhet ta shkatërrojmë. Nëse flasim për anëtarësim në BE, duhet t’i respektojmë ato ligje dhe të bëjmë maksimumin që kur jemi pjesë e BE-së të kemi trashëgimitë natyrore e mos t’i shkatërrojmë. Ajo që po ndodh sot në Vjosë-Nartë është vetëm fillimi. Projekte të tilla do të përsëriten në të gjitha zonat e mbrojtura, për shkak të ligjit të 2024, ligji famëkeq që nuk na siguron mbrojtjen e natyrës sonë. A e dini që Delta e Vjosës është një nga të vetmet që ka mbetur e paprekur? Sot ne jemi zëri i gjallesave që nuk flasin dot. Sot ne po mësojmë fëmijët tanë si t’i kërkojnë të drejtat e tyre”, tha ajo.

Ora 19:15
VIDEO/ ‘Berisha në burg’, momenti kur Sali Lushaj dhe i biri irritohen nga thirrjet e qytetarëve në protestë, bashkë me militantët ngrenë dy gishtat lart

Ish-truproja e Sali Berishës, Sali Lushaj së bashku me djalin e tij Arkimed, i njohur si Stresi, janë bërë sot pjesë e protestës. Të gjendur në mes të turmës, qytetarët kanë tentuar t’i largojnë pasi një minimiting është krijuar prej tyre pas thirrjeve "Berisha n'burg" dhe të nervozuar provokojnë turmën me simbolin me 2 gishta lart, shenjë e Berishës dhe Partisë Demokratike.

Ora 19:08
Ish-luftëtari i UÇK-së akuza Ramës nga protesta: Bën pazare me trojet e atdheut

Një nga folësit në tubimin e zhvilluar para Kryeministrisë ishte edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj, i cili akuzoi qeverinë për presion ndaj protestuesve Ai pretendoi gjithashtu se policia kishte shkuar në banesën e tij në Roskovec pas deklaratave të bëra një ditë më parë gjatë tubimit.

“Qeveria kriminale e Edi Ramës me skllevërit e tij modernë patronazhistë dhe institucionalë, kanë filluar presionin e të gjithë pjesëtarëve që deklarohen kundër kësaj qeverie kriminale dhe këtij sistemi të kalbur 35 v jeçar. Është kjo qeveri që para ca vitesh, ka arrestuar vëllain tim për shkak të kundërshtimit tim ndaj kësaj qeverie. Sot kanë shkuar në mëngjes në shtëpinë time në Roskovec, vetëm sepse dje unë e krahasova me Çausheskun. Ai është një Çaushesk dhe nëse vazhdon të kërcënojë popullin do të marrë përgjigjen. Ai bën pazare me trojet e atdheut sikur ta kishte çifligun e Kristaqit. Kërcënimet që qeveria bën përmes patronazhistëve dhe skllevërve, na bëjnë më të fortë e më të qëndrueshëm. Jemi të gatshëm të sakrifikohemi deri në fund për t’i dhënë fund fashizmit të kësaj qeverie që urtësinë e këtij populli punëtor e morën për dobësi" tha Zotaj. 

Ora 19:05
Protesta e 11-të kundër resortit në Zvërnec përkon me 148-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit: Atëherë u bënë bashkë shqiptarët e 5 vilajeteve, sot të 5 kontinenteve

1781111134_pankarta.jpeg

Protesta e njëmbëdhjetë që po mbahet në Tiranë kundër ndërtimit të resortit në Zëvrnec përkon me 148-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Ky përvjetor është kujtuar nga protestuesit edhe nëpërmjet pankartave. 

"Prizren 1878, u bënë bashkë shqiptarët e 5 vilajeteve, Tiranë 2026, bëhen bashkë shqiptarët e 5 kontinenteve",- thuhet në një prej pankartave.

Lidhja e Prizrenit ishte një organizim politik i parisë së vilajeteve që ishin shumicë shqiptare për nga popullsia në Perandorinë Osmane, themeluar zyrtarisht më 10 qershor 1878 në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, qytet ku deri një vit përpara ishte qendra e Vilajetit të Kosovës.

Ora 19:01
‘O Sali o fosil ik me Ramën në azil’, pankartat ‘hit’ në protestën në Tiranë! Qytetarët shfrenojnë imagjinatën

Pankartat në protestën në Tiranë kanë një vëmendje të veçantë. Qytetarët janë treguar mjaft kreativë duke gjetur një mënyrë sa ironike aq dhe humoristike për të shpalosur pakënaqësitë ndaj qeverisë apo eksponentëve që dominojnë skenën politike në Shqipëri.

Ora 18:55
Qytetari nga Vlora: Të ngrihet Kuvendi Kombëtar, duhet të ndërtojmë një sistem të ri për të sjellë Shqipërinë e re

Një qytetar nga Dukati i Vlorës propozoi që organizatorët e protestës të dalin hapur me qëllim për të mbrojtur kauzën nga ato që kanë për qëllim të përfitojnë për interesa personalë. Ndër të tjera ai bëri thirrje për mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar.

“Gjatë këtyre ditëve kaq të zjarrta, kemi pasur debate si popull si aktivistë dhe nga ka qenë që nismëtarët  protestës atë dali na mos të dalin se mërzitet populli. Për të shpëtuar protestën nga ata që tentojnë ta kapin. Nismëtarët të shpallen dhe të ngrihet një kuvend kombëtar. Protesta s’mund të vazhdojë pa fund në ngjitje. Në për të sjellë Shqipërinë e re, duhet të ndërtojmë një sistem të ri. Të thërrasim një kuvend kombëtar. Të bashkohemi në një tryezë dhe të rrëzojmë këtë sistem të kalbur. Të mos e zvogëlojmë protestën, varet fati jonë e fëmijëve tanë nga kjo protestë”, tha qytetari.

Ora 18:13
E reja ironizon Ramën me ‘pijen më të re’: Ramingo ik është emri, po i bëjmë reklamë

Një vajzë në protestë ka marrë në dorë një kanaçe të emëruar “Ramingo ik”. Me këtë pije, e reja ka zgjedhur të ironizojë kryeministrin Edi Rama dhe komentet e tij për influenceret që kanë reaguar pro protestave dhe kundër zhvillimit të Zvërnecit.

“Kjo është pija më e re që ne influenceret kemi marrë për të reklamuar dhe quhet ‘Ramingo ik”.

Rama në daljet e tij publike tha se influencerët që kanë dalë në mbështetje të protestës, akuzojnë shtetin për korrupsion, ndërsa vetë ata nuk paguajnë asnjë taksë.

Kjo pije e re e sjellë sot në protestë, është një tjetër formë sesi qytetarët po i kërkojnë Ramës të largohet nga drejtimi i qeverisë.