25 vjeçarja: Ja si më dhunonte bashkëjetuesi: S'doja që vajza të rritej pa baba

12 Nëntor 2018, 08:14

“Doja që vajza të rritej me baba, por më frikësonte edhe çfarë do të thoshin njerëzit, ndaj durova”.

Është ky rrëfimi i një 25 vjeçare e cila pas 3 vitesh dhunë psikologjike dhe fizike, vendosi të denoncojë bashkëjetuesin e saj me të cilin ka dhe një fëmijë. Ana (emri jo i vërtetë i gruas) ka treguar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV kalvarin e vuajtjeve deri sa mori guximin për të raportuar dhunën.

Ndryshimet e fundit ligjore që u miratuan nga parlamenti në korrik të këtij viti, kanë ashpërsuar masat kundër personave që ushtrojnë dhunë duke shkuar përtej institucionit të martesës, dhe për herë të parë përfshijnë si rastet e bashkëjetesës, ashtu edhe ato të marrëdhënieve apo lidhjes afektive në çift.

Pra një vajzë apo një grua mund të gjejë mbrojtje edhe nëse personi që e dhunon ka thjeshtë statusin e të dashurit. Vetë Ana tregoi se kishte bërë denoncimin me frikën se nuk do ta merrnin seriozisht.