37-vjeçarja me tumor takon qytetarët në Tiranë, gati shuma për operacionin

22 Tetor 2021, 19:04

Pasditen e së enjtes emisioni “Pa Gjurmë” solli rastin e 37-vjeçares Miranda Elezi nga fshati Karkavec i Librazhdit, e cila është diagnostikuar me kancer në kokë, pas një infeksioni të rëndë që iu shfaq 4 vite më parë. Gjatë transmetimit Live, historia e jetës së vështirë dhe vuajtjet e Mirandës prekën zemrat e shumë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, të cilët telefonuan në numrat e vënë në dispozicion nga redaksi, për të dhënë kontributin e tyre për nënën e 5 fëmijëve. Historia e 37-vjeçares preku shumë shqiptarë brenda dhe jashtë territorit, të cilët vazhduan edhe në orët e vona të natës të jepnin kontributin për Mirandën. Lajmi i mirë erdhi këtë mëngjes, teksa redaksia e Pa Gjurmë kontaktoi me doktorin në Shkup dhe këtë fundjavë Miranda do të udhëtojë drejt Maqedonisë së Veriut për t’ju nënshtruar analizave, ndërsa në ditët në vijim me kontributet që do vazhdojnë të mblidhen, do të kryhet edhe operacioni i shumë pritur, ku nuk do të mungojë as kamera e Report Tv.