A do largohet Flor Binaj nga “Portokalli”? Aktori: Është momenti për disa projekte të miat televizive e teatrore

1 Shkurt 2019, 15:23 | Përditesimi i fundit: 2019-02-01 18:24:49

Vitin e kaluar portalet nxituan të publikonin lajmin se ai mund të largohej nga “Portokalli”, spektakli i përjavshëm i humorit ku bën pjesë dhe madje është një prej aktorëve më të rëndësishëm tashmë prej 15 vitesh. Kjo pasi aktori kishte thënë frazën “asgjë nuk është e përjetshme”. Por tashmë Florjan Binaj i ka planet e qarta dhe sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV tha se ka vendosur “të dalë në pah” i vetëm.

Unë mendoj që nuk është se do ndahem unë për ndonjë arsye parësore apo madhore por mendoj që çdo gjë ka një cikël dhe ka një kohë dhe asgjë nuk është e përjetshme në këtë botë, kështuqë gjërat evolojnë. Ne ishim askushi, u bëmë dikushi, u rritëm, u bëmë të zotë, u bëmë profesionistë. 15 vjet po ta llogaritësh me 4 vitet e shkollës i bie pak a shumë të kesh bërë 4 universitete. Ndaj mendoj që për secilin prej nesh vjen një moment që të dalë më vete dhe të shndrisë veç. Kjo nuk do të thotë detyrimisht që të shkëputesh nga andej, ne mund të vazhdojmë edhe me projekte të tjera paralele për tu dalluar edhe më shumë personalisht.