Aktori i mirënjohur i 'Portokalli' Rezart Veleshnja në një rrëfim për jetën dhe karrierën

12 Nëntor 2018, 14:33

Personazhet që ai ka sjellë ndër vite padyshim e kanë bërë publikun të qeshë, por mesa duket ka dhe nga ata që mund të jenë indinjuar nga imitimet e tij, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikanë të nivelit të lartë. Kështu i ndodhur aktorit të humorit Rezart Veleshnja, i cili vjen çdo fundjavë me personazhe nga më të ndryshmet në spektaklin “Portokalli”.

I ftuar sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV ka rrëfyer një episod jo fort të këndshëm që i ka ndodhur pak vite më parë, kur siç pohon ai, është kërcënuar nga truproja i ish kryeministrit Sali Berisha, që të mos e imitojë më. I pyetur nëse ndonjë nga personazhet realë është mërzitur nga imitimet e tij, aktori përmendi rastin e ish kryeministrit Berisha, që sipas tij dërgonte njerëz për të rrahur aktorët që e imitonin ish kryetarin e Partisë Demokratike.

Imitimi është dashamirësi, nuk është dashakeqësi, pavarësisht se dikur Sali Berisha i rrihtë ata që i imitonin. Po kur e imitonin, Saliu dërgontë njerëz që ti rrihnin, bodigardët e vet. Mua më ka ndodhur, më ka ardhur bodigardi më ka thënë, po e imitove edhe një herë do të fus plumbin kokës. Ka qenë bodigardi i Berishës, një bjond i gjatë, i shëndoshë.

Rezart Veleshnja, aktor

Ndërkaq, i pyetur se si reagoi ndaj këtij kërcënimi, Veleshnja tha se nuk e kishte marrë aspak seriozisht, pasi në Shqipëri askush nuk të prek me dorë për fjalë, shpifje apo edhe imitime. Por kur vjen puna tek paratë, situata ndryshon krejtësisht.