Babai ne kërkim të vajzës/ Pas divorcit, nëna ndërron jetë në Itali, për vajzën nuk u mësua asgjë

26 Korrik 2021, 17:46

Iu drejtua emisionit ’Pa Gjurmë’ në Report tv me një letër ku kërkon të lidh kontaktet me të bijën, e cila ndodhet në Itali. Astrit Cela nga Lushnja është një baba i brengosur prej 38 vitesh. Prindërit ishin dy të rinj 20-vjecare kur vendosën të divorcoheshin në vitin 1983, ndërsa vajza e tyre Ermira Cela ishte 1 vjeçe. Pas ndarjes gjykata vendosi që fëmija t’i kalonte në kujdestari nënës dhe babai paguante detyrimin ushqimor. Ish-bashkëshortja u vendos në Durrës ku ndërtoi një familje të re. Nuk mundi dot as ta shihte tek rritej, pasi babë e bij u ndanë përfundimisht me largimin nga Shqipëria pas viteve 90-të ish gruas me vajzën drejt Italisë. Kur në vitet e para të demokracisë u realizua ëndrra e lirisë, shpirti i një babai u burgos, Astriti nuk mundi të shihte më të bijën që kur ajo u largua përtej Adriatikut. Nëna i kishte dhënë fund edhe martesës së dytë dhe me të bijën kishte ndjekur ëndrrën për një jetë më të mirë. Në gjithë këto vite Astriti ka kërkuar kontakt, por nuk ka mundur të lidhet. Nga të dhënat që ka mundur të zbulojë dyshohet se vajza është birësuar, dhe nëna pati shfaqur probleme të shëndetit mendor. Astriti krijoi edhe ai një jetë të re, ndërsa është bërë babai i tre fëmijëve të tjerë, të cilët e kanë bërë gjysh. Ka qenë bashkëshortja aktuale ajo, e cila duke ditur çfarë e ka munduar në jetë bashkëshortin e saj e ka mbështetur për ta gjetur.