‘Djali më kalbet në dhe,vrasësi kërkon liri’/Shpërthen në britma nëna e viktimës

11 Tetor 2021, 19:56

Që prej 8 shkurtit 2019, kur në fshatin Vrrith të Pukës u vra me armë zjarri 30-vjeçari Petrit Biba nga kolegu i tij Elderis Dodaj i cili ndodhet në burg, familja e të ndjerit është strukur në një re të zezë trishtimi e pikëllimi. Prej më shumë se dy vitesh nuk ka buzëqeshje në fytyrën e Franit dhe Davës, nuk ka gëzim e lumturi në atë shtëpi të vogël në Rrethin e Epërm të Rubikut. Malësori 70-vjeçar sikur e mban veten dhe ngushëllohet duke ndezur herë pas here një cigare, ndërsa e ëma e Petritit ka kaluar në depresion pas ngjarjes së rëndë që ndodhi atë pasdite të ftohtë shkurti. Muret e shtëpisë janë të mbushura me fotografitë e Petritit, ndërsa të tjera e moshuara i ruan së bashku me disa dokumente. Sipas dëshmitarëve që kanë qenë në dhomë me viktimën Petrit Biba dhe autorin 27-vjeçar Elderis Dodaj, ky i fundit e ka vrarë kolegun me një armë pa leje që mbante nën jastëk. Në debat e sipër me fjalë banale, Elderisi i ka drejtuar pistoletën Petritit, por arma ka bërë shkrepje bosh. Më pas e ka mbushur dhe e ka qëlluar duke e plagosur. Petriti u dërgua me urgjencë për mjekim, por ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës, ndërsa autori u largua në drejtim të paditur. Pas thirrjeve të policisë, ai u dorëzua, pranoi krimin dhe deklaroi se e bëri aksidentalisht, duke i kërkuar edhe ndjesë familjes. Mirëpo i ati i Petritit, Fran Biba, bazuar në akuzën e prokurorisë e cila e cilëson “vrasje me dashje”, kërkon burgim të përjetshëm për autorin, ose në të kundërt thotë se do të veprojë sipas kanunit. Edhe fqinjët e familjes Biba, bazuar në fjalët e dëshmitarëve dhe dokumentit të prokurorisë, e cilësojnë ngjarjen si vrasje të pabesë, ndërsa apelojnë që shteti të vërë drejtësi dhe të ndihmojë familjen e të ndjerit. Një nga momentet më të vështira për stafin e pa gjurmë ishte kur prindërit e Petritit shkuan në varrezat që ndodheshin pak metra larg shtëpisë së tyre, aty ku prehen eshtrat e tij. Të qarat e nënë Davës na drithëronin trupin, ndërsa duhet ta shoqëronim gjatë gjithë rrugës, pasi ishte e pamundur fizikisht, nga dhimbja për humbjen e të birit. Gjatë kësaj kohe pas vrasjes së Petritit, familja Biba nuk kishte udhëtuar asnjëherë drejt vendngjarjes, ndaj u nisëm për në hidrocentralin e Pukës, aty ku punonin Petriti dhe Elderisi. Një rrugë e gjatë dhe e vështirë mes maleve, deri në luginën e poshtme të Vrrithit. Grupi i xhirimit të pa gjurmë nuk mundi të shkojë në atë shtëpi prej rrugës së copëtuar dhe të rrezikshme, ndërsa në kthim Fran Biba pëshpëriste vetëm një fjali: Dua drejtësi për djalin, shteti të reagojë.