“Djalin ma vranë,nusja u‘arratis’me mbesat”/Mirditori konfliktin me fisin Kaca

5 Tetor 2021, 18:53

Preng Mena, ky 70-vjeçar nga Fani i Mirditës, ishte sot në studion e “Pa Gjurmë” për t’i kërkuar ndihmë shtetit të zbardhë një orë e më parë vrasjen e djalit të tij Ylli Mena, si dhe për t’i bërë thirrje ish-nuses së djalit, Shpresës, që të mundësojë takimin e tre vajzave me gjyshin e tyre dhe gjyshen, Mrikën. Ylli Menën e përplasi me makinë kunati i tij Albert Kaca, i cili ndodhet në arrati. Të moshuarit Preng dhe Mrikë Mena nuk kanë pasur konflikte me familjen Kaca, por bëjnë fajtor Albertin, për të cilin thonë se e ka shtypur me dashje djalin e tyre, duke i marrë jetën. “Ish-krushku ka vdekur, e kam pasur mik. As për krushkën s’kam vërejtje, as për Shpresën. Djali i dytë i tyre, ky s’është burrë! Të vrasi babain e tre vajzave…. Ishte plan i kurdisur i Albertit. Divorci I Yllit dhe Shpresës ndodhi në 2018, ngjarja ndodhi në 2019. Pas ndarjes i takova gocat, më tha Shpresa “nuk t’i jap fëmijët, vetëm të atit ia jap”. Kishte 15 vite martesë Ylli me Shpresën. Në 21 shtator ndodhi ngjarja”, tregon 70-vjeçari, i cili nga dhimbja dhe sikleti kullonte në djersë. Prenga e kujton me lot në sy atë ditë të errët për të dhe gjithë familjen Mena, pasi iu largua nga kjo jetë djali i tyre i vetëm, duke lënë pas tre vajza jetime, të cilat Shpresa nuk i mori në ceremoninë mortore të Yllit. “Në 21 shtator i thashë djalit “mos shko te Andoni”! “Mirë”, - më tha, “nuk shkoj”. Pastaj më mori në telefon më tha, “po shkoj se ka një darkë qejfi dhe më pret”. Të nesërmen në 8 në mëngjes dola nga shtëpia, më tha jam te Andoni për kafe. Në 8:20 ka ndodhur ngjarja në 8:25 më merr më telefon një mik. “Djalin ta kanë shtypur dhe ata ikën nuk dihet se ku janë”. Me këtë makinë ishte Berti. Makina kishte 4 veta brenda. Në 8:30 ka shkuar policia në vendngjarje. Prokuroria ka shkuar në 9:40 kur djali kishte mbaruar. Vajta në Spitalin Ushtarak dhe aty m’u prenë këmbët. Pasi e shtypën djalin, të gjithë dolën nga ana e timonit se ishte makinë me tek derë. Kanë shkuar dhe i kanë rënë djalit me shkelma e me leva. S’janë burra ata, janë morracakë. Gjykata i ka dhënë “arrest me burg” Albertit, ky bredh i lirë nëpër Shqipëri”, u shpreh zoti Mena. Në një farë mënyre Prenga e ka pranuar tani largimin nga kjo jetë të djalit të tij, por së bashku me bashkëshorten, Mrikën, kërkojnë të shohin mbesat e tyre, Sarën, Evën dhe Kristelën, malli për të cilat po i plogështon çdo ditë e më shumë.