E ftuar këngëtarja e muzikës popullore Shkurte Fejza, flet për karrierën, vajzën dhe politikën në Kosovë

2 Tetor 2018, 12:34

Mjaft kritike dhe e zhgënjyer ndaj klasës politike në Kosovë është treguar sot këngëtarja e madhe Shkurte Fejza. E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV për të folur mbi karrierën e saj gati 45 vjeçare, Fejza u pyet edhe për debatin më të fundit mbi korigjimin e kufijve me Serbinë, një tezë kjo e hedhur pak kohë më parë nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Pak më herët ka qenë një hap shumë i dhimbshëm, demarkacioni me Malin e Zi ka qenë shumë i papranushëm nga populli. Nuk e kuptoj, më vjen keq por nuk di. Kosova ka patur një fat të keq në udhëheqësi, sidomos pas luftës. Para luftës ka qenë regjimi serb, pastaj shkoi si shkoi, mirëpo pas luftës, unë mund ta them kështu : Djemtë më të këqinj që i ka vendi janë në elitën e Kosovës. Më vjen shumë keq që po e them, por në bazë të asaj që po zhvillohen gjërat, në bazë të asaj që asnjëherë qytetari i Kosovës nuk është i kënaqur me asnjë veprim të vetëm që bëhet atje. Sikur nuk e ndien në Kosovë, që njeriu duhet ta ndiejë vendin e vet dhe të marrë hapin , që të është dhënë ty përgjegjësia me votën e këtyre të shkretëve. Me pas një barrë në shpinë, sepse nuk mund të luash dhe të bësh çfarë të vjen ty më për së mbari, apo çfarë do të përfitosh personalisht.