Ekipi i “Pa Gjurmë” mbërrin në adresën ku dyshohet se jeton i humburi, pamjet transmetohen live

6 Shtator 2021, 17:58

Të enjten e 2 shtatorit, i moshuari Zyhdi Allushi është larguar me biçikletë nga banesa e tij në fshatin Vorrozen të Kavajës, ku edhe sot vijon të jetë ende i humbur. Familjarët denoncojnë në “Pa Gjurmë” zhdukjen e 80-vjeçarit. Sipas djalit të tij, Seit Allushi, i moshuari nuk vuante nga ndonjë sëmundje e shëndetit mendor apo fizik, përveçse kohët e fundit ishte prekur nga skleroza. Allushi nuk mjekohej, pasi për familjarët gjendja e tij ishte e mirë dhe askush nuk e besonte se mëngjesin e 2 shtatorit në orën 9 do të largohej dhe nuk do të kthehej më pranë tyre. Kjo është hera e parë për 80-vjeçarin nga Kavaja që largohet në drejtim të paditur. Sipas informacioneve, Zyhdi Allushi ka dalë nga shtepia me biçiklitën e tij, ku kjo e fundit është gjetur te ura e Draxhit, ndërsa gjurmët e të moshuarit të siguruara nga kamerat, janë parë në dalje të Kavajës. Momentin që është larguar nga shtëpia për të takuar shokun e tij, takim që nuk ndodhi, Zyhdiu kishte veshur një palë pantallona të zeza, këmishë të bardhë dhe sandale. I moshuari me flokë të bardhë nuk ka asnjë shenjë dalluese në pjesët e dukshme të fytyrës dhe trupit.