Elis Kuçi, gazetari që nuk ka rrjete sociale: Dua kontaktin fizik me njerëzit

29 Nëntor 2018, 15:34

Edhe pse prej disa vitesh është zëdhënës në KLD, Elis Kuçi me profesion është gazetar e nuk ka hequr dorë nga të shkruajturit, pasi herë pas herë publikon në gazeta opinionet e tij. Por ndryshe nga mbi 90 % e kolegëve ai nuk përdor asnjë formë të rrjeteve sociale dhe për rrjedhojë nuk promovon asgjë në to. Madje ka qënë pikërisht tendenca e shumicës prej nesh për të treguar gjithçka nga jeta jonë në rrjetet sociale, që atë e ka frymëzuar të shkruajë për të shkruar kundër tyre. I ftuar sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, Kuçi shpjegoi se pse ka vendosur t'i qëndrojë larg medias sociale.

Arsyeja pse nuk u përfshiva në rrjetet sociale ishte sepse doja kontaktin fizik me njerëzit, sepse ndodh që të njihesh në rrjetet sociale dhe kur shihesh në rrugë nuk i flet. Më mirë 2-3 herë në vit dhe fizikisht se sa 3-4 herë në javë në FB. S'kam patur kurrë as Instagram dhe Facebook. Jo më larg se javën që kaloi, u nda nga jeta një pjestar i fisit dhe unë e mora vesh shumë vonë, dhe u thashë familjarëve që më parë njoftohej me telefon. Zakonisht një lloj asistente është bashkëshortja kur njerëzit nxjerrin njoftime vetëm në FB. Me një shok të vjetër që kam në Kanada, shkëmbejmë emaile.

Elis Kuçi, gazetar

I pyetur nëse e pengon mungesa e rrjeteve sociale për të amplifikuar apo shpërndarë edhe më shumë shkrimet dhe opinionet e tij, Kuçi u shpreh se njerëzit konsumojnë “fast food” nëpër rrjetet sociale por nuk e “përtypin” pra nuk e analizojnë atë ccka lexojnë.