Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 1 Nëntor 2023 – Receta / Urina si ilaç? / Ngjyra e urinës tregues i sëmundjeve / ‘Lufta’ e bukurisë

1 Nëntor 2023, 15:42

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Lakror me mish derri me miell misri / Qofte me miell misri dhe djathë / Çorbë me oriz, të brendshme bagëtie dhe kumbulla të thata.

Një postim i nutricionistit Altin Joka ditën e djeshme ndezi rrjetin. Joka shkruante: “A mund t’a pijmë urinën tonë? A mund ta përdorim si ilaç? Terapia e urinës e harruar nga protokollet më efektive! Këtu është një terapi e diskutueshme për ju, shumica nga ju ngren vetullat me neveri në qoftë se unë do ju them se mund të përdoret. Por dikur ka qenë një protokoll mjekësor terapia e urinës. Ndryshe nga ajo që mund të mendoni, terapia e urinës nuk është një protokoll alternativ, përkundrazi është një protokoll mjekësor farmaceutik” shprehet nutricionisti i mjekësisë holistike. E në fakt të parët tanë dhe gjyshet tona e përdornin shpesh për problemet inflamatore të lëkurës, sytë, dhimbjet e veshit, alergjinë, verdhëzën, etj. Por, a është me të vërtetë sterile urina, çfarë mikroelementesh përmban ajo? Në çfarë sëmundjesh apo problemesh imunitare të organizmit rekomandohet? Kur thuhet se mund të pihet, çfarë nënkupton dhe si realizohet kjo?

Ngjyra e urinës mund të jetë një tregues shumë i mirë për problemet shëndetësore, ajo na tregon shumë informacione për shëndetin tonë që duhet të dimë t’i lexojmë duke filluar nga shpeshtësia e urinimit e deri tek ngjyra e saj, transparente, e zbehtë, e verdhë, ngjyrë e fortë portokalli apo kafe në të kuqerremtë. Gjithashtu edhe aroma eshtë një indikator që mund të tregojë se kemi një problem shëndetësor. Shumë njerëz i injorojnë këto shenja të dukshme dhe rrezikojnë zhvillimin e sëmundjeve të rënda. Në studion e "Rreze Dielli", Altin Joka ekspert i mjekësisë holistike, na jep disa informacione shumë të rëndësishme për të kuptuar në bazë të ngjyrës së urinës se çfarë problemesh shëndetësore ka organizmi ynë.

Kush është standardi i bukurisë tek vajzat sot? A duhet të jetë një femër gjithmonë e bukur? Çfarë po humbin femrat duke u munduar të fitojnë çfarë? Bukuria si koncept gjithmonë në histori ka qenë relativ. Diçka që për dikë ka qenë e shëmtuar për dikë tjetër mund të jetë gjëja më e bukur. Sot, në dekadën e instagramit ne e dimë që n’a është vjedhur liria e shijes mirëpo jemi të bindur që disa gjëra të tjera janë më të rëndësishme se rikthimi i saj. Invencioni i filterave dhe mania e ndërhyrjeve estetike e plastike ngjallin komplekse dhe pakënaqësi në pamje në shumicë të hatashme të femrave. Intervenimet me ngulm për të ndryshuar me qëllim të ndërtimit të vetëvlerësimit ndezin shumë alarme… Flasim në studion e “Rreze Dielli” me Sumea Ramadani, psikologe klinike e cila ndër të tjera thekson se bukuria është cilësi thelbësore e ekzistencës, por ajo shfaqet së bashku me cilësitë e unitetit, të vërtetës dhe mirësisë. Bukuria nuk ka kriter tjetër veç njohjes dhe ndërgjegjësimit të këtyre vlerave.