Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 10 Tetor 2025 – Receta/ Krahasimi dhe Vetëvlerësimi/ Arti shqiptar shkëlqen në ‘Art Charm 2025’

10 Tetor, 15:13 | Përditesimi: 10 Tetor, 15:13

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Leqenik i Tropojës në furrë / Petulla me kos dhe jeshillëqe / Jahni me plëndës.

Në një kohë kur jeta e përditshme shpesh na vendos përballë pritshmërive të larta dhe krahasimeve të pashmangshme, ndonjëherë humbasim lidhjen me veten tonë të vërtetë. Sot në "Rreze Dielli" së bashku me psikologen Lorela Garuli, ndalemi tek disa prej temave që na prekin të gjithëve, ndonëse jo gjithmonë i pranojmë hapur. Së pari, flasim për krahasimin me të tjerët, një dukuri që shpesh e bëjmë pa vetëdije, por që mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në vetëbesimin dhe mirëqenien tonë emocionale. Pse krahasohemi dhe si mund të mbrojmë veten nga efekti shkatërrues i këtij zakoni? Më pas, ndalemi tek një temë më pak e zakonshme por shumë domethënëse: Çfarë tregon të ngrënit me nxitim për karakterin e një njeriu? A lidhet mënyra si ushqehemi me gjendjen tonë emocionale, apo tregon diçka më të thellë për mënyrën si e jetojmë jetën? Dhe në fund, i japim hapësirë një ndjesie që të gjithë e kemi përjetuar: fluturat në stomak. Por çfarë janë ato në të vërtetë, një sinjal nga zorrët, truri apo zemra? Çfarë na thonë emocionet për trupin dhe si lidhen këto dy botë, ajo psikologjike dhe ajo fizike?

Në një skenë ndërkombëtare ku arti takon emocionin dhe identitetin, dy artiste shqiptare kanë shkëlqyer mes 54 pjesëmarrësve nga e gjithë bota në eventin prestigjioz "Art Charm 2025". Dy piktoret Anila Hetoja dhe Linda Lupi, jo vetëm përfaqësuan denjësisht artin shqiptar, por edhe sollën me vete një frymë të gruas moderne, të zonjës të ndjeshme dhe të vendosur për t’i dhënë formë pasionit në një realitet të prekshëm. Të ftuara në studion e "Rreze Dielli" ato ndajnë emocionet nga ky përfaqësim, sfidat e rrugës krijuese, dhe mendimet e tyre për një pyetje që sot është më aktuale se kurrë: A është arti thjesht një pasion, apo një profesion i mirëfilltë për gruan shqiptare të shekullit XXI?

MC/Shqiptarja.com