Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me brumë të butë pa mbushje / Patëllxhanë furre me pure patate dhe kimë.
Në një kohë kur ritmi i jetës moderne shpesh lë në hije zakonet e dikurshme, ka ende zëra që na rikthejnë me dashuri te trashëgimia e shijes dhe kujdesit që dikur mbushte çdo shtëpi shqiptare me aromën e dimrit që po afronte. Dy zonja të përkushtuara, njëra nga Pogradeci dhe tjetra nga Përmeti, ndajnë me ne sekretet e zahireve që përgatiteshin me përpikmëri nga nënat dhe gjyshet tona: trahana e tharë në diell, petkat që shtroheshin me kujdes në çdo tabaka, pekmezi i trashë e i ëmbël, e deri te glikotë me fruta të ndryshme aq karakteristike për trevat e jugut. Një rrëfim i ngrohtë në "Rreze Dielli" për ruajtjen e shijeve të vjetra, ku çdo përbërës ka historinë e vet dhe çdo metodë përgatitjeje mbart kujtime brezash. Mukadez Gjona nga Pogradeci na tregon disa sekrete të zahireve, ndërsa përmetarja Flora Sali na flet për mjaltin e rrallë të Bedunicës dhe vetitë shëruese që natyra i ka falur atij, si dhe na zbulon misterin e shijes unike të glikove të Përmetit, aq të njohura dhe të kërkuara edhe sot.





















