Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 22 Tetor 2025 – Receta/ Mit apo fakt/ Enjtja e këmbëve / Kumbullat, vlerat ushqyese

22 Tetor, 16:19 | Përditesimi: 22 Tetor, 16:19

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pashaqofte në supë perimesh prerë me vezë dhe limon / Kaneloni me spinaq dhe gjizë / Papare me nenexhik.

Me nutricionistin dhe ekspertin e mjekësisë holistike Altin Joka ndalemi çdo të mërkurë tek ajo që shpesh na ngatërron më shumë se vetë dieta: mitet mbi shëndetin dhe ushqimet. E vërtetë apo mit? Këtë javë kemi përzgjedhur një mit që e dëgjojmë shpesh: Sëmundjet kronike janë të pashërueshme. Zbulojmë si qëndron e vërteta!

Ënjtja e këmbëve është një fenomen i zakonshëm që shumë njerëz e përjetojnë, sidomos pas një dite të gjatë në këmbë apo në pozicion të ulur. Por kur ënjtja bëhet e përsëritur, e pashpjegueshme ose shoqërohet me simptoma të tjera, ajo mund të jetë sinjal i një problemi më të thellë shëndetësor, nga çrregullimet e qarkullimit të gjakut tek sëmundjet e zemrës, veshkave apo mëlçisë. Me nutricionistin Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, në "Rreze Dielli" tregojmë se kur ënjtja e këmbëve është pasojë e lodhjes së zakonshme dhe kur ajo kërkon vëmendje mjekësore. Shqyrtojmë shkaqet më të zakonshme, mënyrat e identifikimit të tyre dhe rolin që luan ushqimi në menaxhimin apo përkeqësimin e këtij problemi. Gjithashtu, përqendrohemi te ushqimet që ndihmojnë në reduktimin e mbajtjes së lëngjeve dhe te një regjim ushqimor që favorizon një qarkullim më të mirë të gjakut dhe funksion të shëndetshëm të organeve.

Vjeshta sjell me vete një bollëk ngjyrash, freski në ajër dhe një nga frutat më të shijshme e më të nënvlerësuara të stinës: kumbullat. Të ëmbla, pak thartore dhe plot lëng, kumbullat nuk janë thjesht një kënaqësi sezonale, por një burim i vërtetë vlerash ushqyese për organizmin tonë, të pasura me vitaminë C, antioksidantë e fibra. Në studion e "Rreze Dielli" me nutricionistin Altin Joka zbulojmë pse kumbullat janë "fruti i artë" i vjeshtës, çfarë lëndësh ushqyese përmbajnë, si ndikojnë në shëndetin tonë të përditshëm, dhe mënyra të thjeshta për t’i përfshirë në regjimin ushqimor. Është koha ideale për t’i shijuar dhe për të përfituar nga fuqia e tyre natyrale.

MC/Shqiptarja.com