Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 29 Nëntor 2023 – Receta/ Foto virale / Shqipëria në Parlamentin Kanadez

29 Nëntor 2023, 14:57

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Petanik me fasule / Paçe koke / Zupa shtëpie.

Fotoja e vajzës me emrin Franka me xhubletë dhe flamur e realizuar nga fotografja Soela Zani, u bë virale në rrjet në ditët e festave të nëntorit, teksa të gjithë e postuan duke i vënë diçitura nga më të ndryshmet. Në studion e Rreze Dielli, Soela Zani tregoi sesi erdhi kjo ide, sa foto iu deshën për të arritur në shkrepjen perfekte së bashku në mjeshtërinë e valëvitjes se flamurit nga Anxhelika Kolevica. “Nuk e dija që fotoja do merrte këto përmasa, edhe pse përkushtimi dhe dashuria me të cilën e bëra ishte i jashtëzakonshëm. Doja diçka të veçantë ku të gërshetoja flamurin dhe xhubletën, bashkë në një emocion të dyfishtë. Gëzuar këto festa kaq të bukura të cilat na tregojnë se përveçse ta duam vendin tonë, duhet të përpiqemi ta bëjmë atë më të begatë. Personalisht kudo që kam shkuar, nuk jam ndjerë më mirë se në Shqipërinë time”, - u shpreh fotografja e njohur.

Bashkatdhetarë të të gjitha trojeve u bënë bashkë për të festuar dhe gëzuar ditët historike për komunitetin shqiptar të Kanadasë, përmes festimeve të shumta, në nder të kulturës dhe traditave të vendit. Këtë vit, festimet u kryen në parlamentin e vendit, teksa ky i fundit ka pranuar për shqyrtim projektligjin për të shpallur nëntorin, muajin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Në një lidhje skype nga Otava, Presidentja e Nderit e Shoqatës Shqiptaro Kanadeze, dr. Ruki Kondaj tha se ky është një lajm domethënës për shqiptarët dhe intelektualët e diasporës. "Personalisht si dhe shoqata jonë, mbarë shqiptarët i janë mirënjohës Deputetes Laura Albanese për marrjen përsipër dhe realizimin me sukses të këtij projekt ligji ku nëntori shpallet muaji i Trashëgimisë Shqiptare në parlament" - u shpreh ndër të tjera znj. Kondaj.