Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 5 Shkurt 2025 – Receta/ Me Altin Joka, kanceri i mitrës / Libri për fëmijë

5 Shkurt, 15:51

Zonja Albana solli sugjerimet e saj të recetave plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin Supë pule e prerë me vezë e limon dhe Sallatë me lakër. I ftuar në këndin e kuzhinës Roland Naço, përgatiti dy nga recetat e tij me te preferuara: Fileto viçi servirur me salcë dhe Krahë pule të mbushura.

Vetëm një ditë pas Ditës Botërore të Luftës Kundër Kancerit, flasim në studion e “Rreze Dielli” me nutricionistin dhe ekspertin e mjekësisë holistike Altin Joka për kancerin e qafës së mitrës. Megjithëse një sëmundje e parandalueshme, ai është kanceri i dytë më i shpeshtë midis grave në moshë riprodhuese, pas kancerit të gjirit. Si ndikon dieta apo stili i jetesës dhe çfarë faktorësh të tjerë ndikojnë në zhvillimin e kancerit të mitrës? Cilat janë simptomat e para të kancerit të mitrës që gratë nuk duhet t’i injorojnë? A mund të zhvillohet kjo sëmundje pa shenja të dukshme? Si ndikon stresi dhe mirëqenia emocionale në shëndetin e mitrës? A ndikon përdorimi i kontraceptivëve hormonalë në rrezikun për këtë sëmundje? Si ndikon balanca mendje-trup në shëndetin e mitrës dhe sa të këshillueshme janë praktikat si meditimi, joga dhe teknikat e relaksimit për të ulur stresin apo terapi të tjera? Cilat janë disa mënyra natyrale për të parandaluar kancerin e mitrës? Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve, por jo vetëm i diskutojmë në studio me Altin Joka, i cili do të na tregojë dhe rolin e ushqyerjes së shëndetshme, ushqimet mbrojtëse si dhe ushqimet më të dëmshme ose faktikë për sëmundjen.

Në studion e “Rreze Dielli” sot ndalemi në një risi libri për fëmijë tepër të veçantë, ‘Tekno-Broni’, libri befasues për fëmijë mes natyrës dhe teknologjisë. E ftuar autorja e librit Valbona Branka, e cila na rrëfen më shumë për këtë roman, i cili nuk është vetëm një përballje mes botës së re tekno (nga rrjedh dhe titulli Tekno-Broni) dhe asaj të vjetrës, ku çdo gjë bëhej me dorë, por u tregon fëmijëve se vërtet teknologjia ka shumë të mira, ama çdo gjë duhet përdorur me masë, pa harruar kontaktin me natyrën. Caku - Kufi është ai ekuilibri i hollë që duhet të ruajmë për të mos humbur lidhjen me Natyrën.