Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Japrakë me gjethe rrushi, mbushur me qepë të njoma e erëza / Toptha të vegjël me proshutë dhe djathë /Perime të pjekura në kos.
Në studion "Rreze Dielli" së bashku me sipëmarrësen Ketjona Xhemali do të flasim për Kefirin, do të mësojmë gjithçka rreth tij– një pije tradicionale fermentuese me përfitime të jashtëzakonshme për shëndetin. Do të tregojmë hap pas hapi se si mund ta përgatisni kefirin lehtësisht në kushte shtëpie, duke përdorur kokrrat e kefirit dhe qumështin. Nga ena e duhur tek luga e drurit dhe shumë 'sekrete' për të përfituar të gjitha benefitet maksimalisht. Gjithashtu, do të flasim për vlerat ushqyese dhe probiotike të kësaj pijeje, që ndihmon në përmirësimin e tretjes, forcimin e sistemit imunitar dhe balancimin e florës bakteriale në zorrë.
Në studion e "Rreze Dielli" në një bisedë të këndshme me Valbona Banka, autoren e njohur të librave për fëmijë, rreth librit të saj më të ri "Aria në dorën time". Libri rrëfen historinë e Arias, një vajzë e vogël që nis një udhëtim për të zbuluar Shqipërinë – jo vetëm përmes vendeve që viziton, por edhe përmes emocioneve, njerëzve dhe historive që e shoqërojnë. Me zemër, humor dhe një dashuri të thellë për vendin e saj, Aria sjell një këndvështrim të freskët dhe frymëzues për të gjithë lexuesit, të vegjël e të rritur. Zbuloni më shumë rreth frymëzimit pas librit, mesazhit që autorja dëshiron të përcjellë dhe mënyrës si letrat për fëmijë mund të bëhen ura që lidhin brezat me kulturën dhe identitetin!
Një histori suksesi që shijon si një pjatë e përkryer! Në këtë bisedë në “Rreze Dielli” ju prezantojmë me Gert’hard Bejta – mjeshtrin shqiptar të mishit, i cili ka fituar respektin dhe admirimin e profesionistëve në zemër të Italisë, në Firence. Pas një eksperience të pasur në restorante prestigjioze, ai themeloi në vitin 2021 ‘Braceria L'11’ në zemër të qytetit. Lokali njihet për përzgjedhjen e mishrave cilësorë nga e gjithë bota dhe për procesin e veçantë të maturimit që rrit butësinë dhe shijen. Me pasion, përkushtim dhe teknika të rafinuara, ai ka kthyer përgatitjen e mishit në një formë arti. Zbulojmë rrugëtimin e tij nga Shqipëria në Itali, sfidat që ka përballuar dhe sekretet që e bëjnë mjeshtërinë e tij të veçantë!