Florjan Binaj: Politikanët aktorë banalë, na kanë keqqeverisur. Për 28 vite mund të ishim bërë Monte Karlo

1 Shkurt 2019, 15:32

 “Shfaqja” e një dite më parë në parlamentin e Shqipërisë ka shkaktuar jo pak kritika nga publiku i gjerë. Por veç qytetarëve edhe aktorët e humorit, ata që shpesh imitojnë politikën, duket se janë të indinjuar nga qëndrimi i ligjvënësve në kuvend. I tillë ishte dhe reagimi i Florjan Binaj, një prej aktorëve më të njohur të spektaklit të famshëm të humorit “Portokalli” i cili tha se madje ndjehet fajtor për votën e dhënë ndaj klasës politike ndër vite.

Realisht ajo që ishte dje ishte një shfaqje e turpshme, që mua më vjen turp që lekët e taksapaguesve shkojnë për ata njerëz që bëjnë shfaqje të tilla në vend që të merren me popullit dhe hallet e tij. Është për të ardhur jashtëzakonisht keq. Unë ndjehem fajtor që aq sa kam kontribuar me votën time, megjithëse kam 3 zgjedhje që...(nuk votoj). Unë përpiqem në Portokalli që tja zhvesh atë guaskën që ata i vënë vetes së tyre. Nuk janë aktorë më të mirë, janë aktorë më banalë, shumë banalë, jashtëzakonisht banalë.

Florjan Binaj, aktor

I pyetur ndërkaq se çfarë e zhgënjen më shumë në realitetin shqiptar, Binaj tha se thuajse gjithçka dhe fajin për këtë e kanë pikërisht ata që kanë keqqeverisur vendin.

Gjithçka, ne mund të ishim bërë për 28 vjet nuk e di, Monte Karlo. Saranda mund të ishte bërë Monte Karlo, Durrësi mund të ishte bërë, Shkodra po ashtu. Nuk na mungon asgjë. Ne kemi resurse natyrore pafund dhe është tipike që vendet që kanë resurse janë më të varfra se ato që nuk kanë. Dhe kjo ka ndodhur se këtu cddo gjë shitet, edhe jeta jonë shitet. Jemi keqqeverisur pafund. Ata që kanë ardhur pas viteve 90, por edhe ata përpara, nuk kanë patur për asnjë moment dëshirën për ta bërë këtë vend. Prandaj ne jemi këtu, dhe themi kur do bëhet, nuk do bëhet ky vend.