Gjen pas 28 vitesh shokun e kurbetit/Surprizohet 65-vjeçari

30 Dhjetor 2021, 18:36

Jam një ndjekës i rregullt i emisionit tuaj edhe pse jetoj dhe punoj jashtë vendit. Quhem Rexhep Alliu me origjinë nga Pogradeci dhe ndjehem me fat që drejtohem tek ju. Jeni një dritare ku unë shoh një rreze shprese, për plotësimin e një dëshire në emër të një miqësie. Sot, gjithnjë e më shumë po humbin vlerat njerëzore, miqësitë e ngushta që I rezistojnë kohës. Distancat dhe emigrimi nëpër botë na kanë bërë të humbim kontaktet e së shkuarës, me njerëz që kanë shenjuar momente të bukura të jetës sonë. E tillë ka qenë për mua miqësia me Gëzim Pepën, djalin nga Elbasani. Për shumë shqiptarë emigrimi ka shkaktuar plagë të rënda në shoqëri, por për ne ka qenë një ogur i mirë lindja e një miqësie të pastër të cilën e ruaj në zemër. Me Gëzimin, cili ishte një djalë i ri në atë kohë punuam sëbashku nga viti 1991-1993 në fshatin AjoJorgji të Greqisë, kohë në të cilën ruaj kujtime të bukura. U bëmë shok për kokë dhe miqësia jonë u forcua edhe më shumë, kur ai më futi edhe në shtëpi, ditën që martoi vëllanë. Unë u ktheva më pas në Greqi, ndërsa Gëzimi kishte vendosur të provonte Italinë. Nga ky moment nuk u takuam më dhe rrugët tona morën të tjera drejtime. Pak kohë më pas ai kishte lënë një adresë tek fqinjët e familjes sonë në Pogradec, një letër e cila mbërriti dorazi dhe humbi rrugës. Më vjen keq kur mendoj se me humbjen e kësaj letre kontaktet tona u ndërprenë 28 vite më parë. Ndaj unë vendosa tju shkruaj ju, me shpresën që Gëzimi të jetë duke më ndjekur, pasi kam bërë shumë përpjekje, por nuk kam mundur të bie në gjurmët e tij. Ju keni trajtuar histori të ngjashme dhe na keni mallëngjyer, ndaj unë shpresoj të kem të njëjtin fat të mirë për të rilidhur kontaktet me shokun tim.