Gra mos kini turp të shkoni tek mjeku! Onkologu bën thirrje për të zvogëluar stigmën e kontrolleve për kancerin e gjirit

9 Tetor 2018, 19:40

Shumë gra hezitojnë ose neglizhojnë ekzaminimet që kanë si qëllim të zbulojnë rrezikun nga kanceri i gjirit. Madje një pjesë e tyre vuajnë ende nga stigma apo turpi. Mjeku onkolog Romeo Bani, i ftuar sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv tha se në fakt bëhet fjalë për një fenomen global me të cilin përballen shumë vende të botës, jo vetëm Shqipëria. 

Onkologu Bani shpjegoi gjatë bisedës në studio se kur duhet të nisin vetëekzaminimet dhe kontrollet tek mjeku siç është mamografia apo eko e gjirit. Janë pikërisht kontrollet e vazhdueshme të cilat mund të shpëtojnë jetë njerëzish pasi zbulimi i hershëm është kura më efektive ndaj kancerit të gjirit. 

Gratë shqiptare hezitojnë, neglizhojnë, e gjithë fushata ka për të rritur këtë ndërgjegjësim me qëllim që stigma dhe turpi të minimizohet. Ky është misioni ynë, për tu përballur me stigmën, turpin. Vetëekzaminimi duhet të fillojë që në moshën 20 vjeçare përpara pasqyrës. ndërkohë mamografia ka ndjeshmëri të lartë pas 40-ave, sepse gjiri pas kësaj moshe është densiteti i gjirit bie dhe bën të mundur evidentimin e atyre që në gjuhë mjekësore kalçifikime që mund të jenë masa tumorale. Nëse mamografia nuk jep informacionin e mjaftueshëm, është ekoja si ekzaminim komplementar dhe rezonanca manjetike bashkë me vlerësimin që bën mjeku për të diagnostikuar sëmundjen.

Tetori është quajtur muaji i sensibilizimit ndaj kancerit të gjirit, ku autoritetet shëndetësore zhvillojnë një fushatë informuese dhe ndërgjegjësuese për të rritur kontrollet. Por pavarësisht politikave shëndetësore dhe këtyre fushatave, numri i grave të prekura nga kjo sëmundje në Shqipëri rritet çdo vit me 513 raste të reja vetëm në 9 muajt e fundit.

Programe të tjera

Shiko të gjitha