I humbur prej 78 vitesh, i jepet lamtumira rreshterit anglez! Misionet e fshehta britanike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore

5 Nëntor 2021, 10:59

Nuk i dimë planet që ai kishte bërë, por kjo do të ishte ditëlindja e fundit për të.

Në 100 vjetorin e lindjes së tij, rreshteri anglez ka një vend ku të prehet. Një histori e pazakontë për ditët e sotme me të cilën na njeh Doktori i Shkencave Roderick Bailey në librin e tij “Provinca e egër”

“Në tetor 1943,  një avion britanik, u ngrit nga veriu i Afrikës dhe kishte mision të dërgonte ndihma tek luftëtarët shqiptarë. Ishte misioni i një grupi të vogël ushtarakësh britanikë mes maleve të Dukatit, afër Tragjasit, në jug-lindje të Vlorës. Avioni fluturoi shumë ulët, sepse duhet të shmangte avionët gjerman, shto edhe që ishte natë, ata nuk duhet të ishin të dukshëm dhe duhet të fluturonin shumë afër tokës në mënyrë që të mund të lëshonin mjetet me siguri”, thotw Roderick Bailey, autor i librit “Lufta e fshehtë në Shqipëri”.

Papritur bombarduesi Halifax i Skuadronit 148 të RAF (royal air force) -Forcave ajrore mbretërore, humbi fuqinë për t'u ngjitur mbi male dhe piloti zgjodhi të vazhdojë fluturimin drejt fshatit Dukat në Vlorë. Pikërisht në këtë zonë u rrëzua. Asnjë nga 9 anëtarët e ekuipazhit nuk mbijetoi. Mes tyre ishte edhe rreshteri Peter Twiddy.

Ekuipazhi i misionit të Halifax HR674

1.Toger i fluturimit Ëilliam Ross Forester (pilot)

2.Rreshteri i fluturimit James Clement Cole

3.Rreshteri i fluturimit Harold Ëilliams

4.Oficeri i fluturimit Peter Raymonde Flyte

5.Oficeri i fluturimit Francis Jack Hunter

6.Oficeri i fluturimit Edmond Frank Myers

7. Rreshteri Peter Tëiddy

Personel i Zyrës së Operacioneve Speciale :

1.Kapiteni Alfred Careless, i Trupave të Pushkatarëve Mbretërorë

2.Sinjalizuesi David William Rockingham, Trupat Mbretërore të Ndërlidhjes

Majori Gerry Field që ishte edhe udhëheqësi i ekipit, deklaroi se ai i varrosi të nëntë të vdekurit në varre të cekëta rreth avionit.

“Hulumtimi im ka konfirmuar përplasjen. Po ashtu kam gjetur prova të shkruara nga një prej oficerëve britanikë që ka qenë në tokë, duke pritur për avionin me ndihma. Ai kishte shkruar për përplasjen si edhe për përpjekjet për të ndihmuar të vdekurit e më pas për t'i varrosur. Por duhet të kishte qenë shumë e vështirë”, shprehet ai.

Pas luftës, u gjetën tre varre dhe eshtrat u dërguan në varrezat lokale. Gjashtë të tjerët mbetën të humbur.

Derisa në vitin 2018 një vendas që jetonte në fshatin Tragjas,Vlorë, i cili ishte në dijeni të vendit, gjeti një kockë brinje. Ai njoftoi një arkeolog, ky i fundit informoi Zyrën e Atashehut të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar në Ambasadën Britanike në Tiranë.

Në të gjithë vendin kishte edhe copa të vogla metalike e municion të vjetër. Seksioni i Mbrojtjes gërmoi rreth kockës dhe gjeti rreth 150 të tjera të cilat ishin mbi tokë ose të varrosura në tokë të cekët.

Dëshmitë fotografike dhe kocka e nofullës u dërgua në Mbretërinë e Bashkuar për testimin e ADN -së. Falë krahasimeve të materialit gjenetik u identifikuan që i përkisnin rreshterit Peter Twiddy.

“Rreth  vitit 2000-2001 arrita të gjej edhe një ushtarak britanik që ka qenë në tokë në Dukat dhe po ashtu ka qenë prezent gjatë përplasjes. Fola edhe me të, dhe ai ka konfirmuar disa detaje për përplasjen, zhurmën e përplasjes, një aksident i frikshëm që ndodhi duke i marrë jetën të gjithë bordit. Ishte i vetmi burim që mundi të më konfirmonte vendndodhjen dhe identifikimin e avionit”, shprehet autori.

Banorët vendas ishin në dijeni të rrëzimit të avionit, ngjarje e cila ndodhi 78 vjet më parë.

Historiku i ngjarjes është ruajtur falë kujtesës kolektive të zonës dhe përcjellë verbalisht midis brezave.

Por gojëdhënat që flasin edhe për një thesar me vlerë monetare e bëjnë historianin britanik të vërë buzën në gaz.

"Varet çfarë nënkupton me thesar. Ata i lëshonin mbështetje partizanëve për t’i bërë ballë luftëtarëve dhe luftës.  Objekte si uniforma, çizme, armë, të gjitha janë shkatërruar me shpërthimin. Pistoleta, granata, gjëra të vogla. Me siguri uiski. Mendoj se gjatë asaj kohe nëse ishte partizan dhe luftoje në luftë, do të mendoje se thesar do të ishte ushqimi. Rroba të ngrohta. Çizme, armë me të cilat të mbroje veten. Kështu që çfarë konsiderohet sot thesar është e ndryshme nga ajo që konsiderohej atëherë”, shprehet ai.