“I jap ujë në vënd të qumshtit, vajza është e sëmurë”/Prek nëna me rrëfimin tronditës

14 Tetor 2021, 18:49

Me 4 fëmijë të mitur jeton në varfëri familja Plepi nga Maliqi. Përmes emisionit "Pa Gjurmë" në Report Tv, apelojnë për ndihmë, pasi përpos varfërisë ekstreme nuk kanë mundësi të kurojnë vajzën 7-muajshe e cila ka lindur me probleme të frymëmarrjes. Denar Plepi nuk i ndal lotët. "Nuk ngop dot fëmijët me bukë", tha ai. Babai i katër fëmijëve qan për foshnjën 7 muajshe, të cilën nuk ka mundësi ta kurojë. Ne këtë dhomë ku dritaret e dyert mungojnë e tavani pikon, çifti Plepi rrit 4 fëmijët mitur të moshës nga 5 vjeç deri në 7 muajsh. Të ardhurat e vetme janë ndihma ekonomike prej 6 mijë lekësh në muaj dhe puna sezonale e kryefamiljarit, që mbledh bimë medicinale në mal. Ndërsa nëna kujdeset për të vegjlit, ajo thotë se i duhet të udhëtojnë shpesh drejt Tiranës për të mjekuar foshnjën. Denar Plepi tregon se janë detyruar të marrin borxhe dhe kredi për të kuruar vajzën dhe tashmë janë në vështirësi për të kryer pagesat. Ndërsa ka trokitur dhe në bashkinë e Maliqit për strehim, por nuk ka marrë përgjigje.