Identiteti i shqiptarëve dhe grekëve, e ftuar historiania Elena Kocaqi

26 Dhjetor 2018, 15:34

Pak ditë më parë historiani Arben Llalla publikoi kopertinën e librit të pedagogut të greqishtes në Universitetin "Eqrem Çabej" të Gjirokastrës, Panajot Barka që ngre dyshime mbi shqiptarët, origjinën e Skënderbeut dhe flamurit kombëtar (lexo këtu). Për të folur mbi këtë temë e ftuar në emisionin ’45 Minuta’ në Report Tv ishte historiania Elena Kocaqi. Ajo u shpreh se libri i Panajot Barkës është politik dhe tendencioz. “Ai është shqiptar për vete, por nuk njeh burimet historike si duhet, të flasësh për këto gjëra duhet të jesh historian profesionist. Ky është një libër politik, tendencioz.

Shqiptarët janë populli më autokton në Europë, para grekëve dhe romakëve dhe çdokujt. Përveç disa njerëz ekstremistë në Ballkan që e vendosin në diskutim këtë. Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe pellazgëve. Shqiptarët kanë qenë popull kristiano-ortodoks para se të vinin osmanët. Burimet historike janë të plota që tregojnë një autoktoni të shqiptarëve. Dëgjova edhe dyshimet mbi Skënderbeun, por nuk e kuptoj këtë injorancë. E gjithë kjo bëhet politikisht për të manipuluar historinë” tha ajo.