Inskenon vdekjen dhe jeton në arrati,dorëzohet pas 9 muajve biznesmeni italian/Gazetari Rusta tregon

20 Shtator 2021, 18:09

U gjet i gjallë teksa vazhdonte rrugëtimin e tij të arratisjes për t'iu shmangur borxhlinjve dhe përfituar siguracionin, prokuroria e Pukës vë nën akuzë italianin Davide Pecorreli për shkatërrim prone me zjarr dhe dëmtim varresh. ReportTv mëson eskluzivisht se hetimet janë nisur tashmë nga i njëjti prokuror që po hetonte rrëmbimin e vrasjen e inskenuar të Pecorrelit të ndodhur në Janar të këtij viti në Pukë. Akuza për shkatërrimin e pronës me zjarr i përket djegies së automjetit që Pecorelli kish marrë me qira në rinas ndërsa shkatërrimi i varreve për kockat e gjetura në skeletin e djegur brenda automjetit model Skoda. Këto kocka sipas hetuesve kanë pjesë gjymtyrë njeriu si dhe kafkë koke dhe dyshohet se janë marrë duke zhvarrosur një kufomë. Ky krim sipas hetuesve dyshohet se është kryer në bashkëpunim ndërsa pasditen e kësaj të hëne biznesmeni italian do të merret në pyetje nga prokurorët e Peruxhjas. Veç këtyre akuzave ai rrezikon edhe një procedim penal në Itali për falsifikim të letërnjoftimit pasi rezulton se gjatë kohës që qëndroi në Itali i fshehur ai përdorte një identitet të rremë nga i veti. Aktivizimi i kartës së bankës në Itali ishte sinjali që çoi në gjurmët e biznesmenit italian Davide Pecorelli pas 9 muajsh nga zhdukja e tij e inskenuar në Pukë. Misteri mbi zhdukjen e tij në Shqipëri u zbardh të shtunën pasi Pecorelli është gjetur i gjallë në ishullin Elba në Toskana. Dje gazetat italiane, zbuluan se me kartën e kreditit të Davide Pecorelli, pas 9 muajsh nga zhdukja, është bërë një tërheqje e parave në një bankë në Romë. Ka qenë bashkëpuntori i tij shqiptar (i ndihmuar nga avokati Giancarlo Viti), banues në Lama di San Giustino, i cili u raportoi hetuesve për aktivizimin e kartës në 12 shtator.